Lajme

Shtetësia përmes martesës: Çfarë ndodh me pasaportën tuaj zvicerane në rast divorci?

Çdo vit, mijëra të huaj natyralizohen përmes martesës me një zviceran. Por çfarë ndodh me shtetësinë tuaj nëse çifti divorcohet? Përgjigja është: varet

Një nga mënyrat se si një shtetas i huaj mund të marrë nënshtetësinë zvicerane (përmes një procedure natyralizimi të lehtësuar) është përmes martesës. Në shumicën e rasteve, shtetësia e marrë në këtë mënyrë është e përjetshme (edhe nëse martesa nuk është), por ka edhe situata kur është e kundërta, shkruan The Local, përcjell albinfo.ch.

Nëse mund ta mbani apo jo pasaportën tuaj zvicerane varet nga rrethanat e martesës dhe divorcit tuaj.

Rregulla strikte

Disa njerëz besojnë se martesa me një zviceran është një rrugë e shpejtë dhe e lehtë për një pasaportë – në fakt, nuk është asnjëra.

Ndërsa deri në vitet 1980 ishte e mundur të bëheshe shtetas automatikisht pas martesës, kjo nuk ka qenë kështu në dekada.

Megjithëse martesa ende ofron një rrugë më të lehtë drejt natyralizimit, disa kushte duhet të plotësohen për t’u kualifikuar. Për shembull, kandidatët për natyralizim përmes martesës duhet të kenë jetuar të paktën pesë vjet në Zvicër, të kenë kaluar vitin para aplikimit në vend dhe të kenë qenë të martuar dhe të kenë jetuar me shtetasin zviceran për të paktën tre vjet. Kjo siguron që një i huaj të martohet me një shtetas zviceran për të gjitha arsyet e duhura – domethënë dashurinë – dhe jo thjesht për të marrë një pasaportë, përcjell tutje albinfo.ch.

Çfarë ndodh me shtetësinë nëse çifti megjithatë shkojnë në rrugë të ndara?

Nëse ata qëndrojnë së bashku për disa vite, dhe veçanërisht nëse fëmijët kanë lindur gjatë martesës, atëherë shtetësia ka të ngjarë të mbetet e paprekur.

Megjithatë, nëse autoritetet dyshojnë për rrethanat e divorcit, shtetësia mund të hiqet.

Një shembull i tillë mjaft i fundit përfshin një grua marokene të martuar me një burrë zviceran 15 vjet më i madh se ajo. Pasi u natyralizua përmes procesit të lehtësuar, ajo u nda nga i shoqi vetëm disa muaj më vonë.

Më pas ajo u martua përsëri në Liban, duke ngritur dyshime tek autoritetet zvicerane për motivet e fshehta pas martesës së saj në Zvicër. Pasi hetoi rrethanat e ndarjes së çiftit dhe arriti në përfundimin se gruaja u martua shprehimisht për të marrë një pasaportë zvicerane, Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) e revokoi natyralizimin e saj. Ndonëse kjo mund të duket si një dukuri e rrallë, në fakt nuk është: mesatarisht, SEM anulon afër 50 natyralizime çdo vit pas një divorci.

Natyralizimi mund të anulohet “brenda dy viteve pas zbulimit të rrethanave ligjore relevante dhe, më së voni, brenda tetë viteve pas momentit kur personi i natyralizuar fitoi shtetësinë zvicerane”, tha SEM.

Në raste të tilla, personi duhet të largohet nga Zvicra.

Situata ekstreme

Në rrethana të caktuara (ndonëse duhet pranuar të rralla), martesat e rreme mund ta lënë të huajin në shumë telashe.

Një skenar i tillë do të lindte nëse i huaji hiqte dorë nga shtetësia e tij ose e saj origjinale pas martesës, në vend që të ruante shtetësinë e dyfishtë.

Kjo në fakt i ndodhi në vitin 2008 një burri nga Angola pasi martesa e tij me një zviceran – përmes së cilës ai mori nënshtetësinë zvicerane – përfundoi në divorc.

SEM revokoi natyralizimin e tij, por, duke mos pasur më pasaportë Angolan, burri mbeti pa shtetësi. Kjo krijoi një rebus, pasi ligji ndërkombëtar i ndalon vendet që t’i bëjnë njerëzit pa shtetësi. Nëse kjo ndodh megjithatë, individi pa shtetësi ka “të drejtën të qëndrojë rezident në Zvicër (leje qëndrimi B)”, sipas SEM. “Nëse një person pa shtetësi i njohur ka kryer një vepër penale…ato konsiderohen si ekuivalente me refugjatët.”