Botërori 2026

Shtyhet fluturimi i kombëtare gjermane për shkak të një pasaporte

Kështu skuadra gjermane hyri në avion për t’u nisur drejt Bostonit 22 minuta më vonë nga orari që ishte përcaktuar

Fluturimi i skuadrës gjermane për në Boston për ndeshjen e 1/16 të finaleve të Kupës së Botës me Paraguain u shty për shkak të një pasaporte.

Një prej anëtarëve të stafit e kishte harruar dokumentin dhe sipas të përditshmes gjermane Bild një shofer arriti ta marrë atë dhe ta sjellë në aeroport për ta dorëzuar te punonjësi i sigurisë.

Kështu skuadra gjermane hyri në avion për t’u nisur drejt Bostonit 22 minuta më vonë nga orari që ishte përcaktuar. Dhe e gjithë kjo ishte pasi detektorët e metaleve në zonat e sigurisë së aeroportit sinjalizuan vidat në këmbën e djathtë e portierit Neuer, transmeton albinfo.ch.

Ishte kjo një peripeci e vogël për skuadrën gjermane me futbollistët që gjithsesi e kaluan në mënyrën më të mirë të mundshme me Neuer dhe Musialën që nënshkruanin autografë për fansat që ishin mbledhur në aeroport. Gjermania shkon në ndeshjen me Paraguain si favorite për të fituar në këtë raund, por duhet kujtuar që në ndeshjen e fundit në grupin e saj ajo u mund nga një skuadër amerikanolatine, Ekuadori 2-1 me këtë të fundit që i ndërpreu Die Mannschaft serinë e 11 fitoreve.