Integrimi
Shqipe Sylejmani: “Shkruaj gjermanisht, por mendimi im është shqip”
Shqipe Sylejmani, “Personalitet i vitit 2022” në fushë të kulturës dhe aktivizmit social “Gjuha në të cilën shkruaj librat, është gjermane, por mënyra se si janë të shkruara, është shqip..."
Emri i Shqipe Sylejmanit tashmë është familjarizuar në mediat zvicerane e shqiptare dhe, në mesin e tyre, veçanërisht edhe në Albinfo.ch. Ajo është e pranishme në platformën tonë për aq sa është aktive në jetë, në rrafshin profesional, si autore librash dhe si aktiviste kulturore. Nisur nga kjo, zgjedhja që ka bërë Albinfo.ch duke e shpallur Shqipen “Personalitet të vitit 2022” në fushë të kulturës dhe aktivizmit social, nuk ishte e papritur.
Në intervistën që i morëm me këtë rast, Shqipe Sylejmani flet për identitetet e dyfishta të mërgimtarëve, për librat e saj, udhëtimet e realizuara me qëllim shkrimin e tyre, për rolin e saj si ambasadore kulture në festivalin e veshjeve kombëtare në Pratteln etj.
Albinfo.ch: A ka dy Shqipe apo një Shqipe me dy identitete?
Shqipe Sylejmani: Besoj që është një Shqipe me shumë asete, me shumë mënyra se si shprehemi si njerëz. Besoj që kur të rritesh në diasporë, gjithmonë ekziston një karakter se si je në shtëpi dhe një tjetër, kur të dalësh nga shtëpia. Bota ku jeton është ndryshe nga ajo prej të cilës vjen. Kur të rritesh si një vajzë shqiptare në Zvicër, në kohën që jemi rritur ne, gjenerata ime, me kushtet e vështira në Kosovë, varfërinë dhe luftën… E kam ditur se, kur të shkoj në shkollë, atje është një botë e këndshme, por kur kthehesh në shtëpi është një botë e mbushur me luftë, mërzi dhe gajle. Normalisht që si fëmijë mësohesh në ato dy botë.
Kur kemi ardhur në Zvicër, jemi munduar të mos biem në sy për të keq, sepse e dinim që jemi më të mirë se përshtypja e përgjithshme e cila mbizotëronte për shqiptarët. Këtë jam munduar ta shfaq edhe në librin tim “Barrë dhe Bekim” ku jam përpjekur të tregoj për jetën në diasporë, si për ata që jetojnë në vendlindje, por edhe për ata në Zvicër. Me fjalë të tjera, qëllimi ka qenë për të paraqitur shqiptarët si popull me tradita, kulturë, histori, vende të bukura etj.
Albinfo.ch: A është kjo arsyeja pse në libër ndërthuren edhe tregimet?
Shqipe Sylejmani: Patjetër. Është një pjesë e vlefshme e kulturës tonë. Fatkeqësisht gjenerata e prindërve tanë nuk ka pasur mundësi të mbledhë anekdota, ndërsa gjenerata jonë nuk e kemi vëmendjen te trashëgimia jonë. Për mua ka qenë e rëndësishme se si t`i mirëmbaj këto anekdota dhe të mos zhduken.
Albinfo.ch: A kanë qenë anekdotat dhe tregimet shtyllat e librit që e kanë drejtuar ngjarjen?
Shqipe Sylejmani: Unë jam rritur me anekdota dhe kam pasur një reportear me anekdota. Kur kam udhëtuar në Kosovë, Shqipëri e Mal të Zi më kanë treguar shumë anekdota, por kam ndarë anekdotat e mia. Themeli i librit është udhëtimi. Është një udhëtim në kërkim të rrënjëve. Anekdotat janë qershia mbi tortë që plotësojnë atë mësim që jeta na jep.
Albinfo.ch: Cila është Shqipja jashtë librit?
Shqipe Sylejmani: Jam një person i thjeshtë. Mundohem ta jetoj këtë mundësi që më ka dhënë jeta. Dua të shfrytëzoj këtë mundësi. Nuk kam shumë kohë të lirë, por kur e kam, mundohem ta shfrytëzoj me familje dhe shoqëri. Për mua dhe familjen time, jeta nuk ka qenë e lehtë, prandaj mundohem ta shijoj me njerëzit që i kam afër.
Albinfo.ch: Kemi lexuar për rastin tuaj me veshjen kombëtare shqiptare në Festivalin e veshjeve dhe traditave zvicerane në Prateln. A mund të na tregoni më shumë?
Shqipe Sylejmani: Para dy vjetëve më ka informuar Komuna e Pratteln-it ku jam rritur unë, se do të mbahet Festivali i Veshjeve dhe Traditave zvicerane në Pratteln dhe ky festival mbahet çdo 3 vjet. Për herë të parë pas 125 viteve sa mbahet ky manifestim duke qenë se në regjion ka shumë nacionalitete dhe personalitete që njihen në Zvicër, si unë, ata thanë se këtë duan t’ia tregojnë gjithë Zvicrës. Më kanë pyetur nëse dua të jem ambasadore e Festivalit dhe për herë të parë pas 125 vitesh një shqiptare ambasadore e Festivalit. Një nder për mua të jem jo vetëm si ambasadore, por edhe udhëheqëse e Festivalit e veshur me veshje kombëtare shqiptare.
Albinfo.ch: Me veshjen e cilit rajon u paraqitët?
Shqipe Sylejmani: Me veshje nga Medvegja, prej nga e kam edhe prejardhjen. Veshja ishte e gjyshes time. Një mënyrë e veçantë e prezantimit të kulturës shqiptare.
Mirëpo jo gjithçka kaloi pa vështirësi. Nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Unë përballem me mesazhe që janë kundër shqiptarëve dhe kjo nuk është aspak e lehtë. Unë jam një person sensitiv. Prekem shumë. Dhe në atë kohë kur do të merrja pjesë, kam pasur më shumë mesazhe dhe e kam pasur të vështirë të qëndroj edhe pse shumë njerëz nuk kanë qenë dakord që unë të udhëheq këtë festival. Megjithatë, misioni ishte më i shenjtë se ndjenjat e mia.
Albinfo.ch: A ka ndonjë gjë që nuk është përmendur më parë. Kush është Shqipja?
Shqipe Sylejmani: Mediat zvicerane shpesh më bëjnë pyetje gjenerale për shqiptarët. Unë jam shumë krenare që jam shqiptare dhe mundohem që dashurinë për vendlindjen, ta ndaj edhe me të tjerët, jo vetëm në Zvicër, por edhe në Angli, SHBA etj. Ky është qëllimi im i madh. Emri im lexohet, por shumë njerëz më përkrahin. Krejt meritat e mia janë nga shqiptarët që jetojnë në Zvicër.
Albinfo.ch: Në një intervistë keni përmendur që kur ëndërroni, atë e bëni në gjuhën gjermane. Por në cilën gjuhë shkruan librat?
Shqipe Sylejmani: Gjuha në të cilën shkruaj librat është gjermane, por mënyra se si janë të shkruara është shqip. Mu ashtu si mendojnë dhe shprehen shqiptarët. Në thelb, kultura dhe kuptimi është në shqip. Me zemër: shqip.
Albinfo.ch: Para pak kohe botuat edhe librin e dytë, “Dinjitet dhe falje”. Me çka dallon ky libër nga ai i pari?
Shqipe Sylejmani: Në librin e dytë “Dinjitet dhe falje” kam shkuar pak më tutje. Më ka interesuar edhe për arbëreshët, arnautët, por edhe për atë se si sot i kanë pritur shqiptarët dhe si janë integruar ata. Çka ka mbetur nga arbëreshët, arnautët në Stamboll dhe shqiptarët tanë në kohët e sotme, shqiptarët që 20-30 vjet jetojnë në SHBA, etj. Kam vizituar vetë shqiptarët atje dhe kam biseduar me ta. Rezultati është në libër. Tregimi edhe në këtë libër vazhdon me Shotën dhe shoqërinë e re dhe sfidën e re. Një vajzë që rritet në diasporë. Sa shumë kultura shqiptare shpërndahet në atë zvicerane.
Albinfo.ch: Sivjet jeni fituese e çmimit Personalitet i vitit nga platforma mediale Albinfo. A mundeni shkurt të na tregoni për rrugëtimin tënd me ne?
Shqipe Sylejmani: E gjeta Albinfo.ch gjatë studimeve të mia për gazetari dhe u emocionova që më në fund u krijua një hapësirë ku do të prodhoheshin lajme nga dhe për ne në Zvicër. Kur botova librin tim të parë shumë vite më vonë në 2020, as që ëndërroja që do të isha në lajme vetë. Por Albinfo.ch e bëri atë të mundshme. Albinfo.ch ka një vlerë kaq të veçantë për mua, duke na mundësuar shkëmbimin e informacionit mes vete. Unë jam më shumë se krenare që Albinfo.ch është shtëpia jonë në diasporë.
Info
Shqipe Sylejmani ka lindur në Prishtinë, Kosovë, në vitin 1988 dhe jeton në Zvicër që kur ishte katër vjeçe. Ka studiuar për gazetarinë dhe komunikimin në Cyrih. Nga viti 2018 është e angazhuar në fushën e promovimit kulturës si kryetare e shoqatës “Kulturwerkstatt: Techno”.
Në librin e saj të parë “Barrë dhe Bekim”, zvicerania e Kosovës u përqendrua në përvojën e saj të mërgimit. Libri i dytë i Shqipes, “Dinjitet dhe falje”, është vazhdim i rrëfimit, i cili përqendrohet në fenomenin e mërgimit të shqiptarëve drejt vendeve të tjera.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
“Netët e filmit shqiptar” në 80-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë, në Cyrih Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër: "Nëntori Shqiptar" pjesë e festimeve të 80-vjetorit të çlirimit,...
-
Diamant Salihu është nominuar sërish për Çmimin e Madh të Gazetarisë
-
“Alpha & Partner Vermögensmanagement GmbH” ju këshillon si të menaxhoni pasurinë
-
Kurti të dielën do të takojë mërgatën në Gjermani
-
Arrestohet 28-vjeçari shqiptar në Itali
Jeta në Zvicër
-
Bazel: Kujdes kur porositni qebapë Nëse porositni një qebap në Bazel – mund të mos merrni saktësisht atë që keni kërkuar...
-
Sa lirisht mund të lëvizin qytetarët e BE-së në dhe brenda Zvicrës?
-
Si do të funksionojë ndalimi zviceran për mbulimin e fytyrës kur të hyjë në fuqi?
-
A mund të refuzojnë kompanitë në Zvicër një shërbim për shtetasit e huaj?
-
Edelweiss Air zbulon fluturimet e reja në orarin e saj të verës 2025