Botërori 2026

Prapaskenat e eliminimit të Gjermanisë: familjet, xhelozitë dhe tensionet në skuadër

Pas eliminimit të Gjermanisë nga Kupa e Botës ndaj Paraguait, në mediat gjermane kanë nisur të dalin në pah detaje për probleme të brendshme gjatë grumbullimit të skuadrës në turneun e zhvilluar në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Ish-kapiteni i Gjermanisë, Lothar Matthäus, në një intervistë për Bild, ka folur për tensione brenda ekipit që lidhen me organizimin e qëndrimit të familjarëve dhe çështjet e udhëtimeve.

Sipas tij, në skuadër kanë ekzistuar pakënaqësi për mënyrën se si janë trajtuar familjet e lojtarëve gjatë turneut.

“Ka shumë gjëra për t’u përpunuar, si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Probleme me bashkëshortet, me familjet… kishte gjithçka. Nuk e kuptoj pse familje të tëra duhet të jenë të pranishme që në fillim,” është shprehur Matthäus.

Ai shtoi se më pas kanë lindur edhe probleme me organizimin e udhëtimeve dhe rezervimet e hoteleve, duke krijuar tensione brenda grupit.

“Disa lojtarë ishin të pakënaqur sepse kishte trajtim të ndryshëm: dikush udhëtonte me familjen, ndërsa të tjerët jo. Kjo krijoi debat brenda ekipit,” ka thënë ai.

Sipas Matthäus, këto situata kanë ndikuar në atmosferën e skuadrës dhe kanë sjellë pakënaqësi gjatë gjithë turneut.