Kosova

Iniciohet shkarkimi i ministres serbe Paunoviq për deklaratat që arsyetuan spastrimin etnik të shqiptarëve

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se është dorëzuar kërkesa zyrtare për shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq.

Sipas Kamberit, iniciativën e kanë ndërmarrë Grupi Parlamentar “Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut” dhe Partia për Veprim Demokratik (PVD), ndërsa asaj i janë bashkuar edhe 47 deputetë të tjerë të opozitës. Në total, kërkesa është nënshkruar nga 53 deputetë dhe i është dorëzuar kryeministrit të Serbisë, Gjuro Macut.

Kamberi theksoi se nga kryeministri kërkohet që, pa vonesë, t’i propozojë Kuvendit Popullor shkarkimin e ministres Paunoviq, pas deklaratave të saj, të cilat  kanë arsyetuar spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve nëntëdhjetë.

Ai vlerësoi se kryeministri mban përgjegjësi politike dhe institucionale për të reaguar, duke dëshmuar se në Qeverinë e Serbisë nuk ka vend për zyrtarë që, sipas tij, mbrojnë idetë e dëbimit të qytetarëve mbi baza etnike dhe promovojnë veprime jashtë ligjit dhe procedurave gjyqësore.

Deputeti shqiptar paralajmëroi se, nëse kryeministri Macut refuzon të propozojë shkarkimin e ministres, ai do të mbajë përgjegjësi për vazhdimin e mandatit të saj dhe për, siç u shpreh Kamberi, normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë.

Kamberi bëri të ditur gjithashtu se iniciativa nuk është mbështetur nga partitë e pakicave nacionale që janë pjesë e qeverisë. Sipas tij, kërkesa për shkarkimin e ministres Paunoviq nuk është përkrahur nga partia boshnjake e udhëhequr nga Usame Zukorliq, partia e Rasim Lajiqit dhe as nga partia hungareze e udhëhequr nga Bálint Pásztor/albinfo.ch/