Lajme

Sa do të zgjasë inflacioni?

Problemet që ka sjellë inflacioni i lartë për konsumatorët familjarë në Mbretërinë e Bashkuar mund të jenë më të mëdha dhe mund të zgjasin më shumë nga ҫ’pritet, mes një sërë goditjesh ekonomike nga Brexit, Covid dhe lufta e Rusisë në Ukrainë, sipas paralajmërimeve të ekonomistëve.

Michael Saunders, anëtar i Komitetit të politikave monetare për përcaktimin e normave në Bankën e Anglisë (MPC), tha se inflacioni ishte tepër i lartë, ndërkohë që familjet ndodhen nën presion nga rritja e faturave të energjisë, e ҫmimit të ushqimeve dhe të karburantit.
Ekonomisti i pavarur, i cili votoi për një rritje më të madhe të kostove të huamarrjes javën e kaluar krahasuar me shumicën e kolegëve të tij në MPC, tha se ishte i shqetësuar për faktin se pritshmëritë për rritjen e inflacionit mund të zgjasin më tepër nga sa shpresohet.

“Shtrëngimi që vjen nga rritja e çmimit të energjisë është i dhimbshëm. Këto rritje godasin më rëndë personat me të ardhurat më të ulëta”, tha ai.

Paralajmërimi i tij u mbështet edhe nga Andy Haldane, ish-shefi i ekonomistëve të Bankës, i cili tha se normat e larta të inflacionit mund të vazhdojnë për “disa vite, jo thjesht disa muaj”.
Haldane, i cili ishte ndër ekonomistët më të shquar që dha alarmin për rreziqet e inflacionit përpara se të largohej nga Banka vitin e kaluar, tha se do të kishte dashur që të ishin ndërmarrë veprime më të ashpra, më shpejt.

I pyetur nëse inflacioni mund të rritet mbi 10% apo edhe më shumë, ai tha: “Mundet. Kam frikë se ai mund të vazhdojë të jetë i lartë edhe për disa kohë. Kjo nuk është një ҫështje që do të përundojë brenda disa muajsh. Mendoj se mund të duhen disa vite, jo thjesht disa muaj”.
Threadneedle Street rriti normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke arritur nivelin më të lartë 13-vjeçar prej 1% javën e kaluar, për të luftuar rritjen e inflacionit, pavarësisht paralajmërimeve për rritjen e rreziqeve të një recesioni të shkaktuar nga kriza e kostos së jetesës.

Banka tha se indikatori për rritjen vjetore të kostos së jetesës mund të kalojë shifrën 10% gjatë këtij viti, por më pas ka të ngjarë të ulet përsëri në objektivin prej 2% brenda tre vjetëve të ardhshme, pasi të zbehen gradualisht goditjet ekonomike nga Covid dhe nga lufta në Ukrainë.
Saunders, i cili së bashku me dy anëtarë të tjerë të MPC-së ishin në favor të një rritjeje më të ashpër të normës prej 0.5 pikë përqindjeje, tha se do të ishte më mirë të rriteshin kostot e huamarrjes në mënyrë më agresive që tani, për të ndaluar normat e larta të inflacionit në të ardhmen.

“Këto rreziqe kanë një peshë të konsiderueshme dhe, nëse nuk kontrollohen nga politika monetare, kapaciteti i brendshëm dhe presionet inflacioniste do të ishin ndoshta më të mëdha dhe më të qëndrueshme se parashikimi qendror”, tha ai në një fjalim në Fondacionin Rezolucioni.

Një plan i tillë mund të ndihmojë në shmangien e rritjeve më agresive të inflacionit, për të arritur objektivin prej 2% në të ardhmen, i cili “mund të jetë shumë i kushtueshëm në aspektin ekonomik”, tha ai.

Saunders, i cili do të largohet nga MPC në gusht, tha se ekonomia e Britanisë po vuante nga “një seri goditjesh të mëdha” duke filluar me Brexit, pandeminë e Covid dhe rritjen e çmimeve të energjisë, së bashku me efektet afatgjata nga plakja e popullsisë.

Mungesa e fuqisë punëtore dhe e investimeve nga bizneset mund të ishin përkeqësuar më tepër për shkak të daljes nga BE, tha ai, në një kohë kur mospërputhja midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës po i detyronte punëdhënësit që të rrisnin pagat e punonjësve.
E nxitur nga papunësia, e cila është në nivelin më të ulët të 40 viteve, si dhe nga numri rekord i vendeve të lira të punës, Threadneedle Street parashikon se rritja mesatare e pagave do të shkojë afër shifrës 6% këtë vit. Megjithatë, kjo shifër vazhdon të mbetet dukshëm nën nivelin e inflacionit, duke shtuar presionin mbi punëtorët, ndërkohë që pagat mesatare pritet të bien përsëri vitin e ardhshëm.

Haldane, i cili shërbeu si kreu i grupit të punës për rimëkëmbjen nën qeverinë e Boris Johnson për gjashtë muaj, tha se “kishte shumë mundësi ” që ekonomia e Britanisë të binte në recesion.
“Mund ta gjejmë veten duke shkuar drejt jugut dhe jo drejt veriut”, shtoi ai./ The Guardian