E-Diaspora

Sfidon muzikën tallava, sjell rokun dhe xhazin shqiptar në Zvicër

  • Foto: Shpend Salihu

Alban Skenderaj, Jericho, Elina Dunu, Troja, Linda Hakaj, Asgjë sikur Dielli, Shpat Deda janë mbase emra dhe autorë këngësh të njohur të muzikës shqiptare.

Performojnë kudo nëpër koncerte në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, por janë pak të njohur dhe shumë të rrallë në diasporë përballë këngëtarëve të estradës kosovare që janë të shpeshtë nëpër diskoteka dhe klube të ndyshme në Zvicër.

Këta të fundit përveç argëtimit, arsye tashmë e njohur se pse vijnë shpesh është edhe përfitimi më i madh nëpër diskoteka dhe ahengje në diasporë.

Por, duket dikush të ketë menduar më ndryshe, të gjithë këta emra të njohur të muzikës alternative xhazh dhe rok t’i  sjellë live edhe në Zvicër.

Tashmë është e sigurt, Jericho, Troja e Linda Hakaj dhe shumë këngëtarë të tjerë do të vijnë me këngët e tyre para publikut shqiptaro-zviceran, edhe atë në Cyrih.

Barrën e këtij organizimi pak më ndryshe dhe shumë me sfida e kishte marrë Fatmir Haziri, me prejardhje nga Gjilani.

Për Fatmirin kjo tregon se të rinjtë shqiptarë në diasporë dinë të organizojnë edhe manifestime të tilla të karakterit më ndryshe, e jo vetëm të jenë komerciale dhe pjesë e mbrëmjeve me emra të cilat janë për çdo fundjavë në Zvicër.

Fatmiri e kishte nisur këtë turne këngëtarësh me dy sezone, duke filluar me Alban Skenderajn, i cili ka perfomuar para më shumë se 250 mysafirëve, shumica femra, në mbrëmjen e organizuar më 22 gusht në klubin „Falcone Sounds“ në Cyrih.

Duket të ketë fillim të mbarë dhe të suksesshëm agjencia „Special Events Different Show“.

Fatmiri thotë ta ketë planifikuar një shou të tillë që bashkëmoshatarët e tij të përjetojnë edhe gjëra të bukura. Mbase e ka të njohur për shumë vjet edhe këtë biznes.

Ai për 13 kishte organizuar evente me “Eventagentur Free & Virgin”, një agjenci mjaft e njohur që merret me organizimin e koncerteve në Zvicër.

Haziri madje në disa koncerte ishte edhe bashkorganizator i tyre, si në Opean Air Festival, me emra të mëdhenj të muzikës botërore, si Metalica etj.

Nuk është hera e parë që Haziri sjell këngëtarë nga Kosova në Zvicër. Vitin 2012 kishte siguruar Jerichon, të cilin do ta kemi edhe sivjet në Cyrih (12 shtator). Por, prej atëherë e kishte ndërprerë për arsye private për të rifilluar sërish me një motiv tjetër.

“Dy të ashtuquajtur artistë kosovarë në aeroport me sjelljet e tyre që e quajnë veten yje më kanë detyruar ta ndërroj ulësen të dalë në fund të aeroplanit. Sjelljet e tyre më kanë bërë të ndihem keq si me stjuardesat në aeroplan, po edhe me policët kufitar të Kosovës. Nuk dua ai të jetë “star” i një vendi prej nga vij edhe unë. Ata e kanë shkelur me dy këmbë gjithçka që ka të bëjë me vlera, art dhe kulturë, dhe po vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën për çdo ditë”, tregon për iritimin që ka ndaj estradës kosovare në diasporë dhe për motivin për të sjellë muzikën alternative shqiptare.

Për këtë arsye 32-vjeçari, për dallim prej shumicës se të rinjve të diasporës, nuk e pëlqen fare muzikën e ashtuquajtur tallava, e as këtë komerciale të estradës kosovare.

Ai thotë se deri tash nuk ka pasur alternativë tjetër në diasporë dhe e tëra ishte e imponuar.

“Përveç  që e kanë pasur një rol të rëndësishmë për shkatërrimin e muzikës, edhe nuk i kanë afruar këta njerëz afër tyre duke i mësuar vetëm këtë muzikë. Me një farë mënyre i kanë manipuluar bashkëkombësit tanë në diasporë vetëm me këtë llojë muzike që është vetëm komerciale. Ne do të bashkëpunojmë me këngëtarë që i pagujanë tatim shtetin të Kosovës, e jo ata që e vjedhin shtetin tonë”,  shrehet Haziri, duke lexuar mesazhet falënderuese që i kishte pranuar për organizimin e mbrëmjes në Cyrih me Alban Skenderajn.

Fatmiri synon ta “çmësojë” diasporën nga tallavaja

Ambiciet e organizatorit shqiptar të mbrëmjeve në Zvicër shkojnë edhe më larg.

“Me këtë format të koncerteve ne synojmë të shpëtojmë një pjesë të një gjenerate që nuk është prekur ende. Po fatkeqësisht për një pjesë të tyre tashmë është vonë. Ka të rinj që mbajnë tatunë e Medës. Mbrëmjet tona janë serioze për të gjitha moshat ku mund të vijnë të gjithë me familje”, thekson në këtë bashkëbisedim me albinfo.ch, Fatmir Haziri.

Këngët si “Një lule”, “Do marr çiften…”, “Baresha”, “Lume, Lume” të këngëtares së njohur nga Shqipëria,  Elina Duni, e cila jeton në Zvicër nuk u bëjnë shumë përshtypje të rinjve shqiptarë në diasporë.

Një koncert në dhjetor megjithatë është paralajmëruar në Cyrih, këtë herë nga Fatmir Haziri, i cili synon “ta rrëmbejë” këngëtaren e xhazit dhe ta sjellë edhe më afër publikut shqiptar në Zvicër.

Koncertet e Elinës shumë pak organizohen nga organizatorët e eventeve shqiptare.

Edhe nëse kishte të tilla, në to kishte të pranishëm shumë pak të rinj që ishin edhe të pavërejtshëm në mesin e mysafirëve të tjerë zviceranë.

“Në koncertin e Elinës do të bëhen bashkë shqiptarë e zviceranë ngase këngëtarja e xhazit është shumë e pranishme nëpër koncerte në Zvicër”, tregon Haziri.

Troja, special për Festën e Flamurit

Pse Troja?
“Troja që nga vitete e 90-ta, me një mënyrë apo tjetër e ka kundërshtuar regjimin serbo-jugosllav, dhe në ato kohëra, kur ka qenë më e nevojshme. Për 28 Nëntor në Cyrih do të bëhet promovimi i albumit të ri, në të cilin është punuar në 4 vjetët e fundit, kësaj radhe do kemi rastin që “Rilling-Stonsat” shqiptar t’i shohim me një ambient të përshtatshëm me një kapacitet më të vogël në krahasim me vendet ku Troja performon.

Ky rast nuk duhet të humbet! Përveç  Trojës do jetë edhe DJ Olti ( off, Albanian Top Radio), një DJ shumë i kërkuar në Shqipëri”, zbulon befasinë e 28 Nëntorit.

Risitë me Fatmirin nuk mbarojnë me kaq. Pas serisë së koncerteve me dhjetëra këngëtarë nga Kosova dhe Shqipëria, „Special Events Different Show“ planifikon të vijë vitin e ardhshëm me një festival të rokut shqiptar në Zvicër.
Ndërsa me Jeton Ramadanin (djali i heroit Agim Ramadani) paralajmëron edhe disa projekte që do të mbeten befasi për momentin për publikun në diasporë.

Me „Special Events Different Show“ të Fatmir Hazirit këngët e tyre do t’i sjellin në Zvicër emrat e muzikës shqiptare nga Kosova dhe Shqipëria: Jericho (12 shtator), Dren Abazi& Zig Zakg Orchestra (blok në Cyrih, 26 shtator); Art Abazi &Duo Show Kristjan Sheldija, Kristi Pecaj (Blok në Cyrih, 3 tetor), Linda Hakaj, Oda (Blok në Cyrih, 27 nëntor), Troja (Blok në Cyrih, 28 nëntor), Asgjë sikur dielli (Blok në Cyrih, 5 dhjetor), Elina Duni (Volkshaus në Cyrih, 6 dhjetor), Shpat Deda&Band (Falcone Sounds në Cyrih, 19 dhjetor), Genti Rushti Quartet (Falcone Sounds në Cyrih, 19 shkurt 2016).