Koronavirusi: çast pas çasti

Cilat janë pasojat nga vonimi i vaksinimit?

Sa më i ngadaltë vaksinimi, më shumë njerëz vdesin dhe më i madh është dëmi ekonomik

Gjendja në Bashkimin Europian është e zymtë. Vetëm 2% e popullsisë është vaksinuar, krahasuar me 7% në Amerikë dhe 11% në Britani. Sa më i ngadaltë vaksinimi, më shumë njerëz vdesin dhe më i madh është dëmi ekonomik, shkruan The Economist.

Së fundmi, është përhapur lajmi se AstraZeneca (AZ), një prodhues anglo-suedez i vaksinave, mund të furnizojë më pak se 40% të dozave që priste BE-ja në tremujorin e parë. Kjo ka shkaktuar mjaft zemërim. Politikanët po argumentojnë se nëse AZ refuzon të plotësojë mungesat e furnizimeve, duke marrë doza nga fabrikat e saj në Britani, atëherë BE duhet të hakmerret duke ndaluar eksportet në Britani nga impiantet në Europën Kontinentale. Ky do të ishte një gabim i rëndë. Ekzistojnë mënyra më të mira që Europa të përshpejtojë vaksinimin. Ato duhet të ndërmerren po aq urgjentisht sa përpjekjet për të ndaluar një rënie tjetër ekonomike, transmeton Monitor.

Problemet e Evropës rrjedhin pjesërisht nga fati i keq. Një prej vaksinave që porositi pësoi pengesa gjatë provave klinike. Të tjerat kanë pasur probleme në prodhim. Por ato janë gjithashtu probleme të vetëshkaktuara. Komisioni Europian mori përgjegjësinë për blerjen e vaksinave, por ishte pa përvojë dhe i ngadaltë, duke nënshkruar marrëveshje disa muaj pas Britanisë, përcjell albinfo.ch.

 

Ai u vonua edhe më tej duke diskutuar me firmat e ilaçeve mbi përgjegjësinë dhe çmimet – të cilat janë thjesht detaje në një kohë pandemie. Kontrata me AZ është konfidenciale, por duket se përcakton vetëm që kompania të bëjë përpjekjet më të mira për të furnizuar doza.

Kërcënimet ndaj firmave të ilaçeve dhe kombeve janë një mënyrë për të shfryrë zemërimin, por edhe të rrezikshme. Nëse BE-ja do të konfiskonte furnizimet e vaksinës Pfizer, britanikët nuk do të ishin në gjendje të merrnin dozën e tyre të dytë, sepse Britania ka vonuar dozën e dytë të vaksinës.

Nëse çdo vend në zinxhirin e ndërlikuar të furnizimit të vaksinave do të kërcënonte tregtinë e gjithçkaje, nga qelqi i specializuar deri te shiringat, furnizimet globale të vaksinave do të zhyteshin në kaos. BE-ja do të sabotonte pretendimin se mbështet sundimin e ligjit, burimin kryesor të autoritetit të saj. Do të ishte më mirë që të përqendrohej në rregullimin e logjistikës së vaksinave, për t’u ofruar ndihmë firmave dhe për të konsideruar miratimin e strategjisë britanike për shtyrjen e dozës së dytë derisa furnizimet të jenë më të shumta.

Pasojat ekonomike të vonesës së vaksinave në Europë, gjithashtu duhet të trajtohen urgjentisht. Nivelet e aktivitetit ekonomik do të ulen në gjysmën e parë të këtij viti dhe rimëkëmbja do të shtyhet edhe më tej. Kjo do të shkaktojë më shumë vështirësi dhe pengesa për punëtorët dhe firmat.

Rritja e ulët dhe inflacioni i ulët mund të bëhen një tipar i përhershëm i Eurozonës, pak a shumë si në Japoni. Parashikimet e reja të FMN-së tregojnë se ekonomia e Eurozonës do të mbetet 6% nën nivelin e saj para-COVID deri në fund të këtij viti. Investitorët presin që inflacioni gjatë pesë viteve të dobësohet në 1%. Në të kundërt, prodhimi i Amerikës pritet të kthehet në rrugën e duhur, me inflacion mbi 2%.

Normalisht udhëheqësit e Europës duhej të ishin duke shpalosur plane të mëdha shpenzimesh. Përtej Atlantikut, Shtëpia e Bardhë shpreson të shpenzojë gati 2 miliardë dollarë në stimul ekonomik. BE-ja ka rënë dakord për një fond rimëkëmbjeje prej 750 miliardë eurosh (900 miliardë dollarë), që do të financohet përmes borxhit të përbashkët.

Por kjo ndihmë po shpërndahet shumë ngadalë, kështu që ka ende pak stimul në Eurozonë. Deficiti fiskal parashikohet të ngushtohet me më shumë se 2% këtë vit, teksa masat e përkohshme po skadojnë. Nuk ka kuptim të varen shpresat në Bankën Qendrore Europiane: asaj i kanë mbaruar municionet dhe ka pak kapacitet për të stimuluar më shumë ekonominë.

Për të mos përfunduar si Japonia, Europa duhet të shpenzojë si Amerika. Më në fund po kuptohet se kjo është zgjidhja e duhur. Helge Braun, këshilltare e Angela Merkel, paralajmëroi këtë javë se “frenimi i borxhit” në Gjermani, i cili synon të kufizojë huazimin publik, nuk mund të rikthehet për disa vjet. Bruno Le Maire, ministri francez i Financave, ka bërë thirrje që rregullat e buxhetit të Europës “të rivlerësohen për të marrë parasysh realitetin”.

Rreziku është se Europa është e ngadaltë për t’u përgjigjur. Vendimmarrja e ngathët ka ngadalësuar shpërndarjen e vaksinave në Europë. Kjo do të dëmtojë nivelin e jetesës. Aq më shumë arsye për t’u siguruar që burokracia të mos vonojë rimëkëmbjen.