Maqedonia

Rikthehen linjat e ndërprera ajrore në aeroportin e Shkupit

Me orarin veror të fluturimeve kthehen shumica e linjave ajrore që ishin ndërprerë në vitin 2020 me mbylljen e aeroportit në Shkup. Bëhet fjalë për një numër të madh të linjave të aviokompanisë Vizer, si dhe rutës Shkup-Varshavë të aviokompanisë polake LOT.

Janë paralajmëruar edhe fluturime çarter nga Shkupi deri në Antali të Turqisë për periudhën nga maji deri në tetor nga pesë aviokompani. Paralajmërimet e këtilla pritet të rrisin numrin e udhëtarëve, që, si edhe vitin e kaluar pas fillimit të pandemisë, ashtu edhe në dy muajt e parë të këtij viti shënon rënie prej 70 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, zhvillimi i mëtejshëm i komunikacionit ajror do të varet nga vendimet e qeverive në lidhje me pandeminë e covidit.

“Numri i linjave ajrore që fluturojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit në kuadër të orarit të veror të fluturimeve për vitin 2021, mbetet pothuajse i njëjtë. Në orarin dimëror të fluturimeve kemi pasur 10 aviokompani që fluturonin nga aeroporti i Shkupit, edhe atë: Er Serbia, Ejxhian erlajns, Austrian erlajns, Edelvajs, Çer erlajns, Kroacia erlajns, Pegasus erlajns, Turkish erlajns, Vindrouz erlajns dhe Vizer, raporton Koha.mk, përcjell Albinfo.ch.

Tani, në orarin veror të fluturimeve, që fillon nga fundi i marsit deri në fund të tetorit, do të kemi edhe një aviokompani, e kjo është LOT-i polak. Ata paralajmëruan se do të kthehen në tregun e Maqedonisë me fluturimet në relacionin Shkup-Varshavë, nga qershori deri në tetor, që u ndërprenë nga fillimi i pandemisë në vitin 2020, dekaluan për MIA-n nga TAV Maqedoni, koncesionar në aeroporteve në shtet.

Numri i destinacioneve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit në orarin dimëror të fluturimeve ishte 22, ndërsa tani aviokompanitë kanë paralajmëruar gjithsej 41 destinacione të rregullta, gjë që, sipas TAV-it, do të thotë se tani janë duke u kthyer shumica e linjave që ishin ndërprerë në vitin 2020 me mbylljen e aeroportit. Krahas linjave/destinacioneve të rregullta ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, pesë aviokompani të ndryshme kanë paralajmëruar fluturime çarter nga Shkupi deri në Antalia në Turqi, duke filluar nga maji deri në tetor. Këto janë Turkish erlajns, Pegasus erlajns, Korendon erlajns, San Ekspres dhe Fribërd erlajns.

Megjithatë, bëjnë të ditur nga TAV Maqedonia, për shkak të mjedisit tejet të pasigurt të biznesit në avioindustrinë, që është rezultat i ndryshimeve të shpejta në politikat e vendeve të ndryshme për hyrje në në territorin e tyre, e që bëhen për shkak të Kovid-19, presim ndryshime të mundshme në frekuencat e fluturimit të destinacioneve të paralajmëruara, si dhe anulime të mundshme të disa prej destinacioneve të paralajmëruara nga Aeroporti i Shkupit, ashtu siç ndodhi vitin e kaluar.

Për shkak të kësaj, ata u bëjnë thirrje të gjithë udhëtarëve që rregullisht të kontrollojnë me aviokompaninë e tyre ajrore, nëse është bërë ndonjë ndryshim i orarit të fluturimit në lidhje me një destinacion të caktuar nga Aeroporti i Shkupit, dhe ta bëjnë këtë madje edhe pasi t’i kenë blerë aviobiletat, deri në momentin e udhëtimit të tyre.

Lidhur me rikthimin e destinacioneve të reduktuara, siç bëjnë të ditur, është paralajmëruar dhe përfshirë në orarin e tyre, kthimi i një numri të madh të linjave të avikompanisë Vizer, si dhe rutës Shkup-Varshavë, në të cilën fluturon aviokompania polake LOT. Linja ajrore Shkup-Athinë, me Ejxhia erlajns, tashmë është kthyer në orarin e rregullt të fluturimeve, nga shkurti i këtij viti.

“Sa i përket linjave ajrore Shkup-Dubai, me Flaj Dubai dhe Shkup-Doha, me Katar ervejs, ne tashmë e dimë që këto dy destinacione nuk do të rinovohen me fillimin e orarit të fluturimeve verore sivjet. Ngjashëm me linjën ajrore Shkup-Stamboll, linja ajrore Shkup-Varshavë dhe dy linjat e përmendura Shkup-Dubai dhe Shkup-Doha, udhëtarët tanë i përdornin si pika tranzitore për fluturimet ndërkontinentale”, shprehen nga TAV-i.

Rënie për 70 për qind të numrit të udhëtarëve në janar dhe shkurt të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar

Lidhur me punën e aeroportit një vit pas pandemisë, siç bëjnë të ditur, për fat të keq, në dy muajt e parë të këtij viti nuk ka përparim në drejtim të komunikacionit të udhëtarëve. Ka pasur rënie për 70 për qind të numrit të udhëtarëve dhe 55 për qind të fluturimeve.

“Në dy aeroportet e Maqedonisë, në janar dhe shkurt të vitit 2021, kemi rënie prej 70 për qind të numrit të udhëtarëve, krahasuar me periudhë e njëjtë në vitin 2020, kur pandemia ende nuk kishte filluar. Në janar dhe shkurt, aeroportet e Shkupit dhe Ohrit së bashku kanë shërbyer 104.096 udhëtarë, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2020 kemi pasur gjithsej 350.708 udhëtarë në dy aeroportet e Maqedonisë, informojnë për MIA-n nga TAV Maqedoni.

Faktori kryesor për rimëkëmbjen e komunikacionit ajror është ndalimi i udhëtimit në BE/Shengen për shtetasit maqedonas. Nëse ajo shfuqizohet, dhe kur do të shfuqizohet, e njerëzit do të fillojnë të udhëtojnë përsëri për arsye turistike, bëjnë të ditur ata, mund të presim që të kthehemi në nivelet e komunikacionit të udhëtarëve që i kishim para krizës.

Lidhur me punën gjatë pandemisë, ata sqarojnë, punojmë sipas protokollin e ri të pandemisë të aeroporteve që u vendos vitin e kaluar. Përmes këtij dokumenti, ne zbatojmë masa të përforcuara shëndetësore dhe higjienike -sanitare, në mënyrë që të sigurojmë udhëtarët dhe të punësuarit.

Risia e fundit e vendosur në janar të vitit 2021, është objekti për testim për covid-19, që u hap nga një laborator i autorizuar para ndërtesës së terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, në mënyrë që udhëtarët tanë të mund të bëjnë teste të shpejta të antigjenit, që u bënë të detyrueshme për t’u ngjitur në fluturimin e aeroplanit dhe për hyrje në shumë vende të huaja.