Shqipëria

Shqipëria, veturat më të vjetra në Evropë

Nga 1 janari 2019 asnjë automjet nën Euro 4 nuk do të lejohet të importohet nga jashtë në Shqipëri. Por, në Durrës, tregtarët e automjeteve të përdorura protestuan, duke thënë se me këtë vendim mbeten pa punë 5 mijë persona, përcjell albinfo.ch.

Tregtarët e makinave të përdorura në Durrës protestuan pas vendimit për moslejimin e importit të automjeteve të prodhuara para 2008-ës.

Siç raporton Top-Channel, sipas tyre, ky vendim do të thotë mbyllje e bizneseve dhe se të paktën 5 mijë persona do të mbeten pa punë.

“Një veturë e 2009-ës, më e keqja minimalisht është 5 mijë euro, plus dogana. Ne i marrim makinat nga Gjermania, Italia, Zvicra, nga të gjitha shtetet e Evropës. Kur nuk e kanë ata këtë ligj, pse duhet ta vëmë ne”, shprehen pronarët e tyre.

Një tjetër vendim, i cili do të rëndojë mbi xhepat e pronarëve, është edhe targimi i automjeteve ekzistuese deri në mars.

Vendimi për të moslejuar importimin e mjeteve nën Euro 4 për mjetet e vjetra dhe nën Euro 5 për të rejat, është një masë që shërben për të ulur nivelin e ndotjes së ajrit. Tirana është më e ndotura dhe shkaku kryesor është flota e vjetër e automjeteve që lëvizin nëpër rrugë. Mosha mesatare e tyre në Shqipëri është 16 vjet, më e larta në Evropë.