Lajme

Përse shqiptarët me të drejtë vote duhet të marrin pjesë në zgjedhjet në Lozanë

Flasin: Driton Kajtazi, drejtor i ISEAL-it, mësimdhënës në një kolegj në Yverdon të Zvicrës dhe Fatime Kalimashi, poete dhe aktiviste e komunitetit shqiptar

Më 7 mars 2021 mbahen zgjedhjet komunale në Lozanë. Në këtë qytet, që është kryeqytet i Kantonit Vaud dhe ndër më të mëdhenjtë në Zvicër, si kudo, ka edhe mjaft shqiptarë me të drejtë vote.

Albinfo.ch me këtë rast ka pyetur dy personalitete të komunitetit shqiptar të Lozanës e më gjerë, rreth rëndësisë së këtyre zgjedhjeve dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve në to.

Fjala është për Driton Kajtazin, drejtor i ISEAL-it (Instituti për Studime Shqiptare në Lozanë) dhe mësimdhënës në një kolegj në Yverdon të Zvicrës dhe Fatime Kalimashin, poete dhe aktiviste e komunitetit të këtushëm shqiptar.

Albinfo.ch: Përse është me rëndësi për komunitetin shqiptar të Lozanë të votojë më 7 mars 2021?

Driton Kajtazi: Është me rëndësi të votojmë sepse, fillimisht është e drejtë dhe e arritur madhore e demokracisë në përgjithësi por edhe për imigrantët në veçanti. Është e drejtë e fituar me mund e në mënyrë progresive. Dhe është mundësia më e mirë të vendosim për jetën tonë të përditshme sepse më shumë se zgjedhjet në nivel qendror, zgjedhjet lokale e prekin përditshmërinë tonë.

Albinfo.ch: Pse shqiptarët votojnë pak sipas jush?

Driton Kajtazi: Nuk kam ndonjë statistikë për të mohuar apo pohuar nëse shqiptarët votojnë pak por edhe ashtu votohet pak në përgjithësi në Zvicër. Përqindja e ulët është në votime edhe tek zviceranët autoktonë. Në vitet `90 kishte zbritje votimi deri në vetëm 28 % përderisa në shekullin XXI është bërë një ngritje e lehtë dhe tani rreth 45% e popullatës votojnë. Ka shumë faktorë që ndikojnë për gurrim në pjesëmarrje në votime sikur: aspekti gjuhësor, njohja e sistemit, njohja e partive politike dhe e kandidatëve, informimi jo i duhur, etj.

Albinfo.ch: Mos nuk e kuptojnë si duhet sistemin e votimit?

Driton Kajtazi: Kjo ndikon në një masë por nganjëherë edhe frika nga e panjohura shkakton një dozë ngurrimi. Mos-motivimi me politikën vendore këtu apo preokupimi më shumë me politikën nga vendet e prejardhjes, bën që sistemi të mos jetë sa duhet i njohur sepse nuk mungojnë shpjegimet e seancat informative për një njohje më të mirë të sistemit të votimit. Por edhe mos- interesimi për sistemin e votimit ndikon në njohjen e sistemit të votimit.

Albinfo.ch: Si ta përmirësojmë këtë realitet?

Me seanca informimi por edhe me nxitje e inkurajim të ndërsjellë në mes nesh. Me një vetëdijesim se vota e secilit nga ne ndikon në mirëqenien tonë në vendin ku frymojmë e jetojmë.

Albinfo.ch: A do të mbështetni kandidatë të caktuar dhe për ç’arsye?

Driton Kajtazi: Secili person që voton e ka një arsye : personale, bindje shpesh subjektive, këndvështrime ideologjike, interesa të ndryshme, kureshtje, votë sanksioni etj. Kandidatin apo kandidatët që do të mbështes duhet të jenë me virtyte njerëzore, progresiste dhe vizionare. Kuptohet edhe të mos jenë me veprime e deklarime që nuk përkojnë me realitetin por që stigmatizojnë shqiptarët në veçanti dhe të huajt në përgjithësi. Do të mbështes këtë profil të kandidates e kandidatit.

Fatime Kalimashi, poete dhe aktiviste e komunitetit shqiptar në Lozanë

Poetja dhe aktivistja shqiptare, Fatime Kalimashi, e pyetur nga albinfo.ch përse do të votojë, thotë: “Së pari për arsye të të drejtës që na takon. Mendoj se votimi është shumë i rëndësishëm në përfaqësimin dhe integrimin e komunitetit shqiptar si dhe sensibilizimin dhe favorizimin në përgjithësi”.

Ndërsa lidhur me perceptimin se shqiptarët e këtushëm votojnë pak, ajo ka këtë mendim: “Arsyeja e mos votimit apo arsyetim që përdoret nga ata që nuk votojnë është se në shumicën e rasteve nuk ndihen të barabartë me disa komunitete tjera për t`i gëzuar disa të drejta, ndërsa ne si shqiptarë ndihemi më të anashkaluar në disa sfera…

Sa i përket mos njohjes së sistemit të votimit, për shqiptarët apo ata të cilët janë të interesuar, ka edhe forma tjera të votimit, thjesht kur duam, bëjmë zgjidhje. Në raste eventuale kërkohet ndihmë, të pakët janë ata që nuk dinë të votojnë! Ka edhe të tillë që nuk kanë interes!

E pyetur nëse do të mbështesë kandidatë të caktuar në këto zgjedhje dhe për çfarë arsye, zonja Kalimashi thotë: “Kur kemi pranuar të marrim nënshtetësinë zvicerane dhe jemi betuar se do të votojmë dhe do të pranojmë çdo gjë që është e ligjshme, ky ka qenë edhe kushti kryesor për të pasur pasaportën zvicerane, edhe pse jemi 100% shqiptarë me gjak e me zemër! Sigurisht që do t‘i mbështes për arsyen që fëmijët tanë të kenë një perspektive më të mirë, natyrisht për një të ardhme dhe një jetë më të sigurt!

Më 7 mars 2021 mbahen zgjedhjet në Lozanë. Qytetarët ballafaqohen me një zarf të mbushur me dokumente, që për shumë nga ta nuk duket edhe aq e lehtë. Pra: si të votojmë? Linku dhe videon në vijim sqaron të gjitha, janë të gjitha udhëzime se si të votohet.

www.lausanne.vote

Shihemi më 7 mars 2021!

 

 

 

 

 

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI