Kosova

S’ka liberalizim vizash as këtë vit, kritikohen institucionet

Haradinaj pati deklaruar se është vetëm çështje javë liberalizimi i vizave

Çështja e liberalizimit të vizave ka ndarë në dysh partnerët e koalicionit qeverisës, tashmë në largim. Derisa kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, deklaron se vendimi për liberalizim të vizave për Kosovën është çështje javësh kur do të merret, të njëjtën gjë nuk e thotë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Ky i fundit nuk preferon të japë afate kohore se kur pritet që Kosova të marrë liberalizimin e vizave, përcjell albinfo.ch.

Vetëm një ditë para se të jepte vendimin për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e kryetarit të qeverisë, kryeministri tashmë në dorëheqje, Ramush Haradinaj, pati deklaruar se është çështje javësh kur Kosova do ta marrë lajmin e merituar për liberalizimin e vizave.

“Çështja e liberalizimit të vizave më vjen keq që ditë më ditë një vit nuk është kryer, por po ashtu po dëgjojmë lajme të mira që procesi është shumë më përpara. Në vizitën e ministrit të Shëndetësisë, që është anëtar i kabinetit të kancelares Merkel, Jens Spahn, e kemi biseduar edhe këtë temë. Unë mendoj se më mirë sesa ndoshta edhe kemi shpresuar jemi në çështjen e liberalizimit të vizave. Pra, kryesuesja e Komisionit është gjermane, gjermanët kanë marrë po them ashtu një iniciativë në të. Mendoj që tani është çështje krejtësisht vetëm e javëve, e di që disa po thonë mos po nxitohesh kryeministër, ne jemi vonuar, e vërteta është se jemi vonuar, por është çështje javëve që ta marrim këtë lajm të merituar, na takon ky lajm se i kemi përmbushur kriteret”, tha ai.

Por, pesimist në këtë aspekt tregohet ministri në dorëheqje i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ka ngurruar të japë një afat të caktuar për liberalizimin e vizave.

Ai thotë se dëshirë ka që të ndodh qysh nesër, por që nuk premton asgjë.

 

E njohës të integrimeve evropiane vlerësojnë se institucionet e vendit nuk kanë qenë serioze në përmbushjen e obligimeve të tyre, por edhe në procesin e lobimit për liberalizim të vizave.

Kështu , profesori universitar Afrim Hoti, dhënien e datave për liberalizim e quan spekulim të llojit të vet.

“Çfarëdo dhënie e datave konkrete nuk është asgjë tjetër përveçse një spekulim i llojit të vet dhe që prapa këtyre qëndrimeve nuk ka asgjë tjetër përpos politikë dhe tendenca për konsum të brendshëm… Kjo mendoj se është edhe e pavend të diskutohet, është krejtësisht paradokasle që ministrat të kenë qëndrime antagoniste me shefin e Qeverisë. Fundi i fundit po flasim për qëndrimin e të njëjtit institucion”, thotë ai.

 

E njohësi i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu, nga Instituti EPIK thotë se procesi i liberalizimit të vizave është politizuar shumë.

Ai shprehet se deklaratat e shumta të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, që fundi i këtij viti do të jetë koha e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës, kanë bërë që qytetarët të humbasin besimin te ta.

“Çdo gjë që e kanë bërë rreth këtij procesi ka qenë për përfitime politike. Barra e vërtetë bie mbi qytetarët e zakonshëm, të cilët sorollaten ambasadave për ta marrë një vizë qoftë edhe për nevoja mjekësore. Ndërsa pushtet-mbajtësit nuk e kanë fare këtë problem. Të gjithë janë të pajisur me viza, disa me shtetësi të e vendeve ku lëvizet lirshëm në zonën Shëngen. Madje, kjo nuk është fare temë e diskutimit për ta”, deklaron ai.

Kujtojmë se raporti për Vendin për vitin 2019 është publikuar më 29 maj të këtij viti. Ndërsa bazuar në të, shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, pati deklaruar se liberalizimi i vizave duhet të ndodhë sa më shpejt.