Shqipëria

Rikthehen shërbimet në platformën e-Albania

Pas sulmit kibernetik që ndodhi kohë më parë, janë kthyer 1224 nga 1225 shërbime online.

Pas sulmit kibernetik që ndodhi kohë më parë, janë kthyer 1224 nga 1225 shërbime online që jepen në platformën e-Albania, dhe tani mund të përdoren nga qytetarët dhe bizneset me të njëjtën shpejtësi dhe lehtësi si më parë, raporton Albinfo.ch.

Kështu ka njoftuar Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSH), e cila ka thënë se është bërë i mundur rikuperimi i të gjitha shërbimeve online që mundëson kjo platformë përveç shërbimit të njehsimit të diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja, për të cilin po punohet për ta rikthyer.

“Janë në funksion të plotë shërbimet e vërtetimit të pagesës së aftësisë së kufizuar; kryerja e pagesave të ujit për UKT Tiranë; Aplikimet për Leje ndërtimi (e-Lejet), vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe përdorimit te burimeve ujore. Ndërkohë, stafi i inxhinierëve po punon për të kthyer në normalitet dhe shërbimin e fundit të mbetur: njehsimi i diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja”, ka njoftuar AKSH./Albinfo.ch