Lajme

Programi britanik i vaksinimit kundër COVID-19

Tashmë dihet se Britania është bërë e para që ka miratuar vaksinën për koronavirus, të zhvilluar nga kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane, BioNTech, për përdorim urgjent.

Duke qenë se testimet e vaksinave kanë treguar 95 për qind efikasitet, ekziston interes i madh rreth asaj se si planifikon të realizojë Mbretëria e Bashkuar programin më të madh për imunizim në dekada. Shihni më poshtë se çfarë dihet deri më tani për planin britanik të vaksinimit.

Sa vaksina ka Mbretëria e Bashkuar?

Jo mjaftueshëm. Mbretëria e Bashkuar ka porositur 40 milionë doza, të cilat mund të imunizojnë 20 milionë persona, meqë secili prej tyre duhet të marrë dy doza në periudhë 21-ditore. Pasi Mbretëria e Bashkuar do të imunizojë personat mbi moshën 16-vjeçare, kjo nënkupton se ky shtet duhet të gjejë vaksinë për 53 milionë personat tjerë që janë në gjendje të marrin vaksinat, transmeton agjencia e lajmeve AP.

Kur do të nisë vaksinimi?

Plani është që vaksinimi të nisë në fillim të javës së ardhshme, pasi të arrijnë dozat e para nga Belgjika. Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, ka thënë se 800,000 doza do të arrijnë javën e ardhshme, dhe miliona tjera në javët në vijim. Mirëpo vaksina vazhdon të jetë eksperimentale, derisa testimi finale të përfundojë.

Si do të funksionojë vaksinimi?

Nuk do të jetë proces i drejtpërdrejtë. Meqenëse vaksina duhet të ruhet dhe të transportohet në temperaturë -70 gradë Celsius, ekzistojnë pengesa logjistike. Fatmirësisht vaksina është e qëndrueshme në temperature normale të frigoriferit, në mes të 2 dhe 8 gradë Celsius për disa ditë, që nënkupton se mund të ruhet lokalisht përpara se të shpërndahet. Mbretëria e Bashkuar synon të përdorë Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë për të vaksinuar njerëzit, duke përfshirë qendrat lokale, dhe sidomos ato që janë të krijuara për vaksinim.

Sa gjatë do të marrin kohë përpjekjet për vaksinim?

Të paktën disa muaj. Pasi Mbretëria e Bashkuar nuk ka mjaftueshëm vaksina të prodhuara nga Pfizer dhe BioNTech, do t’i duhet të sigurojë më shumë vaksina. Dy vaksinat e tjera janë duke u vlerësuar. Njëra nga kompania amerikane, Moderna, ka pasur shkallë të përafërt të efikasitetit sikurse ajo e Pfizer/BioNTech.

Një tjetër vaksinë nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania farmaceutike britanike, AstraZeneca, ka pasur shkallë më të ulët të efikasitetit dhe është shumë më e lirë sesa dy vaksinat tjera. Mbretëria e Bashkuar ka blerë 100 milionë doza të vaksinës së kompanisë AstraZeneca, e cila nëse miratohet, pritet të shpërndahet për personat që nuk janë pjesë e fazës së parë të Britanisë për imunizim.

Kush do të vaksinohet në fillim?

Kategoritë më të ndjeshme. Komiteti i Pavarur për Vaksinim dhe Imunizim, që këshillon Qeverinë britanike për imunizimin, ka thënë se ata që kanë qenë më së shumti në rrezik për vdekje nga COVID-19, do të jenë në listën e prioritetit. Prandaj, të moshuarit, personat në shtëpi kujdesi dhe ofruesit e kujdesit për ta do të jenë të parët që do të vaksinohen duke u pasuar nga personat mbi moshën 80-vjeçare dhe punëtorët shëndetësorë.

Kush është në radhë pas tyre?

Të gjithë banorët e moshës 75-vjeçare e më të vjetër, do të jenë në radhë për vaksinim sipas Komitetit të pavarur për Vaksinim dhe Imunizim. Më pas do të jenë në listë ata që kanë 70 vjet, si dhe personat që konsiderohet se janë “jashtëzakonisht të brishtë”. Përgjatë fazës së parë të programit të imunizimit, Britania ka krijuar nëntë grupe të ndara për ata që kanë 50 vjet e tutje. Në përgjithësi, ky vend shpreson se 90-99 për qind e njerëzve që janë në rrezik për vdekje nga COVID-19, do të vaksinohen përgjatë fazës së parë të imunizimit.