Tematike

Shtypi zviceran bën paralele me vrasjen e fëmijës shqiptar në Bazel

Në mars të këtij viti, një grua e moshuar me probleme psikike therri një vogëlush 7 vjeçar me prejardhje nga Kosova. Askush, (as nga SVP) nuk u ngrit t`i jepte konotacion politik vrasjes...

Krimi që ndodhi të hënën në Frankfurt, kur një 40 vjeçar nga Eritrea, me qëndrim në Zvicër u bë shkaktar i vdekjes së një djali 8 vjeçar, po vazhdon të trajtohet me të madhe në mediet zvicerane, shkruan albinfo.ch. Pas lajmeve të agjencive dhe të portaleve rreth hollësive të rastit, tani edhe gazetat serioze kanë dalë me komentet e tyre ku trajtohet në veçanti aspekti politik i tragjedisë së ndodhur në Stacionin Hekurudhor të Frankfurtit.

Siç është raportuar tashmë, ngjarja tragjike në Frankfurt ka ngjallur resentimente të urrejtjes ndaj të huajve në Gjermani dhe në Zvicër. Janë shtuar me të madhe zërat kundër politikës së migrimit që ka ndjekur Gjermania gjatë viteve të fundit. Partitë e ekstremit të djathtë si AFD por edhe segmente tjera në shoqërinë gjermane janë duke i prirë këtij diskursi kundër të huajve, duke pasur si mbështetje aktin kriminal që ndodhi të hënën, ka shkruar gazeta NZZ.

Ndërkaq, gazeta “Tages Anzeiger”, përmes një komenti godet partinë SVP për profitin që ajo po provon ta nxjerrë nga ngjarja në Frankfurt, shkruan albinfo.ch. “Urra, ishte një eritrean!” mban titullin artikulli, i cili shënjestron “gëzimin” e partisë së përmendur, pasi që kjo vrasje mund t`i shërbejë asaj fare mirë për fshatën e zgjedhjeve parlamentare që mbahen në tetor të këtij viti. Sipas gazetës, SVP tashmë ka gjetur moton e kërkuar për këto zgjedhje.

Ajo që po ndodh është se rasti tragjik po shërben për nxehjen e gjakrave për synime politike. Mirëpo, kujton gazeta, në mars të këtij viti, një grua e moshuar me probleme psikike therri me thikë një vogëlush 7 vjeçar me prejardhje nga Kosova, transmeton albinfo.ch. Askush, (as nga SVP) nuk u ngrit t`i jepte konotacion politik vrasjes. Asnjë nuk kërkoi që të gjithë pleqtë në të ardhmen të çohen në mënyrë konsekuente në shtëpi të pleqve, pasi që janë therrës potencialë të fëmijëve. E pra, vrasësja ishte plakë zvicerane dhe viktima, një fëmijë nga Kosova”, shkruan gazeta zvicerane.

Ndërsa dega e SVP-së për Cyrih , në një deklatratë të saj ka shkruar: “SVP e Cyrihut kritikon prej kohësh politikën neglizhuese të butë të azilit kundrejt eritreanëve. Ky akt mizor tregon edhe njëherë se te këta persona kemi të bëjmë me dhunues të paintegrueshëm të cilët s`kanë çfarë të kërkojnë në Zvicër. SVP e Cyrihut konstaton se një vrasje e tillë mund të ndodhë në çdo kohë edhe në Zvicër”.

Ndërsa përgjigja e gazetës është: “Mund të ndodhë gjithsei. Ose ka ndodhur tashmë. Në mars, në Bazel. Kur një plakë e sëmurë mentalisht nga Zvicra, therri një nxënës nga Kosova. E tmershme”.