Kosova

Rikthehet ‘gjahu’ i partive në luftën për votat e diasporës

Zvicra, Gjermania, Holanda, Belgjika, Suedia dhe vende tjera evropiane ku jetojnë shqiptarët janë bërë adresa e liderëve të partive opozitare në muajt e fundit. Partitë po synojnë të rikthejnë degët, duke shpresuar në rikthimin e tyre tek diaspora

Diaspora ishte dera e parë që politikanët nga Kosova trokisnin sa herë që kërkohej mobilizim, qoftë në aspektin politik, financiar apo ushtarak për vendin.

Vitet e ’90-ta as që mund të paramendoheshin pa rolin e diasporës shqiptare e cila e përndjekur nga vendi, ishte mekanizmi kryesor i mbijetesës së shumë familjeve në vend.

Edhe lufta e vitit ’98-99 e dëshmoi më shumë se asnjëherë se pa fondet e mbledhura në diasporë as që mund të imagjinohej një rezistencë e UÇK-së ndaj Serbisë.

Njëjtë ndodhi edhe në përfundim të luftës. Ishte diaspora ajo që me mjetet e saj financiare rindërtoi pjesën më të madhe të Kosovës.

Por çka përfitoi në këmbim?

Krijimi i partive politike në Kosovë dhe organizimi i zgjedhjeve zgjoi kërshërinë e subjekteve politike për të përfituar edhe votat e diasporës. Ishte Lidhja Demokratike e Kosovës e cila pas përfundimit të luftës kishte një infrastrukturë më të gjerë politike të shtrirë nëpër vendet evropiane ku jetonin shqiptarët. Por edhe Partia Demokratike e Kosovës arriti që në një masë të krijojë terren në diasporë duke krijuar degë të saj nëpër kryeqendrat e vendeve evropiane dhe duke mobilizuar shqiptarët që jetonin atje.

Megjithatë, me të marrë pushtetin këto parti nuk shfaqën më interesim për diasporën duke lënë në harresë degët e tyre nëpër vendet ku jetojnë shqiptarët.

Në vitin 2008 PDK mori vendim për shuarjen e degëve në diasporë dhe veprimtaria e PDK-së përfundoi, në emër të kontributit për krijimin e unitetit kombëtar të kësaj pjese të popullit.

Madje edhe nëpër fushata parazgjedhore nuk kishte ndonjë fokus tek diaspora.

Këtë mungesë interesimi e shfrytëzoi mirë Lëvizja Vetëvendosje e cila vlerësohet se falë diasporës dhe angazhimit të saj politik atje, arriti të marrë edhe pushtetin. Duke parë potencialin politik të votave nga diaspora, partitë opozitare duket se u bënë ‘pishman’ që shuan degët e tyre nëpër Evropë.

‘Gjahu’ i ri drejt diasporës

Zvicra, Gjermania, Holanda, Belgjika, Suedia e shumë vende tjera evropiane ku jetojnë shqiptarët janë bërë adresa e liderëve të partive opozitare në muajt e fundit. Partitë po synojnë të rikthejnë degët duke shpresuar në rikthimin e tyre tek diaspora.

PDK

Si partia më e madhe opozitare në vend, PDK synon rikthimin e saj politik përmes diasporës. Ajo ka ngarkuar edhe ‘emisarin’ e saj për diasporën. Deputeti Elmi Reçica është emëruar udhëheqës i Departamentit të Diasporës në këtë parti dhe muajve të fundit, më shumë se në Kuvend të Kosovës ai është parë nëpër Zvicër e Gjermani duke aktivizuar degët e kësaj partie e duke takuar bashkatdhetarët.

“Rikthimi i Partisë Demokratike të Kosovës në qeverisje, fillon pikërisht me rikthimin e saj në Diasporë”. Kjo është edhe moto e kësaj partie e cila pas shumë vitesh në pushtet kur edhe nuk kishte interesim për të pasur degë aktive në diasporë, ‘shpëtimin’ politik tashmë e sheh përmes diasporës.

LDK

Nga ana tjetër, edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tashmë ka nisur aktivitetet e tij në mërgatë. Kjo parti madje ka themeluar edhe Ekipin Politik për këtë çështje. I ka ngarkuar katër zyrtarë për ta ringjallur në diasporë partinë më të vjetër të Kosovës.

Nënkryetari i LDK-së, Anton Quni dhe dy anëtarët e Kryesisë, Sokol Haliti e Armend Zemaj u futën nga Abdixhiku në përbërjen e këtij ekipi. Atyre iu është bashkuar edhe Shkumbin Gashi, koordinator teknik në LDK.

“Ekipi politik do të jetë përgjegjës për organizimet e përbashkëta mobilizuese e të vizitave të LDK-së në mërgatë. Mërgata ka qenë dhe është jetike për zhvillimin dhe prosperimin ekonomik të vendit. LDK është duke punuar intensivisht në bashkërendimin e aktiviteteve në degët tona në mërgatë, me synim rritjen dhe hapjen e dyerve për kuadro të reja, gra e të rinj profesionit në qendrat më të mëdha botërore”, thuhej në njoftimin e LDK-së.

Peshën e diasporës, LDK më së miri e pa me rastin e zgjedhjeve në komunën e Dragashit ku falë votave të diasporës, kjo komunë tashmë është nën qeverisjen e kësaj partie.

AAK

Edhe AAK ka filluar me angazhime në Diasporë. Kryetari i kësaj partie Ramush Haradinaj, sikurse edhe kolegët e tij opozitarë nga PDK e LDK ka nisur takimet koordinuese në diasporë. Madje nga pozita e një opozitari ai po siguron se do të jetë adresa më e sigurt për diasporën. “I sigurova për mbështetjen time të plotë në procesin zgjedhor brenda partisë, duke uruar sukses për të gjithë ata që marrin pjesë në garën zgjedhore. Aleanca është adresa e sigurt për diasporën shqiptare”, kishte shkruar Haradinaj.

Vetëvendosje

Ndryshe nga partitë opozitare të cilat kanë ngjeshur aktivitetet në diasporë, Vetëvendosje e cila ‘zbuloi’ se vota e diasporës mund të ndryshojë edhe rezultatet zgjedhore në Kosovë, kohëve të fundit nuk është parë shumë aktive si parti në diasporë. Megjithatë, kreu i saj, tashmë në cilësi të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, vizitat zyrtare shtetërore në vende të ndryshme po i shfrytëzon edhe për takime me mërgatën. Ai nuk po u kërkon më mbështetje politike aq sa po kërkon mbështetje ekonomike duke kërkuar sjelljen e investimeve nga diaspora në Kosovë.

Përse e gjithë kjo ngarendje politike pas diasporës?

Këtë më së miri e tregojnë shifrat dhe pjesëmarrja në votime në zgjedhjet e fundit të Kosovës. Vetëm në zgjedhjet e vitit 2021 nga Diaspora arritën 175,273 aplikacione, 99% prej të cilave nëpërmjet email adresave të hapura nga KQZ. Pas verifikimit të aplikacioneve, KQZ-së zyrtarizoi 130,168 aplikacione.

Derisa në zgjedhjet e vitit 2019, nga të dhënat e KQZ-së, për regjistrim jashtë Kosovës kishin aplikuar 40,313 persona, apo 19,959 më shumë se në zgjedhjet e 2017.Nga 102,467 votues të regjistruar suksesshëm, pakot me fletëvotime kanë arritur t’i dërgojnë 56,368 votues.

Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 44,252 vota nga diaspora duke e bërë kështu më bindëse fitoren e zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës të vitit 2017 nga diaspora ishin pranuar 15 mijë e 118 pako të fletëvotimeve, ndërsa 9 mijë e 157 prej tyre ishin aprovuar.

Në zgjedhjet e vitit 2014 nga diaspora erdhën 15 mijë e 951 pako të fletëvotimeve ishin pranuar me anë të postës, ndërsa ishin aprovuar 10 mijë e 648 të tilla.

Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2010 numri i votave nga diaspora ishte më i ulëti në historinë e zgjedhjeve të Kosovës. Atë vit nga diaspora ishin aprovuar 5 mijë e 15 aplikime për të votuar, ndërsa ishin pranuar 1 mijë e 460 aplikacione.

Por çfarë u premtua e çfarë u bë për diasporën?

Përgjatë gjithë këtyre viteve e fushatave në diasporë e me bashkatdhetarë atyre shpesh iu bënë shumë premtime e të cilat shumë pak u panë të realizuara në praktikë. Ishte premtuar se do të krijohej një ministri e veçantë për diasporën e cila pas krijimit dhe funksionimit për pak vjet u shua.

Kuvendi i Kosovës nga ana tjetër në vitin 2012 ka miratuar një  ligj për mërgatën dhe diasporën. Por premtimet për vendet e rezervuara për diasporën në Kuvend asnjëherë nuk u bënë realitet.

Për shumë vite me radhë diaspora konsiderohej ‘infuzion financiar’ i Kosovës por bashkatdhetarët kur vinin në vendlindje duhet t paguanin sigurime në kufij, në mungesë të njohjes së kartonit të gjelbër.

Edhe përkundër premtimeve kjo ende nuk është zgjidhur. Megjithatë viteve të fundit, Qeveria e Kosovës ka marrë përsipër pagesat për sigurimin e makinave për bashkatdhetarët gjatë kohës kur ata vijnë për pushime në vendlindje.

Sevdail Tahiri, drejtor i platformës mediale, albinfo.ch online&print

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI