Kosova

Sa kushton rruga për në atdhe?

Gjatë sezonit veror, nga aeroportet e Zvicrës për destinacionet: Prishtinë, Shkup, Ohër dhe Tiranë fluturojnë deri 20 aeroplanë gjatë vikendeve. Albinfo.ch ka pyetur për ju: Cilat janë çmimet për linjat përkatëse, ku janë dallimet në çmime sipas sezonit, çfarë duhet të kenë parasysh ata që udhëtojnë etj.

Albinfo.ch ka “shëtitur” nëpër agjenci të ndryshme udhëtimesh, të cilat organizojnë fluturime nga Zvicra për në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë, për të hulumtuar të gjitha variantet e mundshme dhe të levërdishme të udhëtimit. Pas këtij hulumtim rezultoi se edhe më tutje mbetet kontrast i madh i çmimeve të udhëtimit për në Prishtinë, ndërsa më stabile figurojnë të jenë ato për në Shkup e Tiranë.

Ndodh që nga Cyrihu me vetëm 50 franga mund  të fluturoni për  në Prishtinë, ndërsa me 200 ose 300 franga të ktheheni, varësisht nga koha kur keni vendosur të udhëtoni. Ndërsa në sezon të udhëtimeve, gjatë pushimit të verës apo gjatë festave të fundvitit, Prishtina si destinacion mund t’ju kushtojë më shtrenjtë, ngase paguani nga 150 deri 350 franga një biletë njëdrejtimëshe, ndërsa nga 600 deri në 650 franga një biletë vajtje ardhje (kthyese), që është risi për këtë vit.

Menaxheri i “Rinori Travel”, Ismail Aliu, çmimet e shtrenjta i arsyeton me faktin se të gjithë aeroplanët plotësues që mbushen në drejtim të Prishtinës gjatë sezonit të verës, kthehen të zbrazët në Cyrih, Basel dhe Gjenevë.

Ndodh që papritmas nëse nuk mbushen aeroplanët nga Zvicra për në Prishtinë, dhe në këtë mënyrë të bie çmimi i biletave edhe pse janë në sezon të verës. Nëse planifikoni pushimet në muajin korrik, atëherë bileta e aeroplanit mund kap vlerën deri 500 franga, por nëse kthimi juaj nuk kalon në muajin gusht, nëse po atëherë fluturimi juaj do të shtrenjtohet deri 650 franga.

“Gjatë sezonit fluturojnë deri 20 aeroplanë në ditë nga aeroportet e Zvicrës: Gjenevë, Cyrih dhe Bazel për në Prishtinë, Shkup, Ohër dhe Tiranë. Më të frekuentuarit janë Cyrihu për shembull në datat 19-20-21 korrik edhe në fund të muajit korrik”, tregon Aliu.

Jashtë sezonit janë tre aeroplanët e rregullt që prej Cyrihut kanë destinacion Prishtinën, i njëjti itinerar është edhe nga Baseli dhe dy aeroplan nga Gjeneva (Swiss dhe Easyjett).

Më së shumti udhëtarë për Prishtinë bartë kompania zvicerane “Edelweiss” pastaj vjen Chair.

“Konkurrenca ndërmjet agjencive shqiptare të udhëtimit ka bërë që të dyfishohet numri i fluturimeve, po edhe ka ndikuar që edhe çmimet të bien këtë vit”, thotë Ismail Aliu.

Rezervimet on-line

Paramendoni çfarë shume parash mund të paguani për një fluturim me familje. Por, për të siguruar bileta më të lira bashkatdhetarët mund të rezervojnë online ose të kontaktojnë njërën prej agjencive tona të udhëtimit, ku mund të përfitojnë deri 10 për qind zbritje. Çmime speciale zakonisht ofrohen për familje. Mirëpo, ekzistojnë edhe variante të tjera të udhëtimit.

Pos linjave direkte për Prishtinë që realizohen cdo ditë nga kompania ajrore zvicerane “Edelweiss” dhe nga kompania ajrore “Chair”, mund të udhëtoni edhe nëpërmjet Lubjanës, Vjenës dhe Zagrebit.

Shkupi dhe Tirana

Edhe Shkupi si destinacion nga Zvicra mund të jetë i përshtatshëm jo vetëm për bashkatdhetarët nga Maqedonia, por edhe për ata nga Kosova. Edhe atje mund t’ju kushtojë një biletë njëdrejtimëshe nganjëherë vetëm 50 franga, e të ktheheni në Zürich me 350 franga. Gjatë pushimeve të verës, pushimeve tjera të nxënësve dhe të fundvitit, Shkupi është më i lirë. Për në Shkup mund të fluturoni me 600 franga, natyrisht edhe të ktheheni në Cyrih.

Aeroporti i Shkupit, pos që është afër për bashkatdhetarët në Maqedoni, është afër edhe për kosovarët. Tani rruga qarkore pa kaluar qytetin shkurton kohën tuaj deri në kufirin me Kosovën dhe autostrada “Arben Xhaferi”. Përparësi e madhe është edhe prania e policëve dhe e doganierëve shqiptarë në pikat kufitare Maqedoni-Kosovë, ku mund të evitohen pritjet e mundimshme.

Destinacion për bashkatdhetarët në Maqedoni mbetet edhe aeroporti i Ohrit, ku çmimet figurojnë të jenë të njëjta sikurse ato të Shkupit.

T’ i kthehemi Tiranës. Një biletë vajtje-ardhje për Tiranë mund t’ ju kushtojë deri 500 franga, ndërsa në pikun e sezonit deri në 600 franga.

Risia më e rëndësishme për shqiptarët këtë vit është  linja e re direkte Cyrih-Tiranë, e cila ka filluar nga muaji prill. Bëhet fjalë për një linjë që do të realizohet dy herë në javë nga kompania ajrore zvicerane “Edelweis”. Po kjo kompani do të ketë nga një fluturim në javë edhe për në Aeroportin e Ohrit, në Maqedoni. Të njëjtin itinerar e mban edhe Chair. Për Ohër fluturon gjatë verës edhe kompania zvicerane Helvetik. Fluturimet direkte Cyrih-Tiranë-Cyrih kanë munguar që nga viti 2010.

Duhet theksuar se krahas linjave të reja për në Tiranë, në Zvicër janë shtuar edhe publikimet që reklamojnë Shqipërinë dhe sidomos bregdetin shqiptar si destinacion shumë i lakmuar dhe me kosto të ulët, për pushime, shkruan albinfo.ch.

Udhëtimi me autobus

Një variant tjetër i udhëtimit është edhe ai me autobus, sidomos për familje me shumë anëtarë. Gjatë sezonit mund të udhëtoni 4 herë në javë me autobus për të gjitha qytetet e Kosovës.

Nëse udhëtoni nëpërmjet Serbisë, atëherë një biletë dydrejtimëshe autobusi do të duhet ta paguani 200 franga. Udhëtimi realizohet me autobus modern dhe zgjat nga 24 deri në 30 orë varësisht prej pritjeve në kufi. Kush udhëton me autobus duhet patjetër të posedojë letërnjoftim apo certifikatë kosovare.

Artan Spahiu po i përcjell dy fëmijët e tij në stacionin e autobusëve në Cyrih. “Nga pamundësia të udhëtojnë e tërë familja bashkë, kam vendosur që dy fëmijët t’i dërgoj me autobus”, tha Spahiu në një bisedë për albinfo.ch. Larisa 14 vjeçe dhe Loriku 12 vjeçar, po gëzohen që po nisen për pushime në Kosovë por edhe janë të mërzitur që nuk po udhëtojnë sikur herave tjera bashkë me prindërit e tyre. “Është hera e parë që udhëtojmë me autobus për Kosovë, pak jemi të gëzuar e pak të mërzitur që nuk po udhëtojmë bashkë me familjen”, tha Larisa.

Për dallim prej Larisës, dy shokët Euroni dhe Sylejmani kanë vendosur të bëjnë udhëtimin me autobus për shkak të biletave të shtrenjta me aeroplan. Sylejmani tha të mos jetë hera e parë që udhëton nga Cyrihu për në Gjilan madje kujton njërin prej udhëtimeve që kishte zgjatur rreth 50 orë.

Vija tjetër me autobus është ajo nëpërmjet Shqipërisë, me anije të vijës lundruese Bari – Durrës. Një biletë me këtë trajektore të udhëtimit, duke përfshirë një natë fjetjeje në anije, mund të ju zgjasë deri në 40 orë dhe kushton 400 franga.

Udhëzime për familjet

Duhet të informoheni edhe për këtë. Fëmijët deri në 2 vjet paguajnë vetëm 10 për qind të biletës së fluturimit, ndërsa fëmijët prej 2 deri në 12 vjet paguajnë 20 për qind më lirë biletën e fluturimit. Bagazhi që mund të bartni mund të jetë në peshë deri në 20-23 kilogram, të tjerat duhet t’ i paguani. Fëmijët që udhëtojnë pa prindërit e tyre duhet të sigurojnë një autorizim apo përcjellje gjatë fluturimit. Me pasaporta kosovare të rinjtë mund të udhëtojnë pa autorizim pas moshës 14 vjeçare ndërsa me pasaportë zvicerane, pas moshës 18 vjece. Rezervimet nuk mund të bëhen në dy apo më shumë agjenci për të njëjtën datë. Mos anulimi i biletës me kohë mund t’ ju kushtojë shumë. Anulimi duhet të bëhet 48 orë para datës së fluturimit të planifikuar.

Risia e këtij viti: Linja direkte Cyrih-Tiranë

Risia më e rëndësishme për shqiptarët këtë vit është  linja e re direkte Cyrih-Tiranë, e cila ka filluar nga muaji prill. Bëhet fjalë për një linjë që do të realizohet dy herë në javë nga kompania ajrore zvicerane “Edelweis”.