Shqipëria

Rama mbron investimet, krahason edhe me vendet evropiane si Austria

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetin social Facebook, duke mbrojtur “Paketën e Maleve” dhe duke theksuar rëndësinë e saj për zhvillimin ekonomik të zonave malore në Shqipëri.

Në reagimin e tij, Rama ngriti pyetjen nëse pronarët e tokave në zonat malore, përfshirë ata me toka të trashëguara, nuk duhet të kenë mundësinë të gëzojnë pronën e tyre duke zhvilluar agroturizëm, ferma apo njësi agropërpunimi.

Sipas tij, problemi i mungesës së certifikatave të pronësisë për shkak të mospranimit të ligjit 7501 ka penguar prej vitesh aksesin në leje ndërtimi, subvencione shtetërore, fonde të BE-së dhe kredi bankare, transmeton albinfo.ch.

Rama argumentoi se “Paketa e Maleve” synon të mbyllë këtë boshllëk ligjor dhe të hapë rrugën për investime, veçanërisht nga emigrantët shqiptarë që duan të kthejnë kursimet e tyre në zhvillim ekonomik në zonat malore.

Ai iu përgjigj edhe kritikave për ndikimin në zonat e mbrojtura, duke theksuar se zhvillimi dhe mbrojtja e natyrës nuk janë të papajtueshme. Sipas tij, ekzistojnë kategori të ndryshme të zonave të mbrojtura dhe modele evropiane, si Austria, tregojnë se turizmi dhe natyra mund të bashkëjetojnë përmes një zhvillimi të kontrolluar dhe cilësor.

Në fund të reagimit të tij, Rama theksoi se Shqipëria duhet të ecë drejt një modeli zhvillimi ku natyra nuk izolohet nga ekonomia, por kthehet në një burim kryesor të rritjes ekonomike dhe turizmit të qëndrueshëm.