Lajme

Promovim festiv në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë

Organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Lidhja e Shkrimtarëve e Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri me 14 shkurt u bë promovimi i librit “Studiues austriakë e shqiptarë në Austri” të autorit Hazir Mehmeti, raporton Albinfo.ch.

Salla e bukur solemne e mbushur si asnjëherë më parë me publik nga te gjitha rrethet e Austrisë i dha kuptimin vlerësues gjithë atyre figurave madhore kombëtare që dhanë shumë për ndërtimin dhe progresin e atdheut.

Ky manifestim kulturore – festiv ishte organizuar në kuadër të 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Mbrëmjen letrare u drejtua me profesionalizëm nga Kaltrina Durmishi.

Në emër të nikoqirit, fillimisht fjalën e mori i emëruari për Ambasador të Republikës së Kosovës në Austri, Lulëzim Pllana. “ Me respekt të gjithëve: Gëzuar 17 Shkurti – Dita e Pavarësisë së Kosovës. Më vjen mirë që sot po takohem me ju të nderuar të pranishëm dhe me krijues e hulumtues që kontribuojnë në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe në Austri. Autorin e librit e uroj për librin me vlerë dhe i dëshiroj suksese. Ambasada do jetë gjithmonë shtëpia e përbashkët e jona”. Ambasadori Pllana i siguroi të pranishmit se dyert e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë, do të jenë të hapura për çdo aktivitet i cili është në shërbim dhe fuqizim të shtetit dhe kulturës sonë.

Nga ana tjetër, Roland Bimo, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri, pasi uroj 17 shkurtin të pranishmëve, foli me respekt për librin e ri dhe aktivitetet e Lidhjes së Shkrimtarëve në Austri.

Rreth librit “Studiues austriakë e shqiptarë në Austri” (Në gjuhë, art e kulturë) e mbajti vështrimin e saj Violeta Allmuça, shkrimtare. “Është një meritë e padiskutueshme e mësuesit, krijuesit, dhe publicistit Hazir Mehmeti që na sjell këtë vepër të veçantë, për vlerat e shumë personaliteteve austriake e shqiptare në shërbim të çështjes shqiptare e më gjerë. Frymëzimi nga historia, tradita, atdhedashuria, gjuha, arti ishin një sprovë e madhe për çdo shqiptar që me mirënjohje e shpresë i shërbyen atdheut të tyre të përjetshëm edhe pse ishin larg tij. Po ashtu me vlera shumë të mëdha historike ishte edhe mbështetja e personaliteteve austriake që hulumtuan dhe ndriçuan historinë, gjuhën dhe të vërtetën e një kombi që ideal të përhershëm kishte lirinë dhe vetëdijen e tij evropianë”, njofton albinf.ch.

Ndërsa redaktori i librit Prof. Bedri Tahiri rreth librit shkroi: “Duke e shfletuar, lexuar e shijuar kujdesshëm librin e Hazir Mehmetit ” Stdudiues austriakë e shqiptarë në Austri – në gjuhë, art dhe kulturë” bindemi plotësisht se ai, vërtet, është një enciklopedi e llojit të vet, nga i cili mund të informohesh e të mësosh për shumëçka. Autori i rryer e me përvojë, Hazir Mehmeti, me një mjeshtri të rrallë ka arritur ta mbarështrojë mirë e mbarë gjithë atë mal faktesh: biografi, dokumente, fotografi, materiale arkivore, shkrime nga shtypi etj., të grumbulluara për gjashtë vjet rresht, duke e sistemuar e konceptuar në disa kapituj, të ndërlidhur me njëri- tjetrin, si mishi me thoin.

Thelbin e librit në shqyrtim, padyshim, e përben kapitulli i katërt, ku pasqyrohet jeta dhe veprimtaria e mbi njëqind personaliteteve të mëdhenj shqiptarë në Austri, në mesin e të cilëve shquhen Hasan Prishtina, Kolë Rrota, Gjergj Pekmezi, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Hilë Mosi, Lasgush Poradeci, Karl Gurakuqi, Kristë Maloku, Skënder Luarasi, Pandeli Sotiri, Xhevat Korça, Sokrat Dodbiba e shumë e shumë të tjerë, deri tek studiuesit e shkencëtarët e ditëve tona, ku u dallua edhe vajza e autorit, Dr. Vlora Mehmeti- Tërshani, tashmë e ndjerë.

Reshat Sahitaj, shkrimtar dhe veprimtar mes tjerash rreth librit shkruan: “ Vepra e Hazir Mehmetit ka rëndësi të madhe kombëtare, nga se po të bëjmë krahasimin e shqiptarëve të shkolluar në Perëndim dhe të atyre të shkolluar në Lindje gjatë Perandorisë Osmane, do të arrijmë te një konkludim se shqiptarët e shkolluar në Perandorinë Austro-Hungareze luftuan për çlirimin e trojeve tona, ndërsa të shkolluarit në Lindje, kërkonin autonomi në kuadër të Turqisë”.

Autori prezantoj pamje nga brendësia e librit, për çka publiku mësoi më në detaje rreth përmbajtjes dhe figurave madhore nga gjuhësia arti dhe kultura. Librin e tij autori, ia dedikon vajzës së tij Dr.Vlora Mehmeti-Tërshani, shkencëtare e nivelit ndërkombëtar e cila u nda nga jeta në moshë të re.
Interesimi i publikut për librin ishte shumë i madh. Autorin e uroi publiku i kënaqur me atë çka panë e dëgjuan rreth librit të promovuar.

Në pjesën e dytë të mbrëmjes lexuan nga krijimtaria e tyre, Gjergj Rrustaj, poezi: “Shkodrës” dhe “Profesor Anton Çeta – Kosovë”; Leontina Prokshi, poezi: “Ndriçon si e nesërmja” dhe “Kënga e Agut”. Angjelina Marku, poezi: Gotat” dhe “Mos më thoni” dhe Anton Marku, poezi: “Poeti” dhe “Larg sa një ëndërr”

Në fund organizatori shtroi koktej rasti festiv, veç tjerash me ushqime nga kuzhina shqiptare.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch