Kosova

Rasti “Pronto”, deklarohen të pafajshëm Grabovci e të tjerët

Ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, si dhe 9 të akuzuarit e tjerë në rastin “Pronto” janë deklaruar të pafajshëm.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, ku janë të akuzuar, nuk është bërë leximi i aktakuzës, pasi një gjë e tillë u konsiderua e panevojshme nga të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, pavarësisht insistimit të prokurores Drita Hajdari.

I akuzuari Xhavit Dakaj ka thënë se s’ka nevojë t’i lexohet aktakuza, duke kërkuar sqarim nga prokurorja Drita Hajdari pse ai gjendet në këtë aktakuzë, kur sipas tij, ai nuk ka qenë fare në intervistë te prokurorja, përcjell albinfo.ch.

Por, gjykatësi i rastit, Shashivar Hoti, ka thënë se në këtë fazë nuk është koha të kërkohen sqarime pse është ngritur aktakuza, pasi sipas tij, është shqyrtimi fillestar.

Prokurorja speciale, Drita Hajdari, ka thënë se është palë në procedurë dhe ka të drejtën e saj që të lexojë aktakuzën. Pasi që gjykatësi Hoti ka deklaruar se palët e kanë marrë me kohë aktakuzën, e njëjta është konsideruar e lexuar. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshëm personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme. Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar për datën 21 dhjetor.