Kosova

Shpend Ahmeti alarmon se mund të humbin 50 mijë vende pune

Ai kërkon miratim të një pakoje substanciale.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë thirrje që të gjithë akterët politikë të dakordohen për një pako të përbashkët substanciale për ekonominë.

Ahmeti ka thënë se sipas Bankës Botërore, në Kosovë rënia ekonomike do të jetë nga 4.5 për qind deri në 11 për qind që nënkupton se do të humben 30 mijë der në 50 mijë vende të punës.

“Banka Botërore thotë se për shkak të pandemisë, parashikimi më pozitiv për Ks-2020 është rënie prej -4.5 % e skenari më i keq është -11 %. FMN thotë -5 %. Translation: 30-50 mijë vende të punës. Çdo ditë që vonohemi shkojmë prej skenarit të mirë te skenari i keq”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ai ka thënë se të gjithë pa dallim duhet të dakordohen për një pako substanciale ekonomike, duke përmendur faktin se në Komunën që drejton në dy javët e fundit është dyfishuar numri i familjeve që kërkojnë ndihmë.

“Kjo nuk është kritikë për dikënd për mosdije, është thirrje për të vepruar të gjithë bashkë. Kjo mosgatishmëri e subjekteve politike për t’u dakorduar për një pako të përbashkët substanciale, do të na kushtojë. Numri i familjeve që kërkojnë ndihma është dyfishuar në dy javët e fundit në Prishtinë”, ka thënë ai.