Kosova

Rritet varfëria në Kosovë dhe Shqipëri

Kosovë 

Varfëria në Kosovë po vazhdon të rritet nga viti në vit, duke bërë më të vështirë edhe gjendjen sociale të familjeve në nevojë, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportit të fundit nga UNDP-ja (Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim) për vitin 2023, varfëria në Kosovë është rritur për 16 për qind, për çka ka rënie edhe të rritjes ekonomike.

Ekspertët thonë se niveli i lartë i varfërisë lidhet me papunësinë e lartë por dhe çmimet e rritura duke bërë shumë familje të jetojnë nën nivelin e varfërisë me më pak se 1.85 euro në ditë.

Derisa nevojat bazike të qytetarëve janë rritur, të hyrat sociale për familje janë të njëjta. Lidhur me këtë situatë, njëjtë thonë organizata humanitare në Kosovë, Kryqi i Kuq. Teksa potencojnë se nevojat elementare për familje nuk po arrijnë të përmbushen për shportën familjare, pasi që çdo komunë në Kosovë ka raste të varfërisë.

Ndërkaq, ekonomistët vlerësojnë se papunësia dhe mungesa e indeksimit në treg janë shkaqe për nivelin e lartë të varfërisë në Kosovë.

Menaxherja e projektit të “Pulsit Publik”, Alisa Hasani thekson për KPse nga të gjeturat kryesore të anketës për mirëqenien ekonomike të familjeve, rezulton se varfëria në Kosovë është në rritje dukshëm këtë vit.

Ajo tha se derisa familjet në vitin 2021 kanë shpenzuar 200 euro në muaj për nevoja ushqimore, në vitin 2023 shpenzojnë më shumë për shkak se rritja e çmimeve ka ndikuar në mirëqenien e tyre.

Shqipëri

Më shumë se gjysma e shqiptarëve (55.3%) e konsideronin veten subjektivisht të varfër, sipas një publikimi të Eurostat për vitin 2022, por që të dhënat e Shqipërisë janë deri në vitin 2021.

Në këtë renditje, shqiptarët ndihen të dytët më të varfrit e Europë, me mbi dy herë më shumë se mesatarja e BE-së (24.8%). Vendin e parë e mbajnë grekët, 68% e të cilëve kanë deklaruar se ndihen subjektivisht të varfër.

Treguesit subjektiv të varfërisë bazohen në rezultatet nga statistikat e Bashkimit Europian (BE) mbi të ardhurat dhe kushtet e jetesës (EU-SILC), një mbledhje e të dhënave që kryhet në të gjithë Shtetet Anëtare të BE-së, si dhe në shumicën e vendeve kandidatëve. Treguesit përdorin, si bazë, informacionin mbi aftësinë për të përballuar jetesën.

Nga vendet e rajonit më pak të varfër ndihen serbët me 44% që e perceptojnë se janë të varfër, po për vitin 2021, Maqedonia e Veriut me 47.2%, Kosova 47.3 (për vitin 2019), Mali i Zi me 50.1%.

Sipas gjinisë, 54.7% e meshkujve shqiptarë e konsiderojnë veten të varfër, përkundrejt 55.6% të femrave. Sipas grup moshave, të moshuarit janë ata që e ndjejnë veten më shumë të varfër në vend. Sipas të dhënave të Eurostat, 58.4% e të moshuarve (mbi 65 vjeç) e konsideronin veten subjektivisht të varfër.

E lartë është dhe përqindja e fëmijëve deri në 18% vjeç që e mendojnë njëlloj, me 58.1%, nga 43% që është psh në Serbi. Kjo përqindje ulet në 54.5% për grupmoshën 18-64 vjeç.