Lajme

Rreziqet e variantit indian të koronavirusit

Viruset ndryshojnë kur kalojnë nga një person tek tjetri. Pjesa më e madhe e këtyre mutacioneve është kryesisht e parëndësishme dhe nuk ndikojnë në mënyrën e sjelljes së virusit. Mirëpo disa shkaktojnë ndryshime në proteinën majë, të cilën virusi e përdor për të hyrë në organizëm – këto variante mund të jenë potencialisht më përhapëse

Një “mutacion i dyfishtë” i koronavirusit është identifikuar nga mostrat e mbledhura në Indi.

Shkencëtarët janë duke studiuar nëse ky variant, ku dy mutacione kanë ndodhur përbrenda një virusi, mund të jetë më infektues apo mund të ndikohet më pak nga vaksinat.

Çfarë është varianti “mutacion i dyfishtë”?

Viruset ndryshojnë kur kalojnë nga një person tek tjetri. Pjesa më e madhe e këtyre mutacioneve është kryesisht e parëndësishme dhe nuk ndikon në mënyrën e sjelljes së virusit. Mirëpo disa shkaktojnë ndryshime në proteinën majë, të cilën virusi e përdor për të hyrë në organizëm – këto variante mund të jenë potencialisht më përhapëse.

Vaksinat kundër patogjenëve respiratorë si SARS-Cov-2, virusi që e shkakton sëmundjen COVID-19, ofrojnë mbrojtje nëpërmjet stimulimit të trupit për të prodhuar antitrupa. Mënyra më e mirë për mbrojtje është ajo e “antitrupave neutralizues”, për shkak se ato e bllokojnë virusin në përpjekjen për t’u futur në qelizat njerëzore.

Shkencëtarët indianë të gjenomit kanë detektuar të ashtuquajturin “mutacion të dyfishtë” në koronavirusin e ri. Qeveria ka bërë të ditur se një analizë e mostrave të mbledhura nga shteti perëndimor i Maharashtras ka zbuluar “një rritje në fraksionin e mostrave me mutacionet E484Q dhe L452R” krahasuar me dhjetorin e kaluar.

A janë të rralla “mutacionet e dyfishta”?

“Të tilla raste nuk janë aspak të rralla”, ka thënë mjeku Jeremy Kamil, virolog në Qendrën për Shkenca Shëndetësore “Shreveport”, pranë Universitetit shtetëror të Louisianas, i cili ishte bashkautor i një studimi mbi shtatë rrethanat e përhapjes së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fillim të pandemisë shumica e gjeneve majë kishin vetëm një mutacion – D614G. Tani ky mutacioni është mbizotërues dhe ndodhet kudo, “kështu që i shohim të tjerët mbi të”, ka shtuar. Kamil.

Në fakt, GISAID, një bazë e hapur e të dhënave, rendit 43 viruse që i kanë mutacionet E484Q dhe L452R të zbuluara në Indi.

Kamil ka thënë se një variant i virusit, i identifikuar gjatë marsit në Britaninë e Madhe, ka pësuar nëntë mutacione. Sapo studiuesit indianë t’i ngarkojnë të dhënat e tyre në GISAID, shkencëtarët nga e gjithë bota do të jenë në gjendje që të përcaktojnë nëse “mutacioni i dyfishtë” e ka të njëjtën prejardhje me atë të gjetur në Britani ose nëse ky kombinim i mutacioneve u shfaq në mënyrë të pavarur, siç ishte rasti për mutacionet K417N / T, E484K dhe N501Y, të cilat u identifikuan në Brazil dhe në Afrikën e Jugut.

A duhet shqetësuar rreth variantit të ri?

Mutacionet në gjenin majë mund ta bëjnë virusin natyrshëm “më të mirë” në infektimin e njerëzve ose mund t’i ndihmojnë që t’u shpëtojë antitrupave neutralizues. Kjo do të thotë se nëse virusi pëson mutacion në “mënyrën e duhur”, mund ta riinfektojë dikë që tashmë është shëruar nga COVID-19. Por shkencëtarët pretendojnë se riinfeksionet do të jenë shumë të lehta krahasuar me infeksionet primare te njerëzit që janë vaksinuar ose që janë shëruar tashmë nga një infektim i mëparshëm. Por nëse virusi mund ta përdorë riinfektimin për t’u përhapur, atëherë ai do të ishte “depërtues” i imunitetit të tufës, ka thënë Kamil. (Imuniteti i tufës ndodh kur një pjesë e madhe e një komuniteti imunizohet ndaj një sëmundjeje përmes vaksinimit ose përmes përhapjes masive të sëmundjes). Ai ka theksuar se ndryshe nga disa variante të tjera, mutacioni i ri i dyfishtë i Indisë nuk ka të ngjarë të jetë më vdekjeprurës ose më i përhapur, por që nevojiten më shumë të dhëna për t’u siguruar lidhur me këtë.

A qëndron ky variant prapa valës së dytë në Indi?

India ka raportuar 47.262 raste të reja të infektimit dhe 275 vdekje gjatë së mërkurës – shifra këto më të lartat ditore gjatë vitit.

Mjeku Rakesh Mishra, drejtor i Qendrës për Biologji Qelizore dhe Molekulare, ka thënë se “varianti i dyfishtë” është zbuluar në 20 për qind të rasteve në Maharashtra, zonë kjo ku është evidentuar rritje e theksueshme e infektimeve të reja.

“Dyshohet se ky variant është shkaktari i valës së dytë të infektimeve në Indi. Por unë do të thosha se jo, pasi që 80 për qind e mostrave që i kemi mbledhur nuk e kanë këtë kombinim të mutacioneve. Ky mutacion është i lidhur me vetëm 230 raste në Maharashtra, nga mijëra mostra të marra”, ka thënë ai.

Shumë më shqetësues është varianti britanik, i cili aktualisht është po dominuesi në pjesën më të madhe të Britanisë së Madhe dhe është shpërndarë në më shumë se 50 vende të botës.

Ky variant ka më shumë gjasa të kontribuojë në “intensifikimin e valës së dytë”, ka thënë Kamil. Sipas studimeve, ky variant është për 50 për qind më përhapës dhe 60 për qind më vdekjeprurës. “Sidoqoftë, mënyra se si do të sillen njerëzit do të ndikojë kryesisht në valën e dytë”, ka shtuar ai.