Lajme

Pushime të këndshme, bashkatdhetarë!

Revistën albinfo.at mund ta merrni kudo me vete, mund ta lexoni kudo që ndodheni. Nuk ju duhen as bateri, as valë…

Më në fund vera erdhi. Pushimet filluan. Destinacioni kryesor i bashkatdhetarëve tanë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, edhe këtë vit pa dyshim mbetet vendlindja. Kriza e pandemisë, e cila na la larg familjes dhe atdheut për më shumë se një vit, duket se këtë verë do të jetë më e lehtë. Megjithatë, situata e pandemisë ende nuk ka përfunduar. Variantet e reja të viruseve na tregojnë që të jemi sa më shumë të kujdesshëm.

Vaksinohuni para nisjes për në pushime!

Fushata e vaksinimit në vendet e Evropës Perëndimore na mundëson që të jemi mirë të përgatitur para se të nisemi për në pushime. Për dallim nga vendet në fjalë, ku fushata e vaksinimit ka kaluar gjysmën e popullatës, në vendet tona të prejardhjes, e veçanërisht në Kosovë kjo duket ende larg. E vetmja mënyrë për të qenë të sigurt është vaksinimi! Marrja e vaksinës është jo vetëm lehtësim për të kaluar kufijtë por para se gjithash është mbrojtje për veten, për familjen, shoqërinë dhe rrethin tuaj!

Kulturën e përvetësuar në Evropë, ta zbatojmë edhe në atdhe!

Sa herë që vjen koha e pushimeve dhe vlugu i mërgimtarëve në Kosovë, fillon edhe ngacmimi i bashkatdhetarëve. Me gjasë edhe këtë verë nuk do të mungojë. Disa do të na thonë “Schatz-a”, të tjerë “Gërrnaça”. Ka prej atyre që do të na pyesin: “Sa keni me nejt dhe kur keni m’u kthy?”, apo “A ma mirë këtu apo atje?”. Nëse ndonjëri prej nesh do të shkojë me veturë të bukur, mos u befasoni nëse ju thonë: “Veturës po i vjen era kredi”. Këto dhe fraza të tilla tash e disa vite janë bërë të rëndomta për mërgimtarët tanë sa herë që shkelin tokën e Kosovës. Pavarësisht kësaj, kënaquni dhe çmalluni me njerëzit tuaj të dashur. Ndihuni si në shtëpinë tuaj sepse fundja, është shtëpia e juaj, është atdheu i juaj për të cilin kontribuoni gjatë tërë vitit.
Nga ana jonë mbetet të tregohemi të civilizuar. Të mundohemi që kulturën e përvetësuar evropiane ta zbatojmë edhe në vendlindje. Me shtimin e numrit të mërgimtarëve shtohen edhe veturat në rrugët e Kosovës. E me këtë, edhe aksidentet. Kushtet e rrugëve tona nuk përballojnë ngasjen e veturave me shpejtësi të mëdha. Prandaj, të respektojmë rregullat e komunikacionit dhe policinë. Më mirë të vonohemi 10 minuta, se të mungojmë përgjithmonë! Jo çdo herë mund të jemi ne fajtoret e aksidentit. Duhet të kemi kujdes edhe kush na vjen përball.

Albinfo.at, miku juaj i pushimeve

E për fund, redaksia e Albinfo.at ka përgatitur një numër të veçantë për stinën e verës. Magazina albinfo.at është përplot me materiale ekskluzive, të cilat mund t’i lexoni gjatë pushimeve verore. Edhe këtë herë kemi përgatitur tema interesante me bashkatdhetarët tanë në Austri. Personazhe shqiptare të integruar mirë, nga sfera të ndryshme jetësore. Reportazhe për biznese të suksesshme të shqiptarëve në Austri. Gjithashtu nuk mungojnë as tema nga terreni për turizmin në Shqipëri dhe Kosovë.
Revista është falas dhe shpërndahet në të gjitha qytetet në Austri, në vendet që frekuentohen nga shqiptarët: Në Ambasadën e Kosovës dhe të Shqipërisë, shoqata, biznese shqiptare, lokale afariste, agjenci turistike si dhe mund ta gjeni edhe në aeroportin e Prishtinës.
Albinfo.at mund ta merrni kudo me vete, mund ta lexoni kudo që ndodheni. Nuk ju duhen as bateri, as valë…
Me shpresë se edhe kësaj herë kemi arritur t’ ju ofrojmë shkrime të llojllojshme dhe interesante, ne s’na mbetet tjetër, pos t’ ju urojmë: Lexim dhe pushime të këndshme!