Zhvillim

Rritje e pamjaftueshme e investimeve në pesë muajt e fundit

se vetëm për pesë muajt e parë të këtij viti investimet e huaja kanë arritur në gati 160 milionë euro, që është më tepër se sa vëllimi i investimeve të huaja gjatë gjithë vitit 2014

Sipas Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjatë këtij viti është arritur një progres i theksuar në zbatimin e prioriteteve strategjike të ekzekutivit sa i përket përmirësimit të ambientit të të bërit biznesit dhe tërheqjes së investimeve të huaja.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka deklaruar se vetëm për pesë muajt e parë të këtij viti investimet e huaja kanë arritur në gati 160 milionë euro, që është më tepër se sa vëllimi i investimeve të huaja gjatë gjithë vitit 2014.

“E vlerësojmë faktin se gjatë kësaj periudhe kemi pasur një rritje të investimeve të jashtme, përkatësisht në bazë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, investimet e huaja direkte kanë arritur në rreth 160 milionë euro”.

“Kurse për pesë muajit e vitit të kaluar kanë qenë 29 milionë, ndërkaq për tërë vitin kanë qenë 151 milionë euro. Çka do të thotë se vetëm për pesë muaj kemi më tepër investime të jashtme, se sa kemi pasur për tërë vitin e kaluar.”

Kryeministri i Kosovës, ka shtuar se gjatë kësaj periudhe, në institucionet kompetente janë regjistruar 211 kompani me pronarë të huaj, karshi 80 bizneseve sa janë regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Të arritur tjetër në fushën ekonomike, kryeministri Isa Mustafa, ka përmendur edhe nënshkrimin e kontratës për koncesionimin e kompleksit turistik “Brezovica” që gjendet në komunën e Shtërpcës.

“Kjo kontratë parasheh që përfundimisht do të kemi investime të jashtme prej 410 milionë eurosh dhe hapjen e 3000 vendeve të reja të punës. Përkatësisht do të kemi 163 milionë euro investime të drejtpërdrejta, për tri vitet e para, dhe në mënyrë graduale do të rriten edhe vendet e punës”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Sidoqoftë, investimet e huaja direkte në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare kanë shënuar rënie të mëdha. Derisa në vitin 2007 vlera e investimeve të huaja ishte rreth 450 milionë euro, në vitin 2014 kjo shifër është jo më shumë se rreth 150 milionë euro.

Por, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se gjatë këtij viti nuk pritet ndonjë mrekulli në aspektin ekonomik, por megjithatë, sipas tij, tashmë është rritur një besueshmëri në këtë fushë, po ashtu ka një disiplinë më të madhe në menaxhimin e financave publike.

E gjithë kjo, thotë Gërxhaliu, ka ngritur një optimizëm se sektori privat po përkrahet, rrjedhimisht përkrahja e këtij sektori ndikon edhe në rritjen e besueshmërisë së investitorëve ndërkombëtar.

“Sidoqoftë, janë trende pozitive, të cilat duhet të mbështetën duhet të promovohen, dhe është koha që të krijohet një perceptim i ri karshi realitetit t ë krijuar në Kosovë. Por, nuk mund të përmirësohet ambienti biznesor për të huajt, nëse nuk bëjmë më tepër për bizneset aktuale në Kosovë. Besoj që në këtë drejtim duhet të punohet në mënyrë të dyanshme”.

“Na gëzon fakti se ka një rritje të investimeve të huaja në Kosovë, por prapëpo them se kemi arsye shumë më tepër që të punojmë dhe të angazhohemi se sa të promovojmë këto efekte pozitive”, ka thënë Gërxhaliu.

Pavarësisht rritjes së nivelit të investimeve të huaja, në Kosovë dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, paraqesin kategorinë më të madhe të të hyrave në Kosovë, shkruan Radio EVropa e Lirë. Derisa vitin e kaluar investimet e huaja kanë qenë 151 milionë euro, remitencat kanë arritur në afër 700 milionë euro.