Tematike

Si të bëhem kosovar-e?

Qytetarët nuk i njohin kushtet për marrjen e shtetësisë kosovare, përpos faktit se kanë të drejtë të kenë shtetësi të dyfishtë

Aplikimet për certifikata të lindjes, për fletë-udhëtim me aeroplan drejt Kosovës, për dokumente të tjera civile, si dhe vërtetime të çdo lloji, mund të kryhen edhe pranë konsullatave të Kosovë në Gjenevë dhe në Cyrih.

Për të kuptuar se si mund të bëhet kërkesa për shtetësi kosovare, në veçanti për gjeneratat e dyta si dhe çiftet e përziera, albinfo.ch vizitoi Konsullatën e Kosovës në Gjenevë. Konsullata e Kosovës në Gjenevë përfshin në qarkun e vet konsullor kantonet Gjenevë, Vaud, Valais, Fribourg dhe Neuchâtel.

Në katin e pestë, hapet dera e konsullatës. Z. Benjamin Nikoliqi, konsull i Kosovës në Gjenevë, me një buzëqeshje bujare më uron mirëseardhjen në Konsullatën e Republikës së Kosovës.

Me të hyrë brenda, me një vështrim të shpejtë zbuloj hapësirën e madhe të stolisur me mobilje të pakta por elegante. Muret e lyera rishtas shprehin harenë dhe ekzaltimin e një nisme të re. Këtu çdo gjë ka vrullin e zanafillës.

Z. B. Nikoliqi tregohet shumë i gëzuar për prezencën tonë, dhe shton se ka dëshirë që qytetarët kosovarë të ndjehen mirë në konsullatën e tyre, prandaj edhe i kushton një kujdes të veçantë mirëpritjes së mysafirëve të tij.

Gjatë këtij takimi, Z. Nikoliqi me dëshirë pranoi të sqarojë çëshjten se si mund të bëhesh shtetas kosovar-e, pyetje që pason nga kërkesa të shumta që na janë bërë nga të reja dhe të rinj me prejardhje kosovare që janë shtetas zviceranë dhe që dëshirojnë të bëhen po ashtu edhe shtetas kosovarë.

albinfo.ch: A mund të na thoni se kush ka të drejtë të bëhet kosovar?

Konsulli: Shumë thjesht. Shtetësia e Republikës së Kosovës fitohet në shumë raste. Për shembull, shtetësia në fjalë mund të fitohet në bazë të lindjes në Republikën e Kosovës, në bazë të vendbanimit, të martesës me një shtetas/e kosovar/e, por edhe në bazë të shtetësisë së prindërve. Ndryshe, mjafton që njëri nga prindërit të jetë kosovar për të fituar të drejtën e shtetësisë. Ndërkaq, mund të cekim edhe bazën e adoptimit, natyralizimit etj. albinfo.ch: Më konkretisht, një i mitur apo një i rritur, i lindur me shtetësi zvicerane, a mund t’i drejtohet konsullatës për të kërkuar shtetësinë kosovare?

Konsulli: Të gjithë qytetarët kanë mundësi të na drejtohen sepse ne vetëm atëherë mund t’i udhëzojmë për procedurat përkatëse.

Në këtë rast, të interesuarit duhet të prezantojnë certifikatën e lindjes. Por me që ai ka lindur në Zvicër, atëherë certifikata e lindjes së prindërve mjafton. Sepse i interesuari ka për detyrë të dëshmojë se ka prejardhje nga Kosova. Dokumenti në fjalë përbën një dëshmi për organin kompetent, i cili është Ministria e Punëve të Brendshme. Kjo dëshmi është kushti i parë që duhet plotësuar për të pasur mundësi të shkojë më tej.

Ndryshe, çdo fëmijë me një apo dy prindër kosovarë gëzon të drejtën e marrjes së shtetësisë kosovare. 

albinfo.ch: Në rast se prindërit nuk e kanë atë certifikatë, a mund ta bëjnë kërkesën në konsullatë?

Konsulli: Jo, konsullata nuk lëshon dokumente të tilla, ato mund të lëshohen vetëm nga administrata vendase: Prandaj, për një certifikatë të tillë, i interesuari i drejtohet komunës përkatëse në Kosovë. 

albinfo.ch: Na tregoni se çfarë ndodh kur personi në fjalë paraqitet në zyrën tuaj me një kërkesë të tille?

Konsulli: Të interesuarit, gjatë vizitës së tyre në konsullatë, do t’i kërkohet të mbushë formularin të cilin konsullata pastaj ia dërgon departamentit përkatës në Kosovë. Ndryshe, lënda kompletohet këtu në konsullatë, kurse atje (në Kosovë) ajo shqyrtohet. Prandaj është e rëndësishme të nënvizohet se të gjitha dokumentet përpunohen në Kosovë, përpos fletudhëtimit. 

albinfo.ch: Përsëri në lidhje me procedurën, pas dërgimit të kërkesës, kujt i vjen vendimi, konsullatës apo aplikuesit?

Konsulli: Vendimi vjen pranë konsullatës dhe ne pastaj ia transmetojmë lajmin kërkuesit.

albinfo.ch : Cila është taksta konsullore për këtë shërbim ?

Konsulli: Kjo varet nga kategoria. Për aplikim është 20 euro, kurse në rast të vendimit pozitiv, aplikuesi paguan 180 euro, respektivisht 80 euro për të mitur.

albinfo.ch: Sa kohë merr tërë kjo procedurë?

Konsulli: Nuk mund të përcaktoj kohëzgjatjen e një procedure të tillë për shkak se nuk kemi pasur ende raste të tilla. 

albinfo.ch: A do të thotë kjo që qytetaret me origjinë kosovare nuk janë sa duhet të interesuar për shtetësinë kosovare?

Konsulli: Është e vërtetë që, me përjashtim të një rasti, ne nuk kemi hasur në situata të tilla. Por besoj se aktualisht qytetarët ende nuk i njohin kushtet për marrjen e shtetësisë kosovare. Sidomos, nuk janë në dijeni se ata kanë të drejtë të kenë shtetësi të dyfishtë. Dhe që në shumicën e rasteve, njëra nuk rrezikon tjetrën.

Konsulltoni Ligjin për shtetësinë e Kosovës.