Lifestyle

Shqiptarët e diasporës që kanë miliona ndjekës në “Instagram”

Albinfo.ch ka analizuar profilet e shqiptarëve të diasporës të cilët kanë me miliona ndjekës në “Instagram”. Në këtë listë, prin Rita Ora

 

“Instagram” është një nga mediumet sociale më të popullarizuara në botë. U themelua në vitin 2010 nga Mike Krieger dhe Kevin Systrom si aplikacion për shpërndarjen e fotografive. Shumë shpejt mori pëlqimin e të gjithëve. Dy vite më vonë, pra në vitin 2012, rrjeti tjetër “Facebook” e bleu për 720 milion franga zvicerane. Sot, “Instagram” është ndër rrjetet me më së shumti ndjekës në botë. Personazhe të njohura publike por edhe jo publike, kanë arritur që të kenë miliona ndjekës në “muret” e tyre, ku përmes fotografive të ndryshme tregojnë jetën dhe aktivitetet e tyre të përditshme.

Albinfo.ch ka analizuar profilet e shqiptarëve të diasporës të cilët kanë me miliona ndjekës në “Instagram”.

 

Rita Ora, 12.1 milionë ndjekës!

Mbretëresha e shqiptarëve në “Instagram” padyshim se është këngëtarja e famshme, Rita Ora. Fama e saj botërore ka bërë që të jetë shumë larg shqiptarëve të tjerë edhe sa i përket instagramit. Këngëtarja e hiteve të shumta e cila vazhdon të mahnisë të gjithë me zërin e saj të mrekullueshëm dhe me sharmin e pamjes, aktualisht ka mbi 12.1 milion ndjekës në “Instagram”. Përveç publikimit të aktiviteteve të saj, ajo sa herë që i është dhënë mundësia, nuk ka ngurruar të shfaqë edhe përkatësinë e saj shqiptare, duke mbetur lobuesja më e madhe e Kosovës dhe e gjithë shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Mario Dedivanaj, 3.9 milionë

Mund të ju duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Mario Dedivanaj (Dedivanoviç) është mashkulli shqiptar që ka ndjekës më së shumti në botë. Grimeri i yjeve të njohura botërore, aktualisht ka 3.9 milion ndjekës. Mario, është me prejardhje nga Mali i Zi, ndërsa jeton në Amerikë. Famën më të madhe ai e arriti duke qenë grimeri personal i yllit të shou bizit botëror, Kim Karadashian. Për shqiptarët, Mario u bë i njohur me postimin e videos ku shihet duke folur shqip me Kim Kardashian “Sa bukur Mario…” e cila mori pëlqimin e qindra ndjekësve.

Dua Lipa, 3.8 milionë

Dua Lipa është lindur në vitin 1995 në Londër. Pas luftës, prindërit e saj bashkë me të u kthyen në Kosovë, në Prishtinë. Por, pas një kohe, ajo vendosi që e vetme të shkojë sërish në Angli për të vazhduar studimet. E filloi karrierën si modele. Duke qenë bija e rok këngëtarit Dukagjin Lipa, nuk kishte si të mos familjarizohej me këtë profesion. Kënga e saj e parë ishte  në vitin 2015 “New Love” për të vazhduar me hitin e saj “Be the One” e këngë e suksese të tjera. Kënga e fundit “New Rules” ka marrë afro 500 milion klikime. Për dy vite karrierë intensive, Dua ka arritur sukses të paparashikuara. Ajo është mjaft e pëlqyer edhe në rrjetet sociale. Vetëm në “Instagram” Dua ka 3.8 milion ndjekës, që e vendos edhe në pozitën e tretë tek shqiptarët.

Bebe Rexha

Një tjetër këngëtare e suksesshme  është edhe Bebe Rexha. Artistja me prejardhje nga Dibra e Madhe e cila jeton në Amerikë, për pak kohë karriere muzikore është në listën e këngëtarëve më të njohur në botë. Bleta Rexha e njohur për publikun si Bebe Rexha numëron këngë të shumta, prej të cilave ndër më të suksesshmet janë “Me myslef & I” dhe “Hey Mama”. Bebe, gjithashtu ka shkruar “The monster” të kënduar nga Rihanna dhe Eminem. Aktualisht Bebe ka 3.4 milion ndjekës. Këngët e saj “In Name of Love” dhe “I Got You” janë renditur për kohë të gjatë në 15-të këngët më të mira në Gjermani, Austri dhe Zvicër. Edhe Bebe, sa herë që i është dhënë mundësia ka treguar për rrënjët e saj dhe dashurinë që e ka për Shqipërinë, madje duke mbajtur koncert edhe në Tiranë.

Adnan Januzaj, 2 milionë

Zgjedhja e tij për të përfaqësuar ngjyrat e kombëtares së Belgjikës para kombëtares së Shqipërisë apo të Kosovës, ka lënë përshtypje të hidhur për shqiptarët kudo që jetojnë. Karriera e tij pati një ngritje të jashtëzakonshme sa ishte pjesë e “Mançester Junaited”-it por, nga ndërrimi i skuadrave dhe mos ambientimi i mirë me ekipe të ndryshme, Januzaj, zbehu shkëlqimin. Ai, së fundi luan në Real Socieded në Spanjë. Pavarësisht kësaj, futbollisti Adnan Januzaj vazhdon të pëlqehet, veçanërisht nga bashkëmoshatarët e tij nëpër botë. Në rrjetin “Instagram”, Adnani ndiqet nga 2 milionë ndjekës. Kjo e bën atë, sportistin shqiptar më të pëlqyer sa i përket kësaj medie sociale.

Granit Xhaka, 1.1 milion

Me shkuarjen e tij në klubin e Arsenalit në Angli, Granit Xhaka duket se ka bërë hap të drejtë. Përfaqësuesi i kombëtares zvicerane, jo vetëm që arriti të firmoste një kontratë të madhe dhe të bëhet edhe fitues i kupës angleze, por përfitoi edhe miliona ndjekës. Fotografitë e shumta nga jeta sportive por edhe private, në veçanti publikimi i shpeshtë i fotografive me bashkëshorten Leonitën, ka bërë që ai të i këtë 1.1 milion ndjekës. Në “konton” e tij në “Instagram” çdo ditë shtohen me qindra ndjekës që e pëlqejnë atë si futbollist por edhe si person.

Xherdan Shaqiri, 1 milion

Kur jemi te shifrat milionëshe të ndjekësve, nuk qëndron keq as kolegu i Granitit te përfaqësuesja zvicerane, shqiptari tjetër Xherdan Shaqiri. Shaqa, një kohë ishte futbollisti më i ndjekur shqiptar, por prezenca e tij në një klub mesatar në Angli siç është “Stoke City” dhe paraqitjet jo të rregullta, kanë bërë që ndjekësit të mos i shtohen në numër të madh. Megjithatë, ai vazhdon të këtë mbi 1 milion njerëz që e përcjellin rregullisht dhe që janë të interesuar të shohin secilën fotografi që ai e poston.