Opinione

Represioni i shtuar dhe segregacioni i thelluar do të ishin kundërproduktive*

Sulmi i përgjakshëm në Bruksel, kryeqyteti më shumë se i Belgjikës i Bashkimit Evropian, nxori edhe njëherë në pah gjendjen e nderë në të cilën ndodhet kontinenti ynë i futur në mënyrë indirekte në luftë, fillimit të së cilës nuk i kontribuoi ushtarakisht, por shpërthimin e së cilës e përcolli me indeolencë dhe pa preokupim sikur e tëra të ndodhte në një planet tjetër e jo në një kontinent fqinjë. Se vala e refugjatëve do t’i godiste rëndë vendet e Evropës Perëndimore ka qenë paraprakisht e qartë dhe atë edhe për vrojtuesit më të thjeshtë e lëre më për ekspertët e sigurisë dhe për burrështetasit. Se vendet e Evropës Perëndimore për shkak të prezencës së një numri të madh të pjesëtarëve të besimit mysliman, të cilët konfliktet në vendet e tyre nuk do t’i sodisnin të papreokupuar dhe të pandikuar, ka qenë poashtu praprakisht e qartë. Veç kësaj, për të gjitha këto vende ka qenë e ditur se një pjesë e konsiderueshme e të rinjve të këtij besimi nuk janë të integruar apo procesi i integrimit të tyre (nëse ka filluar ndonjëherë) ka dështuar. Pjesëtarë të tillë të shoqërisë kanë rënë lehtë pre e propagandave luftënxitëse me mëlmesa fetare. (Keq)Përdorimi i komunikimit masiv përmes rrjeteve sociale është një tjetër aleat i terroristëve në rekrutimin e të rinjve të paintergruar në shoqëritë e Evropës Perëndimore, të cilët, kështu, për herë të parë u ndien të vlefshëm dhe të vlerësuar nga dikush.

Prandaj, edhe përkundër plojës së gjakut në Paris e në Bruksel, represioni i shtuar dhe segregacioni i thelluar ndaj pjesëtarëve të besimit mysliman të vendeve evropiane, përfshirë edhe Zvicren, jo se nuk do të ndihmojnë, por do t’i krijojnë terren të plleshëm rekrutimi organizatave terroriste me petk religjioz.

Prandaj, në vend se shtim urrejtje dhe represioni, hartim planesh për integrimin e njëmendtë të të rinjve me prejardhje të huaj, si plan afatmesëm dhe afatgjatë të shoqërive shumetnike të Evropës Perëndimore. Në vend se kërcënime në distancë të burrështetasve të vendeve të gjakosura nga terrorizmi, shtim i masave të sigurisë në vendet publike me frekuentim të lartë, shtim i kontrollit, qoftë edhe i përgjimeve, duke aborguar kështu përkohësisht, por nën kontrollin e rreptë të komisioneve parlamentare, edhe detyrimin e moscenimit të sferës private.

Indolencën e manifestuar për decenie me radhë të qeverive të tyre po e paguajnë banorët e pafajshëm të vendeve.evroperëndimore. Viktimë e dyfishtë e terrorit dhe e urrejtjes si pasojë e këtij terrori janë padyshim pjesëtarët e moderuar dhe të matur të besimit mysliman- banorë të përhershëm të këtyre vendeve.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i luftës së njëmendtë kundër terrorizmit do të ishte sinqeriteti i aleancave ndërkombëtare të krijuara (nominalisht) për luftë kundër terrorizmit. Aleanca e tashme duket shumë hileqare. Alencë kaq hileqare ishte vetëm aleanca e vendeve ballkanike në kohën e Luftrave Ballkanike. Në luftën e tyre të deklaruar si antiterroriste shpesh më shumë luftohen caqet e tjera, siç janë kurdët apo opozita antiasadiste, sesa që luftohet objektivi i deklaruar.

Dhembja e familjarëve që humbën të dashurit e tyre nuk duron teoretizime. Pasiguria dhe ankthi i qytetarëve kërkon veprim. Qeveritë duhet ta kuptojnë këtë dhe ta bëjnë punën e tyre.

Brukseli fatkeqësisht s’do të mbetet i fundit, siç nuk mbeti i tillë as Parisi!

Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.