Lajme

Protesta e katërt në Gjenevë: Diaspora shqiptare vazhdon mobilizimin, “Shqipëria nuk është në shitje”

Diaspora shqiptare zhvilloi të mërkurën në mbrëmje protestën e katërt me radhë në Sheshin e Kombeve në Gjenevë, duke vazhduar mobilizimin qytetar me moton “Shqipëria nuk është në shitje”. Protestuesit kërkuan më shumë transparencë dhe mbrojtje të pasurive natyrore të vendit.

Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, pjesëmarrësit përsëritën thirrjet e tyre për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe të interesit publik, duke theksuar se kauza e tyre nuk është kundër Shqipërisë, por në mbrojtje të saj.

Në një prononcim për Albinfo.ch, organizatorja Vale Stasa tha se mobilizimi i diasporës po rritet nga protesta në protestë.

“Çdo protestë ka sjellë njerëz të rinj. Nuk është e lehtë të mobilizosh diasporën, sepse secili ka punën, familjen dhe jetën e vet. Megjithatë, kur bëhet fjalë për Shqipërinë, shohim se gjithnjë e më shumë shqiptarë po kuptojnë se distanca nuk na përjashton nga përgjegjësia. Çdo zë që bashkohet është një fitore. Nuk e masim suksesin vetëm me numra, por me ndërgjegjësimin që po rritet”, u shpreh ajo.

Lidhur me pritshmëritë ndaj institucioneve shqiptare, Stasa theksoi se protestuesit presin që zëri i qytetarëve të dëgjohet.

“Ne presim që institucionet të dëgjojnë zërin e qytetarëve, kudo që ndodhen. Protestat nuk janë kundër Shqipërisë. Përkundrazi, janë një thirrje për ta mbrojtur atë. Një demokraci e fortë ndërtohet duke dëgjuar qytetarët, jo duke i injoruar ata.”

Mesazhi i saj për shqiptarët e diasporës ishte i qartë:

“Mos mendoni se jeni larg. Shqipëria nuk është vetëm vendi ku kemi lindur, por pjesë e identitetit tonë. Edhe nëse jetojmë mijëra kilometra larg, zëri ynë ka vlerë. Le të mos jemi vetëm spektatorë. Le të jemi pjesë e zgjidhjes, sepse diaspora është pjesë e Shqipërisë.”

Edhe politologia Dorina Xhixho e cilësoi mobilizimin e diasporës si të jashtëzakonshëm.

“Po protestohet në të gjithë botën, kudo ku ka shqiptarë. Është një organizim qytetar dhe spontan. Nuk ka ndodhur kurrë më parë një mobilizim i tillë si në këto 32 ditë. Kjo tregon se diaspora mbetet gjithmonë me zemër në Shqipëri dhe përgjigjet sa herë që mëmëdheu ka nevojë”, tha ajo.

Sipas Xhixhos, për sa kohë do të vazhdojnë protestat në Shqipëri, do të vazhdojë edhe mobilizimi i diasporës.

“Jemi të organizuar edhe për të siguruar pjesëmarrje në protestat në Tiranë.”

Duke folur për pritshmëritë nga institucionet shqiptare, ajo tha se qytetarët presin që “sovrani të dëgjohet dhe të veprohet në interes të vendit dhe të kombit”, ndërsa shtoi se reagimi i deritanishëm i pushtetit nuk i është përgjigjur kërkesave të protestuesve.

Në fund, ajo u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen.

“Shqipëria është e shqiptarëve dhe Shqipëria po lëngon. Është momenti për t’u bashkuar, përtej çdo gjëje që mund të na ndajë. Sot ose kurrë, për të qenë në anën e duhur të historisë.”

Edhe Vlora Rashiti theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së angazhimit qytetar.

“Unë besoj se çdo zë që ngrihet për Shqipërinë ka vlerë. Kjo kauzë kërkon kohë, këmbëngulje dhe zemër. Ne do të vazhdojmë të jemi këtu, sepse kur bëhet fjalë për vendin tonë, nuk dorëzohemi.”

Sa i përket pritshmërive ndaj institucioneve, Rashiti kërkoi transparencë dhe përgjegjësi politike.

“Kur merren vendime që prekin pasuritë natyrore të Shqipërisë dhe të ardhmen e brezave që vijnë, qytetarët meritojnë të dinë çdo detaj dhe zëri i tyre të dëgjohet. Ky është thelbi i një shteti demokratik.”

Ajo u bëri apel edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Shqipëria është e të gjithëve, edhe e atyre që jetojnë larg saj. Nuk ka rëndësi nëse je në Gjenevë, Londër, Nju Jork apo Tiranë. Kur bëhet fjalë për vendin tonë, zëri i secilit ka vlerë. Edhe nëse nuk mund të vini në protestë, informohuni, flisni dhe mos qëndroni indiferentë. Një ditë, fëmijët tanë do të na pyesin çfarë bëmë për Shqipërinë, dhe unë dua t’u them se nuk heshtëm.”

Sipas organizatorëve, protestat do të vazhdojnë edhe në qytete të tjera të Zvicrës dhe jashtë saj, si pjesë e një mobilizimi qytetar që synon të mbajë gjallë debatin publik për çështjet që, sipas tyre, lidhen me mbrojtjen e pasurive natyrore, transparencën dhe të ardhmen e Shqipërisë. Në ditët në vijim priten të njoftohen edhe aktivitetet e radhës të diasporës shqiptare./Albinfo.ch

 

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm