Ekspozita

Shpresa, artistja që shpalos zemrën e saj në pikturë

Pikturat e Shpresa Morina-SInanit do të mund t’i shihni në festivalin kulturor “Etno Fest” në Kukaj (Prishtinë) gjatë muajit gusht

Kur zotëron talent dhe ke pasion për artin, qëllimi është i arritshëm. Në fakt, duhet përkushtim për ta kthyer ëndrrën në realitet. Edhe Shpresa, që e vogël kishte dëshirë për t’u bërë një piktore e njohur, dëshirë kjo që tashmë po e jetëson çdo ditë piktorja e talentuar nga Zvicra.

Ajo për revistën Albinfo.ch rrëfeu ndjesinë që përjeton gjatë krijimit të veprave të para artistike përmes pikturës.

E reja shqiptare nga Kosova jeton dhe krijon në Zvicër. Për shumë vjet ka punuar në sektorin shëndetësor, në administratë. Ndërkohë Shpresa tashmë ka një lidhje të veçantë me artin, në kuptimin e plotë të fjalës dhe është e pavarur nga profesionet e tjera.

Ajo është me prejardhje nga Prishtina. Deri në moshën shtatëvjeçare jetoi në Prishtinë, më pas së bashku me familjen gjatë vitit 1996 emigroi në Zvicër.

“Kam lindur në Prishtinë dhe kam kaluar fëmijërinë në një lagje të Prishtinës, me plot dashuri, pranë nënës, vëllezërve dhe motrës time. Ndërkohë babi im kishte vite që jetonte dhe punonte në Zvicër, për të na mundësuar një jetë më të mirë”.

Shpresa, kur filloi klasën e parë në një prej shkollave të Prishtinës, nuk kishte kujtime aq të mira.

“Më kujtohet se në klasën e parë isha duke qeshur me një shoqe të klasës dhe arsimtari në atë kohë na dënoi për qeshjen, me një shuplakë. Për mua si fëmijë, e cila deri në atë ditë nuk kisha përjetuar dhunë fizike, ishte paksa traumatike”, rrëfen Shpresa.

Kalimi nga Kosova në Zvicër

Me të shkuar në Zvicër, jeta e Shpresës mori kah tjetër. Ajo u ambientua lehtësisht në shoqërinë dhe kulturën zvicerane.

“Mbasi i mbusha pesë muaj në klasën e parë në Prishtinë, në vitin 1996 emigruam në Zvicër, si bashkim familjar te babai im. Në Zvicër që e vogël fillova ta kuptoj që sistemi shkollor këtu ndryshon nga ai në Kosovë. Në përgjithësi e kisha shumë të lehtë të ambientohesha. Fëmijët ishin të hapur, më ftonin të shoqërohesha dhe të luaja së bashku, edhe pse nuk e dija gjuhën gjermane. Zviceranët e lagjes na pritën ngrohtë dhe na ofruan ndihmën e tyre”, shprehet e emocionuar Shpresa, duke treguar mirënjohje.

Ajo në intervistën për Albinfo.ch ka rrëfyer edhe rrugëtimin e saj drejt pikturimit.

“Që nga fëmijëria e doja pikturimin shumë. Pikturoja çdo ditë, ashtu edhe në orët e mësimit. Shpeshherë detyrat e shtëpisë nuk i bëja me vëmendje dhe nga dëshpërimi, prindërit më treguan që nga pikturimi nuk mund të mësoj asgjë. Me njohuritë e tyre prindërit më këshilluan të fokusohem në shkollë dhe ta lë pikturimin anash”.

E fascinuar me vendet e bukura të natyrës së Zvicrës, Shpresa thellë në shpirtin e saj pikturonte ngjyrat më të bukura, që e mbushnin fantazinë e saj.

“Mbas shumë vjetësh vendosa spontanisht ta blej një pëlhurë dhe disa ngjyra për të pikturuar. Ende sot e asaj dite e mbaj këtë ndjenjë magjike në mend. Nga ajo ditë kam pikturuar rregullisht dhe me shumë gëzim.

Piktura: Profesion apo pasion

E pyetur nga revista Albinfo.ch se pikturimi a është një profesion apo më shumë ndjenjë, Shpresa është shprehur se të dyja janë të pranishme dhe e përmbushin atë personalisht.

“Fillimisht e ndieja si përmbushje, tani për mua është edhe profesion, i cili më përmbush plotësisht. Nga pikturimi mësova shumë për vetveten. Në fillim punova me kokën time, por kuptova se ishte një pengesë nëse nuk i shpreh ndjenjat e shpirtit tim, në pikturë”, tregon ajo.

Përveç pikturave abstrakte, të cilat Shpresa i bën me porosi, ajo ofron edhe kurse për pikturim.

“Kurset janë të konceptuara në mënyrë që të kujdesemi për vetveten, t’u ndihmojmë që secili që e do këtë fushë, ta njohë së pari vetveten më mirë dhe ta përjetojnë një proces krijues intensiv”, tha ajo.

Vlen të theksohet se gjatë muajt gusht Shpresa Morina-Sinani do t’i ekspozojë pikturat e saj në ngjarjen kulturore “Etno Fest”, e cila mbahet në fshatin Kukaj të komunës së Prishtinës, themeluesi i së cilës është profesor Fadil Hysaj.

Pikturat e Shpresës janë nga më të ndryshmet dhe me laramani të ngjyrave. Ajo tregon se piktura e cila është pëlqyer më së shumti nga audienca zvicerane dhe që për të personalisht ka domethënie është piktura “Duro”.

Piktura kushtuar protestuesve për të drejtat e grave

“Pikturën “Duro” zviceranët e kanë pëlqyer shumë, është një pikturë dinamike dhe gjithashtu provokative, me dimensionet 184×123 cm, të cilën ua kam dedikuar të gjitha grave, meshkujve dhe fëmijëve guximtarë, të cilët kanë protestuar në rrugët e Prishtinës për të drejtat e grave. Piktura “Duro” pyet në cilën krijesë duhet të transformohemi për t’u parë, dëgjuar, pranuar dhe respektuar, ashtu siç jemi. Unë mendoj që njerëzit e lënduar, lëndojnë, prandaj është me rëndësi të fillojmë të flasim për ndjenjat tona dhe ta marrim iniciativën të reflektojmë sinqerisht te vetvetja”, shprehet ajo.

Piktura: Trimat (A e ndiqni turmën, apo ecni me guxim në rrugën tuaj? Të dyja janë sfiduese, por nëse është zgjedhja juaj e vetëdijshme, mund ta menaxhoni më lehtë

Projekti humanitar “Hope&You”

Së fundmi, Shpresa ka realizuar një projekt humanitar “Hope&You” në Prishtinë, për çfarë ndihet shumë e lumtur që gjithçka eci mbarë.

“HOPE&YOU është projekti im i zemrës. Fjalët janë të pakta që ta përshkruaj ndjenjën e lidhur me këtë projekt humanitar. Ishte kënaqësi t’i njoh të gjithë ata, të cilët pikturuan së bashku me mua dhe vendosën ta hapin zemrën, ta ndiejnë pikturimin për së afërmi, duke përdorur ngjyrat më të bukura të shpirtit. Jam shumë falënderuese për besimin, sinqeritetin dhe dashurinë që e mora nga shumë persona”, shprehet ajo.

Ndjenjë e veçantë për Shpresën ishte se ajo për herë të parë pati mundësi të realizojë projektin HOPE&YOU në Prishtinë.

“Mundohem që me talentin tim dhe mundësitë e mia t’i gëzoj të tjerët, prandaj rregullisht edhe i fal disa piktura, për shkak se një zemër e lumtur, ka më shumë vlerë në këtë botë.

Po ashtu, Shpresa është shumë e lidhur me vendlindjen e saj dhe së paku një herë në vit i viziton familjarët e saj në Kosovë.

“E dua Kosovën, sepse nga ky vend kam marrë vlerat më të mira dhe më të rëndësishme nga kultura jonë e mirëfilltë, vlera këto që janë të çmuar kudo në botë“, përfundon Shpresa.