Lajme

Si e ndryshoi tenisin Roger Federer, një ikonë suksesi

Zvicerani, i cili fitoi 20 tituj Grand Slam, konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë në historinë e tenisit.

Duke luajtur ndryshe, duke stimuluar rivalët e tij të të gjitha kohëve dhe duke u bërë i dashuri i publikut, Roger Federer arriti në majat e tij, transmeton albinfo.ch.

Kur Roger Federer hyri në skenën kryesore profesionale, në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, tenisi po përjetonte një ndryshim të madh, i cili do të vazhdonte edhe më pas. Pra, po zhvillohej një stil loje më i rafinuar, më i sofistikuar dhe më i fuqishëm, veçanërisht për shkak të disa përmirësimeve në teknologjinë e raketave dhe në materialet me të cilat ato bëheshin, si dhe kombinuar me faktin se lojtarët ishin gjithnjë e më shumë të përgatitur fizikisht.

Gjithashtu, në një sport konservator dhe tradicional si tenisi, kishte shumë nostalgjikë në atë periudhë dhe që pretendonin epërsinë e brezave të vjetër të tenistëve ndaj atyre të rinjve. Pak a shumë, 24 vjet më vonë, në moshën 41-vjeçare Roger Federer njoftoi tërheqjen e tij nga ky sport. Mund të thuhet se tenisi ka ndryshuar shumë, sepse fuqia e goditjeve është bërë akoma edhe më e rëndësishme, performanca fizike e lojtarëve ka ndryshuar shumë, mënyra e mbajtjes së raketave, që për të shfrytëzuar në maksimum karakteristikat e tyre dhe niveli fizik i sportistëve ka sjellë lojtarë me zakone ushqimore dhe atletike në disa raste pothuajse ekstreme.

Megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe tenisi ka qenë jashtëzakonisht i ndikuar dhe dominuar nga Federer, një lojtar i admiruar për elegancën e lëvizjeve dhe përsosjen e gjuajtjeve, talenti i të cilit i shfaq spektatorit lojtarin që s’ka nevojë të sforcohet aq shumë fizikisht; pra, e kundërta e brutalitetit muskulor dhe konkurrues me të cilin lidhet tenisi modern.

Komentuesit më të mirë të karrierës së tij sportive janë mbështetur gjithmonë në përshkrime jo fort racionale, por shumë emocionale, duke folur më shumë për rezultatet që mjeshtëria e Federerit solli, sesa për shkaqet që e bënë të mundur. Sot, lista e sukseseve të tij të shumta, e ndihmon atë për ta vendosur në mesin e më të mirë: 103 turne të fituara, 20 fitore në turnetë e Grand Slam-it.

Në letrën që njoftonte daljen në pension, Federer shkruante: Mu dha një talent i veçantë për të luajtur tenis dhe e çova atë në një nivel që nuk e kisha imagjinuar kurrë, shumë më shumë sa e kisha menduar ndonjëherë. Në fakt, tenistët e talentuar si Federer zakonisht kanë kulme të mëdha, por pavarësisht përpjekjeve ata s’mund të qëndrojnë shumë gjatë në këto nivele.

Federer nuk ka qenë gjithmonë profesionisti që nderohet nga miliona tifozë, përkundrazi në fillim të karrierës së tij, në nivelin e të rinjve dhe më pas në vitet e para të karrierës, ai u konsiderua si një talent rebel, që thyente raketat kur humbte, që lyente flokët me ngjyrë të verdhë për t’u ndjerë ndryshe dhe që mbi të gjitha humbi shumë ndeshje, madje edhe ndaj kundërshtarëve shumë më inferior ndaj tij, në fund të fundit, ishte ai që po e shpërdoronte talentin e tij.

Federer ka lindur në Bazel, në vitin 1981 nga një baba zviceran dhe një nënë afrikano-jugore. Thuhet se familja e tij e mbështeti shumë në karrierë, duke i zhvilluar akoma edhe më shumë talentin. Ai kishte shfaqur një pasion për sporte të ndryshme, veçanërisht në futboll, por rreth moshës 14-vjeçare e la futbollin për t’iu përkushtuar plotësisht vetëm tenisit, ku shfaqte premisa të qarta për të shkëlqyer. Trajneri i tij i parë ishte ish-tenisti Australian Peter Carter, të cilin Federer shpesh e përmend si faktor themelor për zhvillimin e lojës së tij, veçanërisht nga pikëpamja teknike, forehand dhe backhand, ku ai spikat më shumë.

Me Carter, i cili vetë kishte qenë një tenist modest, ai krijoi një lidhje shumë të veçantë mes studentit dhe mësuesit. Së bashku, ata u transferuan në Ecublens, ku ishte qendra kombëtare e stërvitjes zvicerane dhe për këtë arsye jo shumë larg shtëpisë, në vend të akademive të mëdha që shumë bashkëmoshtarë të tij shkuan në Spanjë ose Florida, në Shtetet e Bashkuara.

Performanca e tij ishte shumë e luhatur, por ai u bë i njohur në botë, duke fituar turneun e të rinjve të Wimbledon në moshën 16-vjeçare, në të njëjtën fushë ku disa vite më vonë do të përjetonte emocionet më të mëdha të karrierës së tij. Për momentin Federer është tenisti që ka fituar disa herë (8-të) në historinë e Wimbledon, një nga katër turnetë e Grand Slam-it dhe më prestigjiozi nga të gjithë.

Kjo është edhe një pjesë e arsyeve se pse talenti i tij konsiderohet më i “pastër” se të tjerët; sepse është shprehur gjithmonë më mirë se të tjerët në fushat me bar, ku janë luajtur tre nga katër Grand Slam-et deri në vitet 1970.

Pas fitores në Wimbledon juniors presioni mbi të u rrit. Shenjtërimi i tij erdhi në vitin 2001, përsëri në Wimbledon, ku ai mundi amerikanin Pete Sampras në pesë sete. Ai vazhdoi të ngjitej në majë shumë ngadalë, ndërsa talenti i tij i madh shfaqej komplet qartë nga të gjithë, por megjithatë konsiderohej një humbës. Siç shkruante Emanuele Atturo në biografinë e tij, Roger Federer ekzistonte me të vërtetë, ai filloi “të trajtohej si tenisti më i mirë në botë që nuk ka fituar kurrë një Grand Slam”. Është diçka e çuditshme ta mendosh sot, pasi Federer ka qenë një nga tenistët më të suksesshëm në ato turne për shumë vite. Ai është kaluar vetëm nga Gjokoviç dhe Nadal.

Sampras dhe Federer, në fund të ndeshjes

Në vitin 2002, Peter Carter, vdiq në një aksident në Afrikën e Jugut, me të cilin Federer kishte qëndruar shumë afër, edhe pse nuk kishte qenë trajner i tij për gati dy vjet. Sipas Federer, ajo ngjarje tragjike ndryshoi karrierën dhe qasjen e tij ndaj tenisit. Ai është shprehur më vonë se nga ai moment, mendoi të bëhej kampioni që Carter kishte vënë re tek ai. Në një intervistë për CNN, në 2019, Federer tha: “Unë mendoj se ai nuk donte që unë të isha një talent i humbur. Prandaj, vdekja e tij, besoj se më nxiti të stërvitem akoma edhe më fort.

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI