Portrete të firmave

Restorant “Pinochio”: Mikpritja shqiptare dhe cilësia zvicerane

Naim Maksuti është pronar dhe menaxher i restorantit “Pinochio” në Langenthal, me 11 të punësuar

Langenthal-i, një qytet simpatik me mbi 15 mijë banorë, shtrihet në rajonin  Oberaargau në Kantonin e Bernës. Ndryshe, njihet edhe si qendër edukative, kulturore dhe ekonomike e këtij rajoni.

Si pjesë tashmë e pandarë e këtij qyteti, janë edhe shumë shqiptarë nga vise të ndryshme, që fillimisht kishin gjetur punë apo edhe strehim në këtë qytet, dhe pastaj kishin vendosur të merrnin edhe familjet e tyre për të jetuar në Zvicër.

I ardhur ne Zvicër në vitet e `90-ta, atëbotë si 6-vjeçar, Naim Maksuti, menjëherë kishte filluar shkollimin e obligueshëm fillor. Pasi që nëna dhe e motra kishin gjetur punë në një restorant lokal, ndonjëherë gjatë pushimeve shkollore, edhe ai u bashkëngjitet familjarëve, duke punuar aty, një praktikë kjo e zakonshme në Zvicër.

Kjo ishte edhe përvoja e parë e Naimit me botën e gastronomisë. Duke qenë të familjarizuar tashmë, pronarët e lokalit, pas mbarimit të shkollimit, i ofrojnë Naimit një kontratë pune në restorant, përderisa i mundësohet që të ndjekë edhe disa kurse për Pizzaman, kuptohet, në një restorant italian, duhet të dish të bësh pica.

Pajisja me diplomë për këtë që tashmë njihej si zanat i ri në Zvicër, pra si Pizzaman, atij i hapi edhe rrugë dhe oferta të reja pune, për çfarë dhe ndërroi shumë shpesh ambient. Kishte punuar në restorante të ndryshme, të mirënjohura në Kantonin e Bernës.

Udhëhiqte 40 punëtorë

Por një ndër përvojat më mbresëlënëse ishte pa dyshim bashkëpunimi me Pizzamenin e famshëm Faton Krasniqi, prej të cilit mësoi shumë, e që dikur edhe u bënë kundërshtarë në përgatitjen e picave, ku fituesit shpesh silleshin në mesin e këtyre dyve.

Edhe pse pati një shkëputje për pak kohë nga gastronomia, në vitin 2015 merr një vendim për një kthim të madh, duke marrë në duar të tij restorantin “Pintli”, që gjendej në periferi të Langenthalit. “Pintli”-n, që për shumë kë mund të tingëllonte si një dështim, Naimi, me punën dhe përkushtimin e tij, arriti që brenda dy vitesh këtë restorant ta fusë në hartën e lokaleve të preferuara të banorëve të këtij rajoni.

“Çelësi i suksesit të një restoranti është një bashkëdyzim i kuzhinës, me mikpritjen nga personeli, pra 50 me 50”, deklaron Naim Maksuti, përderisa kur bëhet fjalë për mikpritjen, ai thotë me mburrje se ky tipar i fuqishëm shqiptar, pra mikpritja, ka bërë që të ketë suksesin që ka sot.

Puna e tij në “Pintli” bëri që shumë restorante në rajon të interesohen për shërbimet e Naimit. Një ofertë tunduese të cilën e pranoi ishte edhe ajo nga Kompleksi Bösiger, një lokal i famshëm i zonës, ku për gati 1 vit ushtroi funksionin e menaxherit kryesor në të cilin udhëhiqte afër 40 punëtorë.

Kthimi tek “dashuria e parë”, restoranti “Pinochio”

Arsyet personale, si dhe një ambicie tjetër, e shtynë atë të braktisë Bösiger-in. Kthehet aty ku gjithçka kishte filluar për të, në lokalin kur dikur punonte si fëmijë. I gjendur në një moshë para pensioni, pronari i restorantit “Pinochio” në Langenthal, vendos t’ia kalojë përgjegjësitë një djaloshi që dikur kishte punuar si një ndihmës i thjeshtë, e që tashmë ishte dëshmuar si një gastronom mjaft i suksesshëm.

Së bashku me Lutfi Buzakin, apo siç e quan ai, krahun e tij të djathtë, tashmë menaxhon edhe është pronar i restorantit “Pinochio”, ku kanë 11 të punësuar,  me një kapacitet deri në 140 persona.

Përkatësia e tij shqiptare nuk ka qenë asnjëherë si shkas për ndonjë paragjykim apo diç të ngjashme, e pasqyra më e mirë është klientela e tij me mbi 90 % zviceranë.

Duke qenë se ka gati 30 vjet në këtë rajon, Naimin e gëzon fakti, se banorët me prejardhje shqiptare, kanë filluar me kohë ti frekuentojnë edhe lokale, pra të thyhet ajo tradita e ngrënies vetëm në shtëpi. Kjo, sipas tij, tregon se kemi të bëjmë me ndërrim gjeneratash, e po ashtu edhe me integrim në mënyrën e jetës në Zvicër.

Sponsor klubesh sportive zvicerane dhe shqiptare

Por suksesin e tij jo gjithmonë e mban për vete, atë ai e ndan edhe me të gjithë ata që i trokasin në derë për ndihmë. Njihet si ndër sponsorët zyrtarë të Klubit të hokejit “SC Langenthal”, që garon në nivele të larta të këtij sporti shumë popullor në Zvicër, apo edhe të klubit futbollistik shqiptar “KF Shqiponja”, nga po ky qytet, ku shtron drekë para çdo loje për lojtarët dhe stafin e këtij klubi.