Bota

Shtëpia e Bardhë nuk merr pjesë në procesin e shkarkimit të Trumpit

Shtëpia e Bardhë tha se nuk do të marrë pjesë në seancat e ardhshme dëgjimore për procesin e shkarkimit të presidentit, që mbahen nga Komiteti Gjyqësor i Dhomës së Përfaqësuesve.

Në një letër drejtuar kryetarit të Komitetit, Jorrold Nadler, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone, ka thënë se hetimet për procesin e shkarkimit të presidentit, të udhëhequra nga demokratët, janë “të pabaza”.

Një seancë për procesin e shkarkimit të presidentit Donald Trump është caktuar të mbahet javën e ardhshme, për të shqyrtuar se çfarë akuzash do të mund të ngriten ndaj presidentit, përcjell albinfo.ch.

Në letrën e Shtëpisë së Bardhë nuk është dhënë ndonjë arsye specifike për mospjesëmarrjen në këtë seancë.

Por, Cipollone në këtë letër ka akuzuar ligjvënësit demokratë se po humbin kohën e amerikanëve me këtë procedurë, duke e cilësuar si “abuzim me pushtetin”.

“Çfarëdo rruge që zgjidhni, siç ka thënë presidenti së fundmi: ‘Nëse doni të nisni procedurat e shkarkimit, bëjeni tani, shpejt, në mënyrë që të ketë një gjyq fer në Senat’”, ka shkruar Ciopollone në letrën e tij.

Dhoma e Përfaqësuesve, që udhëhiqet nga demokratët, ka hetuar për dy muaj nëse presidenti Trump ka kryer krime, që do të mundësonin shkarkimin e tij.

Në qendër të hetimeve është biseda telefonike e 25 korrikut ndërmjet Trumpit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ku gjatë bisedës Kievi është nxitur të nisë hetime ndaj rivalëve politikë të Trumpit.

Shtëpia e Bardhë kishte ndaluar ndihmën ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 391 milionë dollarësh para kësaj telefonate, por kjo ndihmë iu dha Kievit në muajin shtator.