Kosova

Sesioni i ditës së tretë të Javës së Bibliotekës: “Strategjia kombëtare e diasporës shqiptare”

 

“Javës së Bibliotekës në Kosovë”, organizim tradicional që sivjet, në edicionin e 19-të, vjen me temën qendrore “Dokumentimi i kulturës së emigracionit”. Studiues të kësaj fushe, por edhe krijues në emigracion, në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës kanë sjellë gjetje e përvoja të ndryshme për krijimtarinë në emigracion.

Sot, aktivitetet e Javës së Bibliotekës janë zhvilluar gjatë gjithë ditës në qytetin e Prizrenit.

Sesioni i ditës së tretë të Javës së Bibliotekës ishte “Strategjia kombëtare e diasporës shqiptare”, i drejtuar nga znj. Sahadete Sadikaj, drejtoreshë e Bibliotekës së Prizrenit dhe nga znj. Shqipe Canolli.

Kumtesat e këtij sesioni ishin:

“Etniciteti dhe mësimi i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare në mërgatë në nivelin e arsimit të detyrueshëm (klasat: 1-9, 12) – Nuhi Gashi, ish-koordinator për mësimin plotësues shqip në diasporë i MASHT-it.

“Roli i diasporës në çlirimin e Kosovës“ – Reshat Sahitaj;

“Veprimtaria e ish të burgosurve politikë në emigracion” – Nuhi Dakaj, nënkryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë;

“Aktiviteti i Shoqatës kulturore Shqiptare “Aleksandër Moisiu”, Kantoni Republikës së Ticinos – Zvicër” – Sylë Mujaj, themelues dhe kryetar i shoqatës;

Ndërsa, për shkollat shqipe në Gjenevë foli Agim Paçarizi, ish-mësimdhënës dhe ish-kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë.

Pjesë e aktiviteteve të kësaj dite ishte edhe hapja e ekspozitës “Dokumente dhe fotografi nga arkivi i shkollës shqipe në kantonin e Gjenevës”, materiale këto që janë ruajtur për vite me radhë nga ish-mësimdhënësi dhe ish-kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë, z. Agim Paçarizi.

Pas paraqitjes së këtyre kumtesave e diskutimeve, u vizituan monumentet kulturore në Prizren. /Albinfo.ch