Lajme

Punojnë që të mund të studiojnë

Ata kanë ardhur për studime, por në të njëjtën kohë u duhet edhe të punojnë. Por, qëllimi i tyre është më i fortë sesa problemet me të cilat ata ballafaqohen: Përfundimi i studimeve, që në një të ardhme të mund t`i kontribuojnë Kosovës

Jeta studentore nuk është aspak e lehtë, sidomos në një shtet të huaj. Përballja me një kulturë tjetër nuk është sfida e vetme. Në fakt, brenga më e madhe e studentëve janë financat. Për të arritur qëllimin e tyre, ngritjen intelektuale, të rinjtë ambiciozë duhet të punojnë, në mënyrë që t`i mbulojnë shpenzimet e tyre mujore.
Por, sipas ligjit për marrëdhënie të punës, si student në Austri, nuk guxon të punosh më shumë se 20 orë në javë, ndonëse shpenzimet mujore arrijnë një kosto goxha të lartë.
Përkundër kësaj, duke parë mundësitë e punësimit që të ofron shteti austriak, disa studentë kosovarë kanë vendosur ta sfidojnë veten në këtë drejtim. Secili nga ta ka për synim përfundimin e shkollimit dhe, në të ardhmen, t`i kontribuojnë Kosovës.

Synimi, përfundimi i studimeve

Drilon Kukaj është student i ekonomisë, në nivelin Bachelor në Vjenë. Ai ka tashmë dy vite që ka ardhur në kryeqytetin austriak dhe për t`i mbuluar shpenzimet e tij, ka nisur punë në një rrjet restorantesh të ushqimeve tradicionale vjeneze.

“Të punosh dhe të studiosh në të njëjtën kohë është një sfidë në vete. Siç dihet, studimet kërkojnë kohë dhe përkushtim maksimal, por edhe puna është përgjegjësi, pasi që kostoja e studimeve këtu është mjaft e lartë. Kështu, ne, në një mënyrë apo tjetrën jemi të detyruar të punojmë që të paktën t`i mbulojmë këto kosto”, thotë Driloni.

Synimi i tij është përfundimi i studimeve në Bachelor dhe pastaj vazhdimi i tyre në Master. Por, të ardhmen e tij, ai e sheh në Kosovë.

Austria njihet si një shtet me të vërtetë i mundësive të mëdha për zhvillim të karrierës së mëtutjeshme. Tregu këtu duket mjaft dhe joshës, që për mua ka rëndësi të madhe, që do të thotë se edhe mundësia për të qëndruar këtu pas mbarimit të studimeve, është mjaft e madhe. Por, qëllimi im është kthimi në Kosovë që në çfarëdo mënyrë të ndihmoj në ndërtimin e shtetit tonë”, shprehet ai.

Drilon Kukaj

Viza e punës nuk është zgjidhje

Për Erblin Lubishtanin, të punosh një punë studentore gjatë studimeve është një gjë më se e kuptueshme. Por, ta shfrytëzosh mundësinë për të ardhur në Austri sa për ta marrë një vizë pune, sipas tij, nuk është zgjidhje.

Studenti nga Grazi, që aktualisht ndjek semestrin e tretë për specializim në “Administrim Biznesi” në Universitetin “Karl Franzens” në këtë qytet, thotë se puna e tij studentore është, thjesht, momentale.

“Mund të them lirisht, se për mua nuk është shumë e vështirë pasi që punoj për vetëm 20-orë në javë, dhe zakonisht punën e bëj gjatë vikendit në mënyrë që gjatë javës të jem i lirë për angazhimet në studime. Në asnjë mënyrë nuk e shoh si zgjidhje të gjej një punë vetëm për të rregulluar qëndrimin tim në Austri, pra për vizë pune. Qëllimi dhe i tërë misioni im është përfundimi i studimeve master”, ka thënë ai.

Erblini thotë se nëse do të kthehet, apo jo në Kosovë, varet nga shumë faktorë të tjerë. “Ende nuk e kam një përgjigje të prerë, pasi që kjo ndikohet nga shumë rrethana dhe faktorë të tjerë. Gjithsesi, po të kem një mundësi që të kontribuoj sado pak për vendin tim, do të kthehem në Kosovë”, thekson ai.

Erblin Lubishtani

Shkollimin në Austri, punën në Kosovë

Belinda Berisha është studente në Universitetin BOKU në Vjenë, në drejtimin “Shkenca të Ushqimit dhe Teknologjisë”. Ajo akoma nuk ka filluar punë, ndonëse këtë pritet ta bëjë në fillim të vitit 2021. Sipas saj, një orar fleksibël do t`i mundësonte që të mbulonte shpenzimet dhe të përfundonte studimet njëkohësisht.

Ndonëse e pranon që Austria ka mundësi të mira punësimi, ajo thekson se do të kthehet në Kosovë posa t`i përfundojë ato.

Jeta në Austri është më e shtrenjtë, bazuar në standardin me të cilin jemi mësuar të jetojmë në Kosovë. Por, nëse gjen një punë të përshtatshme dhe arrin ta menaxhosh kohën si duhet, mund t`ia dalësh. Për momentin unë e kam planifikuar që studimet e mia t`i çoj deri në fund. Jeta në Austri të jep mundësi të mira punësimi pas përfundimit të studimeve, megjithatë unë do të dëshiroja që njohuritë e mia të fituara këtu, të mund t`i ushtroj në një të ardhme në Kosovë”, ka thënë ajo.

Belinda Berisha

Box 1

Driloni

Studimet kërkojnë kohë dhe përkushtim maksimal, por edhe puna është përgjegjësi, pasi që kostoja e studimeve këtu është mjaft e lartë. Kështu, ne jemi të detyruar të punojmë që të paktën t`i mbulojmë këto kosto”.

Box 2 

Erblini

“Në asnjë mënyrë nuk e shoh si zgjidhje të gjej një punë vetëm për të rregulluar qëndrimin tim në Austri, pra për vizë pune. Qëllimi dhe i tërë misioni im është përfundimi i studimeve master”.

 

Box 3

Belinda

Ajo akoma nuk ka filluar punë, ndonëse këtë pritet ta bëjë në fillim të vitit 2021. Sipas saj, një orar fleksibël do t`i mundësonte që të mbulonte shpenzimet dhe të përfundonte studimet njëkohësisht.