Kosova

PZAP anulon vendimin, në përfaqësi diplomatike nuk lejohet votimi me dokumente të skaduara

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili i lejonte mërgimtarët të votojnë në përfaqësi diplomatike edhe me dokumente me afat të skaduar.

Ankesa u parashtrua nga Instituti Demokratik i Kosovës, teksa sipas ankesës, KQZ-ja me vendim ka ndryshuar përmbajtjen e ligjit. 

“Paneli vlerëson se kjo dispozitë është e qartë dhe nuk lejon dualizem në interpretim që do ta barazonte dokumentin e vlefshëm me dokumentin me afat të skaduar. Në këtë rast ligji nuk ka përdorur vetëm termin “dokument identifikimi”, por shprehimisht ka kërkuar “dokumente të vlefshme të identifikimit”. Prandaj, vlefshmëria e dokumentit nuk është vetëm element formal i parëndësishëm, por një kusht ligjor për identifikimin e votuesit në ditën e votimit dhe dhënies se mundësisë për te votuar”, thuhet në vendimin e PZAP-së të publikuar sot, një ditë para votimit në përfaqësi diplomatike, transmeton albinfo.ch.