Kosova

Raporti i Progresit për Kosovën dhe Malin e Zi: Pak përparim

Dy faktorë kryesorë përmenden në raport: situata e paqëndrueshme politike si pasojë e zgjedhjeve të shpeshta të parakohshme dhe pandemia e Covid-19.

Pak përparime janë bërë në Kosovë në drejtim të reformave që lidhen me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, theksohet në Raportin e Progresit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2021 ishin të administruara mirë, transparente dhe konkurruese, pavarësisht disa mangësive, por forcimi i kuadrit ligjor dhe institucional mbi fushatën zgjedhore dhe financimin e partive politike mbetet një fushë ku duhet të kryhen reforma të thella”, thuhet në raport.

Kosova, të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë

Në Raportin e progresit në pjesën për Kosovën flitet edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Komisioni Evropian i bën thirrje Kosovës që të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshëm me Serbinë”. Sipas Komisionit Evropian, një marrëveshje e tillë me Serbinë është urgjente dhe vendimtare, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugëtimin e tyre evropian.

Përparim i kufizuar në luftën kundër korrupsionit

Për sistemin e drejtësisë në Kosovë raporti thekson se reformimi vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefikas dhe i cenueshëm nga ndikimi politik. “Kosova ka bërë përparim të kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por duhet shtuar përpjekjet për hetime më aktive, vendime përfundimtare gjyqësore dhe konfiskim përfundimtar të pasurive të paligjshme”.

Në raport theksohet qartë se “Kosova ka bërë përparim në luftën kundër terrorizmit”, posaçërisht në lidhje me rehabilitimin dhe ri-integrimin e familjarëve të luftëtarëve terroristë që morën pjesë në luftërat në Lindjen e Mesme”.

Si edhe në vitet e mëparshme, prej vitit 2018, në raportin e Progresit të Komisionit Evropian përmendet që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por, një gjë e tillë akoma nuk po ndodh. Kosova është i vetmi vend në Evropë që ka kufizim të lirisë së lëvizjes në zonën Shengen.

Po ashtu, Komisioni i Bashkimit Europian në progresraportin 2021 shpreh shqetësim lidhur me tensionet politike në Mal të Zi. Mosmarrëveshtjet politike ngadalësojnë reformat, theksohet nga Brukseli.

Shefja e delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Cristina-Popa, i dorëzoi presidentit Millo Gjukanoviq raportin vjetor  të progresit të Komisionit të Bashkimit Evropian.

Në Raport vend kyç zenë tensionet  dhe mosbesimi ndërmjet  aktorëve politikë. Komisionit Evropian (KE) thotë se polarizimi ndërmjet shumicës dhe opozitës ka qenë i pranishëm gjatë tërë vitit 2020 dhe është intesifikuar më shumë pas zgjedhjeve. Mungesa e angazhimit  konstruktiv të të gjithë  aktorëve  parlamentarë, ka  penguar që të ketë dialog politik, duke e polarizuar edhe më tej spektrin politik. Po ashtu në raport  përmendet dhe  bojkotimi i seancave parlametare nga ana e deputetëve të shumicës gjatë këtij viti.

Shefja e delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Cristina-Popa, në një konferencë me gazetarë tha: “Parlamenti duhet të përfshihet në një dialog transparent, vendimtar dhe gjithëpërfshirës si dhe të finalizojë pa vonesë emërimet gjyqësore dhe parlamenti duhet të dëshmojë se është i përkushtuar  në agjendën e reformave evropiane”. Ajo më tej duke iu referuar raportit nënvizoi se ”Mali i Zi ka bërë pak përparim në luftën kundër korrupsionit që është i pranishëm në shumë fusha dhe krimit të organizuar dhe se në reformat kyçe të gjyqësorit nuk është shënuar përparim”. Raporti po ashtu flet edhe për  kontrabandën e cigareve dhe larjen e parave të pista.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI