Bota

Rritet papunësia në Gjermani

Një tjetër faktor ka qenë sfida e prodhuesve të veturave me tranzicionin drejt veturave elektrike

Papunësia në Gjermani është rritur në fund të 2019-ës, duke treguar se ekonomia më e madhe e Evropës vazhdon të ketë probleme, ndërkohë që manifaktura është tkurrur dhe Qeveria gjermane ka këmbëngulur se nuk duhen injektuar stimuj fiskalë.

Numri i personave jashtë tregut të punës u rrit me 8,000 në dhjetor 2019, sa dyfishi i projeksioneve, transmeton Scan.

Megjithatë, norma e papunësisë mbeti e pandryshuar në 5%, që është nivel rekord i ulët, përcjell albinfo.ch.

Fabrikat gjermane kanë pësuar goditjen më të madhe në një dekadë gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që Brexit dhe lufta tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara ndikuan tek eksportuesit gjermanë.

Një tjetër faktor ka qenë sfida e prodhuesve të veturave me tranzicionin drejt veturave elektrike.

Kjo ka bërë që Banka Qendrore Evropiane të prezantojë stimuj të rinj fiskalë dhe t’i bëjë thirrje qeverive me hapësirë fiskale, si Gjermania, që të shpenzojnë.

Projeksionet e fundit të Bundesbank tregojnë se kërkesa e brendshme do të goditet nga ngadalësimi i tregut të punës. Banka Qendrore përgjysmoi projeksionet për vitin 2020 dhe pret tashmë një rritje me vetëm 0.6%.