Integrimi

Prof. Dr. Alban Y. Neziri themelon qendrën moderne të gjinekologjisë në Langenthal

Më 1 shtator në Langenthal të Kantonit të Bernës është përuruar Qendra Gjinekologjike “Langete”, e drejtuar nga Prof. Dr. med. Alban Y. Neziri

Teksa po pinim kafe së bashku, doktor Albani e tregoi një rrëfim interesant për babanë e tij që ishte operuar në një qendër të specializuar në Gjermani. Që nga mirëmbajtësja e dhomës së spitalit, infermierja kryesore, anesteziologu e vet shefi i repartit, të gjithë ishin shqiptarë.

Ishte ky një shembull, se puna dhe angazhimi shpërblehen gjithmonë, pa marrë parasysh se nga vjen, apo cilit nacionalitet i takon

Një shembull të tillë, tashmë ka vite që e ndjek edhe vetë Prof. Dr. med. Alban Y. Neziri.

Pas një përvoje të gjatë në lëmin e Gjinekologjisë, në reparte të ndryshme të shumë spitaleve në Zvicër, fillimisht në spitalin Universitar Insel Spital në Bernë, pastaj në Spitalin Universitar në Cyrih, Spitalin Kantonal në St.Gallen dhe atë të Winterthurit, në SRO Langenthal dhe së fundi prapë në Insel Spital në Bernë, ai më në fund ka vendosur që përvojën e mbledhur, ta vë në zbatim në klinikën e tij të porsahapur.

Fillimi i shtatorit shënon po ashtu edhe fillimin e punës së Qendrës Gjinekologjike “Langete”, që gjendet në qytetin Langenthal të kantonit të Bernës.

Projekt jetësor

„Pos misionit human, si qëllim tjetër i mjekut është po ashtu edhe arritja e niveleve më të larta udhëheqëse, qoftë në klinika shtetërore apo private, ose hapja e klinikës së vet private“, shprehet Dr. Albani për albinfo.ch, teksa më tregon ambientet e klinikës së tij, që pritet ta drejtojë së bashku me bashkëthemeluesen, njëherësh bashkëshorten e vet, Ryve Neziri, e cila me profesion është eksperte e infermierisë në degën e nefrologjisë.

Për të përmbushur atë, siç e quan ai, „Projekt jetësor“, punimet kanë filluar qysh para një viti dhe janë kurorëzuar me një klinikë super moderne.

Qendra Gjinekologjike “Langete” (Gynäkologiezentrum Langete), një ambient ultra modern është e pajisur me teknologjinë më të re, që nga shtatori i këtij viti ka hapur dyert për pacientë.

Duke u bazuar edhe në përvojën shumëvjeçare në institucione të shumta spitalore të Dr. Alban Nezirit, kjo qendër ofron shërbime të shumta në lëmin e gjinekologjisë dhe obstetrisë.

Shëndeti i grave, këshillimi i adoleshenteve si dhe vaksinimi kundër HPV dhe mbrojtja nga shtatzënitë e padëshiruara, trajtimi dhe këshillimi për prindërit pa fëmijë, janë vetëm disa nga shërbimet bazë që ofrohen në „Langete”.

Po ashtu pjesë e shërbimit është edhe trajtimi i grave shtatzëna me aparatet më moderne të ultrazërit. Edhe shërbimi i mamive, para dhe pas lindjes, gjendet në listat e kësaj qendre.

 Një spektër i gjerë trajtimesh të sëmundjeve gjinekologjike

Këtu trajtohen të gjitha sëmundjet gjinekologjike, endometriozat, tumoret beninje. Ndërsa në bashkëpunim të ngushtë me Insel Spital në Bernë, këtu trajtohen po ashtu edhe parakancerozat dhe sëmundjet kancerogjene gjinekologjike.

I ftuar me raste në Qendrën Langete, është po ashtu edhe një specialist i dhembjeve. Ai aplikon terapinë konvencionale dhe invazive të trajtimit të dhembjes.

Ndër trajtimet tjera, këtu hyjnë edhe sëmundjet urogjinekologjike, duke përfshirë këtu edhe diagnostifikimet urodinamike e deri te trajtimi modern i Inkontinencës (humbja e pakontrolluar e urinës), nëpërmjet trajtimit me CO2-Laser, si dhe me radiofrekuencë.

Si një risi e qendrës “Langete”, përmes pajisjeve laserike, trajtohen edhe fazat parakanceroze në qafën e mitrës dhe pjesën e jashtme të organeve gjenitale, Kondilomat, atrofia vaginale, heqja e „striave“ (shenjave) të shtatzënisë etj.

Kush është Alban Y. Neziri

I lindur në Pejë, nga dy prindër pedagogë , babai Ymeri, Profesor i Pedagogjisë dhe Nëna Mona, Profesoreshë e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, shkollimin fillor e kryen në vendlindje, për të filluar me atë të mesëm në gjimnazin matematikor “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Filloi studimet në degën e mjekësisë së përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, për t`i vazhduar ato pas luftës Universitetin e Mjekësisë në Graz të Austrisë ku merr edhe titullin Doktor i Mjekësisë. Studimet pasuniversitare i vazhdoi në Universitetin e Grazit, ku në bashkëpunim me Universitetin e Bernës, mori gradën shkencore “Doktor i shkencave të Mjekësisë në Neuroshkencë”. Më pas, në një program pasuniversitar të Universitetit të Aalborg-ut në Danimarke dhe atij të Bernës, mbron me sukses edhe Doktoratën e dytë shkencore, duke marrë gradën shkencore “PhD” (Doktor i Filozofisë) në fushën e Shkencave dhe Inxhinierisë Biomjekësore (Biomedical Science and Enginering).

Albani është profesor i rregullt në dy universitete, në Universitetin e Bernës në Zvicër, dhe në atë të Aalborgut, në Danimarkë. Ai është edhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në Departamentin e Shkencave Biomjekësore në Fakultetin e Mjekësisë në Bernë, si dhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në shumë institucione mjekësore. Është po ashtu anëtar i kryesisë së Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, anëtar i kryesisë dhe i bordit shkencor të Asociacionit Shëndetësor të Kosovës dhe anëtar i bordit editorial të Revistës shkencore “Kosova Journal of surgery”. Ka botuar dy libra shkencorë, si dhe ka me dhjetëra punime shkencore ndërkombëtare. Është recensues shkencor dhe anëtar i bordit editorial në disa revista shkencore ndërkombëtare.

Punën humanitare, Dr. Albani e plotëson edhe me aktivitete jo mjekësore si Këshilltar i jashtëm i organizatës për ndihmë refugjatëve në Zvicër (Schweizerische Flüchtlinghilfe) dhe si anëtar i Caritas-it Internacional.

Dr. Alban Y. Neziri, ish i burgosur politik dhe veteran i UÇK-së, është i martuar me Ryve Nezirin, kanë 3 fëmijë dhe jetojnë në Kantonin e Bernës

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

Qendra moderne mjekësore e Dr. Albanit hap portat për mysafirët dhe pacientët (Foto)

 

 

 

 

 

 

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI