Lajme

SHBA dhe evropianët po finalizojnë propozimin për armëpushim 30-ditor në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj evropianë janë duke finalizuar një propozim për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë. Nëse ky propozim refuzohet, ata do të vendosin sanksione të reja ndaj Rusisë, raporton agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar një burim diplomatik francez, transmeton albinfo.ch.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë thirrje për një armëpushim pa kushte mes Rusisë dhe Ukrainës, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj evropianë do të vendosin sanksione të mëtejshme nëse nuk respektohet. Ukraina ka shprehur gatishmërinë për të pranuar këtë propozim, ndërsa Rusia ka shpallur një armëpushim treditor, nga 8 deri më 10 maj, për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Një burim diplomatik tha se ende nuk ka një projekt final, por shpresojnë që të arrihet një konvergjencë për shpalljen e një armëpushimi. Sipas burimit, mund të shpallet një armëpushim 30-ditor ose një armëpushim i ndarë në pjesë, dhe është ende në diskutim nëse do të ketë një afat kohor për reagimin e Rusisë, transmeton albinfo.ch.

Franca, Britania dhe Gjermania kanë kërkuar koordinim më të ngushtë me SHBA-në në lidhje me këtë propozim. Pas disa kundërshtimeve nga ana e tyre për mënyrën se si mund të përfundojë lufta, ato po punojnë së bashku për të finalizuar një ofertë të përbashkët.

Një takim i aleatëve të ngushtë të Ukrainës është planifikuar të shtunën, ku do të diskutohet propozimi i SHBA-së dhe Evropës. Presidenti Emmanuel Macron ka konfirmuar se Franca do të marrë pjesë në këtë takim. Diskutimet teknike dhe politike midis Evropës dhe SHBA-së janë intensifikuar që nga java e kaluar, transmeton albinfo.ch.