Kosova

Reagon Mustafa pas rrëzimit të Qeverisë

Kryetari i LDK-së ka reaguar, pasi është votuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se mocioni për rrëzimin e Qeverisë Kurti ishte i pritshëm shkaku i mospajtimeve ndërmjet LDK-së dhe VV-së.

Në një intervistë për T7, Mustafa ka deklaruar se LDK nuk do të bëjë koalicion me PDK-në, përcjell albinfo.ch.

“Ne e kemi vendimin e prerë të Këshillit të Përgjithshëm, i cili thotë se ne nuk do të bëjmë koalicion me Partinë Demokratike, dhe ashtu do të veprojmë. Megjithatë, ne do të bisedojmë sërish me Vetëvendosjen për një koalicion më të gjërë, ku do të mund të ishin edhe AAK-ja, edhe Nisma”, ka deklaruar Mustafa.

Megjithatë, Mustafa ka deklaruar se LDK-ja nuk do të pranojë të bëjë koalicion të mundshëm me njerëz që kanë të kaluar të dyshimtë në institucionet shtetërore.