Jeta në Zvicër

Shtetasi bullgar arratiset nga policia zvicerane në brekë, por me 165 km/h

Një shtetas bullgar ishte arratisur nga një pikë kontrolli të policisë zvicerane, me shpejtësi prej 165 km/h. I alkoolizuar dhe në brekë, ndërsa tani është dashur të përgjigjet para Gjykatës rajonale në Brugg, shkruan "Aargauer Zeitung"

Ishte një ndjekje që përfundoi me një arrestim si në filma aksionarë, në mes të autostradës A1 në Lenzburg. Në një natë të premte, në nëntor të vitit të kaluar, bullgari i dehur S.L. po voziste nga Bazeli në drejtim të Bernës, në autostradën A3. Për një moment, një patrullë e policisë kantonale ka dashur ta ndalonte për kontroll në Effingen të Fricktalit, mirëpo 36-vjeçari arratiset. Vozitja e tij e tmerrshme zgjati plot 25 kilometra. Vetëm një kolonë e shkaktuar artificialisht ka mundur ta ndalë.

Gjatë vozitjes së tij, ai ka kryer disa delikte, ka vlerësuar Gjykata rajonale e Bruggut: shkelje të shumta të rregullave të trafikut, ngjarje në gjendje të paaftë, etj. Përpos kësaj, në gjak i janë konstatuar 1.9 promila alkool, transmeton Albinfo.ch.

Deri në momentin që policia e arrestoi (në brekë, këmbëzbathur dhe me 9000 franga në portofolin e tij), ai po voziste edhe më tej me një shpejtësi masive të tepruar. Në afërsi të Othmarsingenit, ai arriti shpejtësinë prej 165 km/h, në vend të 80 km/h të lejuara.

I akuzuari nuk bëri asnjë përpjekje për të mbrojtur veten para gjyqtarëve. Gjykimi u zhvillua në një procedurë të shkurtuar, domethënë mbrojtësi i të akuzuarit dhe prokurori u pajtuan  për një gjobë në prag të gjykimit. Ai kishte pirë dy, tri kanaçe birrë dhe një vodka pak atë ditë, ka pohuar i pandehuri, sytë e tij nuk kishin shikim të caktuar dhe supet e tij i kishte ngritur, shkruan më tej Albinfo.ch.

Ai gjithnjë po përsëriste se ishte nën presion të rëndë gjatë kohës së ndjekjes: “Unë dhe gruaja ime ishim në proces të divorcit”.

S.L. nuk i mohon akuzat dhe i vjen keq se si është sjellë asaj nate. Megjithatë, ai këmbënguli se sjellja e tij rrezikoi askënd. Në fund të fundit, vetura e tij nuk kishte prekur asgjë dhe askënd gjatë gjithë ndjekjes. Në të ardhmen nuk do të vozisë asnjëherë në gjendje të dehur dhe shumë shpejt.

Gjykata rajonale e Bruggut të akuzuarin e shpalli fajtor në të gjithë aspektet: 16 muaj burg dhe një gjobë prej 8.000 frangash, të dyja të kushtëzuara. Për më tepër, i pandehuri duhet të paguajë edhe një gjobë prej 2.000 frangash dhe shpenzimet gjyqësore. Vetëm periudha afatit provues është rritur: në vend të dy viteve, S.L. do të ketë afat provues prej tre vitesh, shkruan më tej Albinfo.ch.

Gjatë seancës gjyqësore, presidenti i trupit gjykues ka vlerësuar se ai ka qenë i pamëshirshëm në vozitje, duke rrezikuar jetën e të tjerëve. Mandej e ka këshilluar që të ketë kujdes gjatë afatit provues pasi: “Pastaj fëmijët tuaj do të duhet t’ju vizitojnë në burg”.

Tani më është sqaruar pyetja përse ai ka pasur 9.000 franga, të holla me vete: Të hollat ai i kishte fituar nëpërmjet shitjes së dy veturave të përdorura, njofton Albinfo.ch.

Kjo shumë i është marrë për të mbuluar shpenzimet e procedurës. “I pandehuri kishte vetëm një dosje penale nga një delikt prone disa vite më parë. Prandaj, ne supozojmë se ai do të provojë të stabilizohet gjatë afatit të tij provues”, thotë prokurori Christoph Rüedi pas gjykimit.

Mbetet e paqartë se përse bullgari me vendbanim në Gjenevë, asaj nate voziste në brekë.