Lajme

Kalon rreziku: Qendra Federale e Azilit në Bernë heq masat kundër difterisë

Një javë më parë, në këtë qendër ishte diagnostikuar difteria e faringut tek tetë persona. Si rezultat, 175 persona qenë detyruar të futeshin në karantinë

Në Qendrën Federale të Azilit në Bernë janë hequr masat e marra për shkak të shpërthimit të difterisë.

Personat që rezultuan pozitivë janë ende në izolim, por nuk ekziston më rreziku i përhapjes së difterisë, thonë në Departamentin e Shëndetësisë në Bernë, transmeton albinfo.ch.

Një javë më parë, në Qendrën Federale të Azilit u diagnostikua difteria e faringut tek tetë persona. Si rezultat, 175 persona qenë detyruar të futeshin në karantinë.

Siç njoftoi Drejtoria e Shëndetësisë, Sociale dhe Integrimit të Bernës, tashmë është hequr detyrimi për të mbajtur maskë në qendër. Gjithashtu nuk ka më kufizime për dalje.

Karantina në dy katet e prekura ishte hequr tashmë të premten, shkruan srf.ch. Personat që kishin rezultuar pozitivë për difterinë janë ende në izolim. Nga pikëpamja e shërbimit mjekësor të kantonit, megjithatë, nuk ka më asnjë rrezik për një shpërthim të pakontrolluar.

Difteria është zhdukur praktikisht në Zvicër

Disa raste të difterisë qenë diagnostikuar në spitalin e vjetër Ziegler të Bernës të martën dhe të mërkurën e javës së kaluar. Për pasojë, dy kate me gjithsej 175 persona qenë vendosur në karantinë. Banorët e tjerë të qendrës janë vaksinuar kundër difterisë me pëlqimin e tyre.

Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (BAG), nuk ka asnjë rrezik për popullatën. Kjo për shkak se shkalla e vaksinimit kundër difterisë është shumë e lartë. Ashtu si në vendet e tjera të industrializuara, difteria praktikisht është zhdukur në Zvicër. Sipas BAG, rasti i fundit i difterisë së faringut në Zvicër ishte regjistruar në vitin 1983.