Gjuha
Shqipja në Panairin e Librit në Lajpcig
Lajpcigu nuk i ka ndarë aktivitetet me autorë nga Evropa Juglindore sipas vendeve apo gjuhëve, por në panele me autorë nga vende të ndryshme.

Më shumë se 50 autorë nga Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Sllovenia, Rumania dhe Hungaria prezantuan gjatë ditëve të Panairit të Librit në Lajpcig pjesë nga krijimtaria e tyre, duke u përcjellë lexuesve një panoramë të letërsive të Ballkanit dhe të tendencave letrare dhe temave që trajtohen në letërsinë e këtyre vendeve.
Poetë, tregimtarë, kritikë letrarë dhe ekspertë diskutuan për ndryshimet dinamike dhe ndonjëherë madje dramatike të hapësirës kulturore të Evropës Juglindore, duke sjellë në Lajpcig një larmi zërash, tekstesh, mendimesh dhe imazhesh. Të përbashkëtat mes vendeve të Ballkanit dhe përvojat me regjimet diktatoriale duke se janë tema të pashtershme për shkrimtarët dhe shkrimtaret e vendeve të Ballkanit.
Meqë viti 2014 shënon edhe 100-vjetorin e Luftës I Botërore, reflektimeve letrare rreth kësaj ngjarjeje, e cila e pati zanafillën e saj në Ballkan dhe në atentatin e Sarajevës, iu kushtua vëmendje e posaçme në këtë Panair të Librit në Lajpcig. Ndër autorët nga Ballkani që folën për këtë temë qe edhe publicisti Fatos Baxhaku, i cili ka botuar librin “Çadra e Kuqe – Histori fatesh austriako-shqiptare në shekujt XIX-XXI”.
Në vijim të një tradite tashmë disavjeçare aktivitetet e organizuara me autorët nga Evropa Juglindore në kuadrin e një projekti të përbashkët të Rrjetit Traduki, Panairit të Lajpcigut dhe shumë partnerësh të tjerë, nuk ishin të ndara sipas vendeve apo gjuhëve, por të organizuara në formën e paneleve me autorë nga vende të ndryshme.
“Kafe turke apo greke? Shqiptar apo evropian? Slloven apo jugosllav? Kështu quhej paneli në të cilën diskutuan autori shqiptar Besnik Mustafaj dhe ai slloven Goran Vojnović. Ata prezantuan përmes përvojave të jetuara, të cilat i kanë trajtuar edhe në shkrimet e tyre, qëndrimin dhe perspektivat e ndryshme ndaj stereotipeve kulturore, paragjykimeve dhe ideologjive që ndikojnë prej shekujsh përfytyrimin për tjetrin në vendin e Ballkanit, pavarësisht fqinjësisë, historisë dhe traditave të përbashkëta që reflektohen edhe në lidhjet kulturore dhe gjuhësore.
Paneli hungarezo-shqiptar, në të cilin diskutuan tregimtari i shquar hungarez Gyorgy Spiro dhe poeti, eseisti dhe prozatori i mirënjohur shqiptar, Arian Leka, i kushtohej temës “Absurdja në jetën e njerëzve në diktaturë”. Gyorgy Spiro trajton në romanin e tij “Diskretitimi” tragjedinë e një hebreu që edhe pse ishte komunist i bindur, u shpall papritur në mënyrë arbitrare si kriminel i popullit dhe armik i komunizimit.
Përmes kësaj figure autori trajton terrorin masiv në periudhën e diktaturës në Rumani. Kurse Arian Leka, duke folur për Portin e Durrësit, shkruan se një kohë që Shqipëria qe izoluar nga e gjithë bota ky port u kthye në një lloj Ministrie të Jashtme, përmes të cilit banorët e qytetit komunikonin me botën që e kishin të ndaluar ta shihinin dhe ta vizitonin.
Nën kujdesin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë prof. Matteo Mandalá, vetë arbëresh, foli për arbëreshët në Itali, gjuhën dhe kulturën e tyre dhe marrëdhëniet me popujt e tjerë të Italisë dhe të Mesdheut, si pjesë e shoqërive multikulturore dhe multietnike.
Përvoja e emigrantëve që jetojnë mes dy a më shumë gjuhësh dhe botësh ishte pjesë e panelit “Evropa Juglindore shumëzërëshe, Zvicra shumëzërëshe”.
“Në të diskutuan dy autorë me prejardhje nga Ballkani, por që jetojnë dhe krijojnë në Zvicër: liriku nga Kosova Shaip Beqiri dhe tregimtari e dramaturgu nga Rumania, Eugene Meiltz.
Beqiri shkruan në shqip, kurse Meiltz shkruan në frëngjisht.
E-Diaspora
-
Dy djemtë e dëshmorit Abdullah Bugari, histori suksesi në Austri Ata janë të rinj në moshë, por të suksesshëm me bizneset e tyre në Austri. Djemtë...
-
Shqiptari që shkaktoi aksidentin në SHBA del para gjykatës
-
Shqipëri: Emigrantët dërguan 1 miliardē euro remitenca
-
Rezistenca dhe lufta e Kosovës, e pasqyruar në dy vepra të ndryshme
-
Nga cilat vende vijnë remitencat më të larta në Shqipëri
Jeta në Zvicër
-
Ushtari zviceran me prejardhje shqiptare dyshohet për abuzim seksual me një ushtare Për shkak të dyshimit të bazuar, pjesëtari i ushtrisë ishte arrestuar përkohësisht në Davos nga policia...
-
Numër rekord i aksidenteve jashtë punës në Zvicër në vitin 2022
-
Bizneset e vogla zvicerane janë objektivat kryesore për falsifikuesit
-
Lozanë: 5000 punonjës të shtetit protestojnë për paga më të mëdha
-
Qeveria zvicerane, e shqetësuar për mungesën e ilaçeve