Portrete të firmave

“Schnitzlet” më të mira vjeneze i gjeni te vëllezërit Berisha nga Drenica

Besnik dhe Elhami Berisha janë bërë histori suksesi për udhëheqjen e tri lokaleve dhe përgatitjen me shumë shije të “schnitzles” së njohur vjeneze

Prej vitesh ushtrojnë profesionin e gastronomëve në Austri dhe tani, pa dyshim janë nga më të mirët në gastronominë austriake.

Dy vëllezërit, Besnik dhe Elhami Berisha, me punën dhe vullnetin e tyre të pandalshëm, sot udhëheqin tri “Schnitzelhaus” (IMBIS) në Vjenë, duke u bërë kështu të njohur në ushqimin më të preferuar austriak. Edhe lokalet e tyre identifikohen me të njëjtin emër, thjesht “Schnitzel”.

Ky specialitet është ndër ushqimet më të preferuara në kuzhinën vjeneze dhe cilësohet si një nga pjatat kombëtare të Austrisë. Përveç shërbimit të ushqimit të mirë, duhet veçuar edhe mikpritjen shqiptare, e cila nuk mungon as në Austri, duke i bërë klientët të ndihen rehat dhe të kënaqur.

Të dy vëllezërit kanë një biografi interesante. Ata të dy janë të lindur dhe të rritur në Drenas të Kosovës. Sfidat dhe përvojat të cilat i kanë kaluar në vendlindje dhe pastaj në Austri, kanë bërë që sot të jenë shembull në gastronominë austriake dhe në udhëheqjen e bizneseve.

Kanë tri lokale në Vjenë

Dy vëllezërit i takuam në njërin nga lokalet e tyre, i cili gjendet në Himbergerstrasse 40 në qarkun (Bezirk) e 10-të të Vjenës.

Besniku ka 18 vjet që ka emigruar në Austri dhe gjatë tërë këtyre viteve ai ka punuar në fushën e gastronomisë. Puna në “McDonalds” ishte puna e tij e parë deri në vitin 2014. Me punë dhe përkushtim, ai shumë shpejt u bë udhëheqësi i njërës nga pikat e “McDonalds”.

“Ishin vitet e pasluftës kur të gjithë mendonim se gjërat do të shkojnë mirë pas çlirimit të Kosovës. Duke kaluar vitet, njerëzit e kuptuar realitetin se duhet të kalon edhe shumë vite derisa gjërat të rregullohen. Situata jostabile dhe ekonomia e rrënuar, bënë që të largohem dhe të shpërngulëm për të jetuar në Vjenë. Menjëherë pasi e përfundova shkollën e mesme u shpërngula për në Austri. Gjatë tërë kohës kam punuar në gastronomi. Fillimisht kam punuar në “McDonalds” deri në vitin 2014. Pastaj dalëngadalë jam ngritur duke u bërë një herë si udhëheqës i sektorit të punës e pastaj edhe si udhëheqës i njërës nga filialet e “McDonalds”-it” shprehet Besniku.

Përvoja e madhe e punës në gastronominë austriake bëri që Besniku të fitojë njohuri dhe të marrë guximin për të hapur dy “Schnitzelhaus” brenda dy vjetëve. Njërin në vitin 2016 dhe tjetrin, në 2017.

“Duke e parë që kishim përvojën e duhur, por edhe duke njohur shembullin e pjesëtarëve të nacionaliteteve të tjera, të cilët ndonëse nuk e dinin fare gjuhën, merrnin guximin për të hapur bizneset e tyre, e menduam që edhe ne t’i futemi këtij biznesi. Në vitin 2016 kemi filluar me lokalin e parë në “SCS”, ndërsa në vitin 2017 e kemi hapur edhe në qarkun (Bezirk) e 10-të të Vjenës, konkretisht në Himbergeerstrasse 40”, tha ai.

Elhamiu, përgjegjës i 10-të filialeve të një rrjeti të “Schnitzelhaus”

Nga ana tjetër, edhe Elhamiu ka tani 10 vjet që jeton dhe punon në Austri. Ai e kishte krah të djathtë Besnikun, duke e ndihmuar atë në arritjet e sukseseve që sot i gëzon.

“Natyrisht se përvoja e Besnikut më ka ndihmuar shumë për të ecur përpara por më ka dhënë edhe vullnet. Në fillim kam punuar edhe unë në “McDonalds”, pastaj kam filluar të punoj në një  lokal  ku bënin “schnitzel”. Për pak vite jam bërë përgjegjës i 10-të filialeve të asaj firme. Duke e parë se i kisha të gjitha përgjegjësitë dhe menaxhimin e atyre filialeve dhe duke marr parasysh edhe përvojën e Besnikut, atëherë për ne ishte e lehtë që të fillojmë në këtë drejtim. Madje, më e lehte nga ana menaxhuese ishte të punojmë në punën tonë se sa ngarkesat që kishim në vendet e punës ku punonim”, tregon Elhamiu.

Tri “Schnitzelhaus” të vëllezërve Berisha gjenden në vende të ndryshme, Njëri filial  është në rrugën Himbergerstrasse 40 dhe është më i rëndësishmi për ta. Po ashtu ata kanë edhe një filial tjetër në Qendrën Tregtare “SCS” dhe një tjetër në Hollabraunn. Të tria janë me produkte të llojllojshme të ushqimit  të tipit“schnitzel”.

“E veçanta e përgatitjes është kualiteti dhe freskia e mishit dhe se asgjë nuk parapërgatitet, por gjithçka bëhet e gatshme dhe para syve të klientëve”, bën të ditur Besniku duke thënë se pavarësisht konkurrencës së madhe, ata besojnë në kualitetin e punës dhe shërbimit të tyre.

Besniku dhe Elhamiu

Planifikojnë edhe investime në Kosovë

Shumica e klientëve janë austriakë, por sigurisht që ka edhe nacionalitete të tjera, duke përfshirë edhe klientë shqiptarë.

Ndërkohë, vëllezërit Berisha thonë se në të ardhmen e afërt presin zgjerimin e këtij biznesi, edhe në disa pika të Austrisë, duke rritur numrin e tyre dhe të punëtoreve. Por, nuk do të mungojnë investimet edhe në Kosovë.

„Në planet tona është që përveç në Vjenë dhe rrethinë, të hapim një rrjet të filialeve me të njëjtin produkt edhe në vende tjera të Austrisë. Po ashtu kemi filluar si plan përgatitës që këto produkte t’i ofrojmë edhe në Kosovë. Jemi duke pritur vetëm që të gjejmë lokacionet se në cilat qytete të Kosovës do të fillojmë”, u shprehën vëllezërit shqiptarë.

Box

Si vendosën të pavarësoheshin

“Duke e parë që kishim përvojën e duhur, por edhe duke njohur shembullin e pjesëtarëve të nacionaliteteve të tjera, të cilët ndonëse nuk e dinin fare gjuhën, merrnin guximin për të hapur bizneset e tyre, e menduam që edhe ne t’i futemi këtij biznesi”.

Schnitzle vjeneze, kombinuar me mikpritjen shqiptare

Nëse dëshironi të ndjeni shijen e “schnitzles” vjeneze me mikpritjen shqiptare, atëherë vizitoni lokalet e vëllezërve Berisha në Vjenë. Po ta provoni njëherë, do ta kërkoni gjithherë!