Lajme

Qeveria Zvicerane propozon shkurtimin e karantinës në rast të testit negativ

Propozimet për ndryshimin e dy urdhëresave përkatëse që rregullojnë këtë materje, janë duke u konsultuar me kantonet

Pas kontaktit me një person të infektuar me koronavirus, në Zvicër zbatohet një periudhë karantine prej dhjetë ditësh. Por Këshilli Federal tani dëshiron ta shkurtojë kohën e karantinës në shtatë ditë nëse testi për virusin rezulton negativ, shkruan srf.ch.

E njëjta gjë duhet të zbatohet për karantinën e hyrjes (të atyre që vijnë në Zvicër nga jashtë).

Propozimet për ndryshimin e dy urdhëresave përkatëse që rregullojnë këtë materje, janë duke u konsultuar me kantonet, transmeton albinfo.ch.

Në rastin e karantinës pas kontaktit me një person të infektuar, Këshilli Federal ka hedhur tri mundësi për diskutim:

Në hapin e parë, karantina e kontaktit duhet të hiqet nëse një test për virusin rezulton negativ në ditën e shtatë.

Opsioni i dytë parashikon që ata që preken nga virusi të lirohen nga karantina nëse testi del negativ në ditën e parë të masës dhe në ditën e shtatë.

Varianti i tretë kërkon që ata të cilët ndodhen nën masat e karantinës të bëjnë një test negativ në ditën e pestë pas kontaktit të fundit me personin e infektuar në mënyrë që të heqin masën.