Feja

„Respekti dhe kujdesi janë vendimtarë”

Hisham Maizar është kryetar i Këshillit Zviceran të Religjioneve. Si e vlerëson besimtari mysliman frikën në rritje nga islami? Një bisedë mbi integrimin, mbi karikaturat për Muhamedin dhe ekstremizmim.

Hisham Maizar, çka menduat kur dëgjuat për sulmin ndaj magazinës satirike „Charlie Hebdo” të Parisit?

Më kaploi zemërimi. Pyeta veten se si myslimanët janë ata që sërish rrokin armët dh vrasin të pafajshmit – dhe atë sërish për shkak të vizatimeve satirike. Ka mundur të argumentohet me fjalë. Nëse vret njerëz nuk e rehabiliton profetin. Krejt ajo që arrijnë atentatorët është të forcojnë bindjen për myslimanët si „ boshti i së keqes ”, që ta vërtetojnë imazhin mbi islamin si një religjion gjakatar. Kjo është pikëlluese.

Si i konsideroni karikaturat për Muhamedin?

I konsideroj problematike. Karikaturat nxirëse për besimtarët myslimanë janë faktikisht një vijë e kuqe. Islami ndalon pasqyrimin e Muhamedit; profeti konsiderohet si i paprekshëm. Unë jam shumë për atë që problemet rreth islamit të diskutohen, por një fyerje paraprake e figurës drejtuese të tij nuk është bazë e arsyeshme. Kjo zgjon ndjenja negative. Mua më ka pëlqyer mënyra e argumentimit të kryeredaktorit të “Tages – Anzeiger”, Res Strehle. Ai theksonte se liria lidhet edhe me përgjegjësinë dhe se gazeta e tij nuk do t’i botojë karikaturat, sepse ai ato nuk i konsideron as të mira dhe as konstruktive. Kjo është shumë e përgjegshme.

Shkurt dhe qartë: për Ju karikaturat e Muhamedit nuk shkojnë?

Jo, sepse ato nuk e arrijnë atë që do të duhej ta arrijë një karikaturë. Ç’është e vërteta, karikatura duhet të të shtyjë të mendosh. Në vend të kësaj karikaturat për Muhemedin zgjojnë emocione negative.

A nuk ka në botën myslimane njerëz qe tërë këtë e shohin më me pak sekëlldi?

Natyrisht se ka shumë myslimanë joreligjiozë apo të tillë që vetëm përkah prejardhja janë myslimanë. Por religjiozët do të kenë vetëm ndjenja negative.

A ndodh kjo edhe për shkak të faktit se islami përkundër krishterimit asnjëherë nuk është ballafaquar me fazën e tij të rishqyrtimit?

Por Ju jeni i vetëdijshëm për atë se sa ka zgjatur kjo fazë në Evropë, apo jo? Reagimet jo të sekëlldishme ndaj satirës religjioze ndodhin në fund të këtij zhvillimi e jo në fillim të tij.

A mund të merret me mend një proces që çon drejt rishqyrtimit të islamit ?

Po, por jo me karikatura, por me argumente. Rrymime reformuese ekzistojnë që nga fillimi i shekullit të fundit, por ato nuk e kanë të lehtë. Ju nuk guxoni të harroni se bota islame qe 100 vjet – që nga fundi i Perandorisë Osmane – ndodhet në transformim. Që nga atëherë ekziston laicizmi (një koncept botëror, që kërkon ndarjen e shtetit nga religjioni – vërejtje e redaksisë) në Turqi dhe një lloj sekularizmi në shtetet e tjera. Por, veç kësaj, ekzistojnë edhe drejtime konservative, të cilat pjesërisht janë në pushtet si në Arabinë Saudite, e pjesërisht të zëshme në popullsi. Por, unë mendoj se ka potencial të madh për logjikë dhe arsye.

A shpresoni për këtë ?

Absolutisht. Islami ka dëshmuar në kohët e kaluara se nuk është i prapambetur. Ai është përhapur në shumë shtete kulturore dhe aty ka sunduar në mënyrë tolerante. Sot pothuajse s’ka vend mysliman ku nuk ka trazira. Dhe këtë e shkakton në masë të konsiderueshme edhe një ballafaqim i mençur, me kokë të ftohtë me religjionin.

A ju ngarkon imazhi negativ i islamit ?

Shumë. Por e rëndësishme është se ne po punojmë në drejtim të pëmirësimit të tij. Por për të arritur diç, atë duhet bërë në mënyrë të kujdesshme. Respekti dhe kujdesi janë vendimtare. Dhe këtu nuk ndihmojnë as kaloshnikovët e as karikaturat për Muhamedin.

Ju jeni kryetar i Këshillit të Religjioneve për të cilin në kohët e fundit mezi se dëgjohet diç në publik. Pse ?

Këshilli ekziston që nga viti 2006 dhe ne takohemi katër herë në vit, sepse ne kemi edhe shumë obligime të tjera. Ka ndodhur që një përfaqësues të marrë pjesë në disa mbledhje. Dhe ne shprehemi publikisht vetëm kur arrijmë të kemi qëndrim unik rreth një çështjeje. Gjendjen na e rëndon fakti se në radhët tona një kohë nuk kemi pasur pjesëtare të gjinisë femërore. Shumë kohë kemi kaluar për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje. Tash në këshill kemi eksperte nga secila bashkësi religjioze. Por që nga koha kur unë mora kryesinë e Këshillit, fokusi i interesimit të tij janë çështjet interne.

Aty do të duhej të ketë shumëçka për t’u komentuar, apo jo?

Gjithsesi. Këtë vit do të merremi edhe më shumë me to. Këshilli dëshiron ta ruajë paqen ndërreligjioze në vend. Dhe bashkësitë e veçanta janë prononcuar për ngjarjet më të rëndësishme, si për synetinë e djemve, ndjekjen e të krishterëve, sulmeve të IS-it apo edhe për atentatin „ Charlie Hebdo ”.

Pas shumicës së sulmeve terroriste të viteve të fundit në Evropë qëndrojnë myslimanët. Pse është pikërisht islami kaq i dhunshëm ?

Që kur ekzistojnë religjionet nuk ka paqe mes tyre. Në të tri religjionet monoteiste ka thirrje për dhunë, si në Tora, ashtu edhe në Testamentin e Vjetër. Vetëm kur religjionet shkojnë në drejtim të filozofisë dhe të mendimit të lirë, atëherë ka më shumë paqe. Prapa akteve terroriste qëndrojnë ekstremistët. Dhe ata krijohen nga pakënaqësia. Ndoshta jetojnë në varfëri apo janë të shtypur. Ky është terren i përshtatshëm i radikalizmit.

Si e vlerësoni situatën e myslimanëve në Zvicër?

Të komplikuar. Ata janë të shpërndarë në mbi 300 shoqata dhe organizata, të vogla dhe të mëdha, për gra dhe fëmijë, shiitë dhe sunitë – të gjithë të fokusuar në mënyra të ndryshme, sepse të gjithë kanë ardhur këtu me një sfond tjetër. Do të ndihmonte shumë sikur të gjithë të silleshin në një bazë të përbashkët, në një bazë të përbashkët etike prej nga do ta zhvillonin islamin. Natyrisht se nuk ndihmon ajo që shumë të rinj e kanë të vështirë të gjejnë një lidhje mes tyre dhe asaj që rrëfejnë imamët. Aty mbretëron pakuptimësi e madhe e ndërsjellë.

Pse nuk i bashkojnë myslimanët më shumë forcat e tyre?

Ky do të duhej të ishte qëllimi. Por të menduarit etnik ende luan një rol të madh. Çdo grup popullor, çdo komb ka xhamitë e veta, shoqatën e vet. Ideale do të ishte një xhami e madhe për të gjithë, transparente, e hapur.

A ndihen nyslimanët mirë këtu? Të integruar?

Sipas një raporti aktual të Këshillit Federal 98 përqind e të gjithë myslimanëve janë mirë të integruar. Radikalët përbëjnë vtëm diku pak më shumë se 1 përqind. Por, edhe përkundër kësaj, 50 deri 58 përqind e zviceranëve nuk e duan islamin dhe myslimanët, siç është bërë e ditur para pak kohe në një hulumtim të Bertelsmann. Ky është realiteti.

Çka duhet të bëjnë myslimanët që të hasin në një pranim më të gjerë?

Ç’është e vërteta, deri në fillim të viteve 90-ta ishte çdo gjë në rregull. Deri atëherë kishte pak myslimanë këtu dhe shumica prej tyre vinin nga kushte dhe rrethana modeste. Ata thjesht bënin punën e tyre dhe nuk binin në sy. Pastaj numri i tyre u rrit si pasojë e luftërave në Ballkan; Zvicra pësoi një invazion të myslimanëve, të cilët vinin me tradita dhe zakone krejt të ndryshme. Aty filloi sekëlldia. Sot myslimanët mirë të integruar dhe të moderuar duhet të paraqiten shumë më hapur dhe në mënyrë më ofensive ashtu që zvicearanët të mund të shohin se sa shumë prej tyre ekzistojnë dhe se nuk ka arsye që të ketë drojë prej tyre.

Duket se Zvicra ka pasur sukses të jashtëzakoshëm me integrimin e 98%. Si ka ardhur deri te kjo?

Kjo është vërtet mirë sidomos kur krhasohet me Anglinë dhe me Francën. Aty jetojnë myslimanë, të cilët në aspektin kulturor janë shumë më larg sesa ata që jetojnë në Zvicër. Veç kësaj, atje ka lagje në të cilat banojnë vetëm iranianë apo pakistanezë, pra geto të vërteta. Aty rritet një gjeneratë e tërë pa kurrfarë perspektive. Gjitha këto gabime Zvicra i ka evituar. Shpërndarja dhe përzierja e myslimanëve në tërë vendin ishte e shkëlqyeshme. Këtu nuk ka kuarte etnike.

Por edhe përkundër kësaj ekziston frika nga myslimanët. Pasojë e kësaj ishte edhe ndalimi i minareve. Si e konsideroni Ju këtë?

Kjo ishte para së gjithash çështje politike. Iniciatorët i konsideronin minaretë simbole të forcës dhe kësaj deshën t’ia vëjnë llozin – sikur të kishte në çdo xhami një shkollë ekstreme kuranore. Por është thjesht kështu: nëse në Afganistan kollitet një taliban duhet të japë sqarime se pse e bën këtë dhe të distancohem prej tij. Por, megjithatë, është interesant se përveç ca grupeve ekstreme s’ka myslimanë të cilët në rrugë dhe në sheshe përpiqen t’i konvertojnë të tjerët. Të krishterët e të gjitha llojeve e bëjnë këtë rregullisht.

Çka ka ngjallur ndalesa e minareve te myslimanët?

Këtu jo shumë. Populli vendosi kështu dhe kjo respektohet. Në vendet e tjera shkaktoi dëme të mëdha. Sidomos në vendet pa perspektivë për të rinjtë si në Egjipt apo Pakistan, ku u krijua bindja se Zvicra është një vend armiqësor ndaj myslimanëve. Ata pyesin : pse na urrejnë njerëzit atje ? Edhe ky është një terren që ushqen radikalizmin.

A e kuptoni frikën e zviceranëve nga islami?

Kur i pyes se a e njohin islamin më përgjigjen me „ jo”. Dhe kur ju ofroj ndihmë për ta hequr frikën thonë „Ju e keni zotin tuaj, me kemi tonin”. Rrjedhimi: Hutat sillen në formë të politikanëve dhe i shfrytëzojnë këto frikëra, si tash PEGIDA në Gjermani.

Por a nuk është e kuptueshme që pas gjitha këtyre sulmeve terroriste të ketë frikë nga islami ?

Sigurisht. Njerëzit i karakterizon ajo që dëgjojnë dhe ajo që shohin. Por a nuk është interesante se fisi nomad i saraqenëve ishte në Zvicër që rreth vitit 1000? Almagell, për shembull, është një emër arab. Pra ekziston një traditë e gjatë e islamit në Zvicër. Ç’është e vërteta, në Zvicër jetojnë rreth 300 000 myslimanë – një pakicë sikur retoromanët, dhe pyetja është si të integrohen ata.

A dëshironi që myslimanët të njihen ashtu siç njihet një kishë e vendit?

Ne kemi kërkuar një ekspertizë në Universitetin e Luzern-it mbi mundësinë e trajtimit të barabartë të myslimanëve nga shteti. Nëse myslimanët i bëjnë detyrat e tyre të shtëpisë, do me thënë nëse njohin shtetin dhe ligjet e tij, komuna do të mundë të parqesë kërkesën në kanton; njohja pastaj është çështje e kantoneve.

A parashihet një kërkesë e tillë?

Në Basel dhe në Kantonin Waadt kjo do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Tashpërtash për këtë po diskutohet edhe në Chur.

A do të ndryshonte kjo diç për myslimanët?

Po, sepse deri tash na janë vënë shpesh pengesa me rastin e kujdesit përshpirtënor në spitale dhe në burgje. Aty gjithmonë na thonin: ju nuk jeni zyrtarisht të njohur. Myslimanët kërkojnë trajtim të barabartë, të ngjashëm si edhe religjionet dhe konfesionet e tjera të vendit. Pikërisht në këto fusha myslimanët mund të japin kontribute pozitive dhe të ndikojnë në shtensionim. Bashkarisht përmes takimeve dhe bisedave mund të arrihet shumë.

Federata është duke analizuar mundësinë e futjes së një hot-linje për xhihadin. A e përshëndesni këtë?

Shumë. Unë jam vetë për atë që të lansohet diç e tillë dhe të kyçen prindërit, mësuesit dhe psikiatrit, me qëllim të nxjerrjes së ekstremeve nga sferat ku ata vegjetojnë. Unë shpresoj se këtë do të mund ta hapim brenda këtij viti pasi që problemet janë akute.

Ju keni rrënjë palestineze. Çka keni të përbashkët me kryetarin e mëparshëm të Këshillit, Herbert Winter, kryetarin e Lidhjes Izraalito-Zvicerane?

Ne tërheqim litarin në të njëjtin kah. Qëllimet tona janë të qarta: ne dëshirojmë të pajtojmë, të përmirësojmë dhe të ruajmë. Kjo është një e mirë e madhe. Për këtë arsye, ne anëtarët e Këshillit Zviceran të Religjioneve jemi edhe palë konsultuese për Federatën. Ne, po ashtu, takohemi çdo vit me një anëtar të Këshillit Federal.

Ku përfundojnë të përbashktat?

Secili ka besimin e vet. Por ne mund të kuptohemi edhe përtej këtyre kufijve. Gjatë ramazanit u ftova në Gjenevë nga një bashkësi hebreje në Gjenevë. Ata më pyetën se a dëshiroj të ha ushqim vegjetarian. Unë u përgjigja se do të ha pak më vonë, me çka rabini dëshironte të dinte se a agjëroj apo jo. Pasi e pohova këtë më tha: “respekt”.

Ndryshe, duket e thjeshtë që njerëzit e religjioneve të ndryshme të nxiten kundër njëri – tjetrit. Pse?

Politikanët dhe fanatikët i shfrytëzojnë dallimet në dukje dhe ato reale për të nxjerrë kapital nga kjo. Këtu bile edhe vetë Jesui gëzon respekt edhe në islam.

Pse nuk po kthehet paqja në atdheun e Juaj të parë? Çka ju sugjeroni arabëve dhe palestinezëve?

T’i heqin paragjykimet e tyre: hebrenjtë dhe arabët janë semitë. Ne jemi me shekuj të lidhur ngushtë në aspektin religjioz, historik dhe kulturor. Në historinë e Profetit Musa, përshembull, ne besojmë si edhe hebrenjtë, të cilët zatën kanë poashtu një zot të vetëm. Por sot vendin qendror e zënë të mirat materiale: izraelitët thonë se ata e kanë marrë tokën si dhuratë nga zoti, kurse arabët se kanë qenë të parët e tyre ata që kanë jetuar në këtë tokë.

Por nëse të dy palët këmbëngulin në qëndrimet e tyre s’do të ketë asnjëherë zgjidhje për Jerusalemin?

Të gjitha bashkësitë fetare duhet të kenë aty të drejtën për ekzistencë. Po ta pranonin të gjithë këtë, do të kishte paqe mes religjioneve. Dhe pastaj do të duhej të koncentroheshim në të përbashktën. Por përderisa të mos ketë paqe në vendet islame, kjo do të jetë gjithnjë e më e vështirë. Të gjithë e duam të njëjtin Zot. Vetëm rrugët për tek Ai janë të ndryshme.

Ju jeni 73 vjeçar. Edhe sa dëshironi të punoni?

Si mjek jam pensionuar në fund të vitit 2010. Por në fushë të dialogut interreligjioz dua të punoj edhe më tej për aq sa këtë të mund ta përballoj psikikisht dhe fizikisht.

Ju keni tre fëmijë. Çka do të thonit po të deklarohej vajza Juaj ateiste përshembull?

Do ta pranoja. Do të më gëzonte të flisja me të për këtë çështje. Ndoshta do të më bindte të bëhesha edhe unë ateist (qesh). Fëmijët e mi janë rritur me një baba mysliman dhe me një nënë mjaft katolike. Ata respektojnë të dy religjionet dhe kanë gjetur rrugën e vet tek Zoti. Ata janë shembulli më i mirë i paqes religjioze.

Hisham Maizar (73) është që nga viti 2014 kryetar i Këshillit të Religjioneve. Këshilli është krijuar më 2006 dhe përbëhet nga përfaqësuesit e kishave katolike, të Lidhjes izraelite dhe të organizatave islamike. Maizar është rritur në qytetin e vjetër të Jerusalemit dhe ushtron njëkohësisht edhe funksionin e kryetarit të Federatës Islame të Zvicrës. Deri në pension ka punuar si mjek. Jeton si i ve në St. Gallen; ka dy djem dhe një vajzë. Bashkëshortja e tij ishte katolike dhe vinte nga Zillertal.

Migros – Magazin; përkthimi: Nexhmedin Gerguri

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI