Ekonomi

Shoqata e Sigurimeve kërkon rritje më të madhe të çmimeve

Por, Shoqata e Sigurimeve nuk është e kënaqur me këtë rritje

Banka Qendrore e Kosovë ka marrë vendim që të rriten sigurimet për veturat e vogla. BQK-ja ka thënë se nuk është miratuar raporti i aktuarëve, i cili sugjeronte rritje prej 36 për qind, megjithatë kompanitë duhet që rritjen ta përshtatin në bazë të shkallës së inflacionit prej vitit 2002 deri në vitin 2018, të matur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Në komunikatë nuk sqarohet se për çfarë rritjeje bëhet fjalë, pasi të kalkulohet shkalla e inflacionit. Por,  sipas përllogaritjeve del se rritja e tarifave për këtë sigurim është afro 30 për qind. Por, Shoqata e Sigurimeve nuk është e kënaqur me këtë rritje.

Në një komunikatë për media, Shoqata e Sigurimeve konsideron se BQK nuk e ka trajtuar në mënyrë reale gjendjen aktuale nëpër të cilën po kalon industria e sigurimeve, shkruajnë mediat vendore, përcjell albinfo.ch.

“Ne vlerësojmë se raporti i aktuarit ka vërtetuar në mënyrë të saktë matematiko-shkencore se ndryshimi i tarifave në shkallë prej 36,56% është mëse i domosdoshëm për të evituar kolapsin e industrisë së sigurimeve, për shkak se i gjithë opininoni i gjerë është dëshmitar i numrit të madh të aksidenteve të komunikacionit dhe rrezikimit të jetës dhe pasurisë së qytetarëve. Një numër i madh i këtyre aksidenteve është me fatalitet ku shumë njerëz fatkeqësisht humbin jetën në këto aksidente. Në këto raste janë kompanitë e sigurimeve ato të cilat sipas ligjit janë të vetmet që e kanë përgjegjësinë për zhdëmtimin dhe kompenzimin dëmeve materiale dhe jomateriale dhe zbutjes së dhimbjeve të qytetarëve e sidomos familjeve të viktimave”, thuhet në komunikatën e Shoqatës së Sigurimeve.

Sipas kësaj shoqate, me aprovimin e raportit të aktuarit, Rregullatori do të zbatonte ligjin për BQK-në, duke mbajtur stabilitetin financiar të vendit tonë në evitimin e kolapsit të një industrie shumë të rëndësishme.

“Me mosaprovimin e kërkesës së tarifave, BQK nuk ka marrë për bazë interesin në rend të parë të policmbajtësve. Kjo bazuar se raporti i aktuarit ka treguar dhe shtjelluar nevojën urgjente për veprim duke ndryshuar tarifat aktuale. Duke qenë se industria e sigurimeve është nën mbikqyrje të BQK-së si rregullator, dhe duke u bazuar në vendimet e rregullatorit normalisht se do të jemi detyruar t’i zbatojmë vendimet e tyre, mirëpo gjithnjë do të kërkojmë që ndryshimi i tarifave ta ketë trajtimin e vet bazuar në raportet aktuaristike, të cilat përcaktojnë tarifën e duhur për rrezikun që e marrin”, thuhet tutje në komunikatë.