Lajme

Pse të dish të notosh mirë nuk mjafton për të shmangur mbytjen

Vala e të nxehtit po shtyn gjithnjë e më shumë njerëz drejt liqeneve dhe lumenjve, duke rritur rrezikun e aksidenteve në ujë. Që nga fillimi i sezonit janë regjistruar rreth dhjetë raste fatale të mbytjes, ndërsa ekspertët bëjnë thirrje për më shumë kujdes dhe përgjegjësi personale.

Temperaturat e larta që kanë përfshirë Zvicrën kanë bërë që mijëra qytetarë të kërkojnë freski në ujërat natyrore të vendit. Si pasojë, është rritur edhe numri i aksidenteve gjatë notit.

Sipas të dhënave zyrtare, çdo vit në Zvicër regjistrohen rreth 13 mijë aksidente që lidhen me larjen ose notin, ndërsa mesatarisht 40 deri në 50 persona humbin jetën nga mbytja.

Timothé Schärer, ekspert për trajnim në Shoqatën Zvicerane të Shpëtimit në Ujë, thotë se është ende herët për të vlerësuar nëse vera jashtëzakonisht e nxehtë do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e numrit të viktimave.

“Për momentin është e pamundur të flitet për një trend. Nëse moti vazhdon të jetë i favorshëm për notin në ujëra të hapura, është e mundur që numri i aksidenteve të jetë pak mbi mesataren, por nuk ka arsye për alarm,” u shpreh ai.

Sipas tij, vëmendja e madhe që po marrin rastet e mbytjeve lidhet edhe me fushatat e shumta të ndërgjegjësimit dhe raportimin intensiv të mediave.

Të rinjtë meshkuj, më të rrezikuarit

Statistikat tregojnë se viktimat më të shpeshta të mbytjes janë meshkujt e rinj. Schärer e lidh këtë me sjelljet më të rrezikshme dhe presionin shoqëror për të ndjekur grupin ose për t’u dukur më të guximshëm.

Ai thekson se edhe të qenit notar i mirë nuk garanton siguri.

“Noti në ujëra të hapura rekomandohet vetëm për persona me përvojë, por kemi parë se shumë aksidente ndodhin pikërisht me notarë të aftë, të cilët përjetojnë një moment dobësie ose humbin kontrollin në ujë. Prandaj, të dish të notosh mirë nuk do të thotë se je jashtë rrezikut,” tha ai.

Shoku termik, një nga rreziqet kryesore

Ndër faktorët kryesorë që çojnë në mbytje në Zvicër përmenden rrymat e ujit, konsumimi i alkoolit dhe, mbi të gjitha, shoku termik.

Sipas Schärer, kalimi i menjëhershëm nga temperaturat e larta të ajrit në ujin e ftohtë ndikon menjëherë në muskuj dhe në aftësitë fizike të personit, duke rritur ndjeshëm rrezikun e aksidenteve.

Përgjegjësia personale është mbrojtja më e mirë

Eksperti shprehu shqetësim edhe për trendet e rrezikshme që qarkullojnë në rrjetet sociale, si videot e personave që hidhen në lumin Rhône nga çatitë e ndërtesave në Gjenevë.

“Jemi me fat që kemi kaq shumë liqene dhe lumenj, por kjo liri shoqërohet me një përgjegjësi të madhe personale,” tha ai.

Sipas tij, fushatat parandaluese synojnë pikërisht të sensibilizojnë qytetarët për këto sjellje të rrezikshme dhe të dekurajojnë imitimin e tyre.

Ai shton se vendosja e rregullave më të ashpra nuk do ta zgjidhte problemin, pasi sjelljet e rrezikshme mund të zhvendosen në vende edhe më të rrezikshme.

Në fund, Schärer kujton tre këshilla të rëndësishme për këdo që planifikon të notojë:

Njihni kufijtë e aftësive tuaja.

Mos notoni vetëm dhe qëndroni pranë personave të tjerë.

Tregoni kujdes për njerëzit që ndodhen rreth jush.

Këto masa të thjeshta, sipas ekspertëve, mund të shpëtojnë jetë dhe të ulin ndjeshëm numrin e aksidenteve në ujë/ albinfo.ch/