Kosova
Sot momenti kyç në Hagë: Merret vendimi për mocionin e mbrojtjes ndaj Thaçit e të tjerëve
Në Hagë sot bëhet publik vendimi për mocionin e mbrojtjes ndaj Thaçit e të tjerëve
Mësohet se sot pritet një ndër vendimet e rëndësishme në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përcjell albinfo.ch.
Trupi gjykues në çështjen “Thaçi dhe të tjerët” ka caktuar datën 16 korrik (sot) për ta bërë publik vendimin e tyre në lidhje me mocionin e përbashkët të ekipeve mbrojtëse për të rrëzuar pjesë të caktuara të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjykata do të vendosë nëse do t’i rrëzojë disa nga pikat e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky hap mund të ndikojë drejtpërdrejt në ecurinë e mëtejme të gjykimit. Avokatë dhe përfaqësues të organizatave të drejtësisë sqarojnë rëndësinë e kësaj faze dhe ecurinë e rasteve të tjera në Dhomat e Specializuara.
Procesi gjyqësor ndaj katërshes Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare dhe cilido qoftë vendimi për rrëzimin ose jo të akuzave, pritet të ndikojë dukshëm në vazhdimin e çështjes. Të mërkurën, gjykata do të vendosë për mocionin e mbrojtjes që kërkon rrëzimin e disa pikave të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Seanca për vendimin më të rëndësishëm pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe dëshmitarëve nga Prokuroria do të fillojë nga ora 9 e mëngjesit dhe pritet që gjatë ditës të vazhdohet tutje me procesin, përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve ekspertë të Zyrës së Mbrojtësit të Viktimave.
Gjyqtarët kanë urdhëruar MV-në t’i bëjë gati ekspertët pavarësisht vendimit për mocionin, ngaqë sipas Charles Smith, natyra e këtij mocioni kundërshtues është e limituar, andaj gjykimi do të kalojë në fazën tjetër.
Mbrojtja e kishte dorëzuar këtë mocion më 12 qershor, ndërkaq kundërpërgjigjja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka shkuar në adresë të Gjykatës më 7 korrik.
Avokati Taulant Hodaj shpjegon procedurat që ndjek Gjykata Speciale në këtë fazë.
“Ky është një filtër që, nëse eventualisht aktakuza është e dobët në bazë të provave që i ka ofruar vetë Prokuroria dhe dëshmitarët e saj dëshmojnë të kundërtën e asaj që pretendohet në aktakuzë, atëherë gjykata mund të ndërhyjë. Është një stad i ndërmjetëm. Nesër trupi gjykues mund të rrëzojë disa pika të aktakuzës, mund të mos rrëzojë asnjë ose mund të vendosë të vazhdojë me të gjitha. Nga njoftimi zyrtar, nesër do të jepet një vendim, ndërsa është kërkuar nga përfaqësuesi i viktimave që të paraqesë fjalën e tij, që në njëfarë mënyre nënkupton se jo të gjitha pikat e aktakuzës do të rrëzohen, apo asnjë prej tyre”, ka thënë ai.
Sipas avokatit Hodaj, rrëzimi i disa pikave të aktakuzës mund ta lehtësojë vendimmarrjen përfundimtare që pritet në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, Gjykata Speciale tashmë ka dhënë një vendim të formës së prerë në rastin e Salih Mustafës, një vendim që konfirmon aktgjykimin e Apelit me dënim prej 15 vjetësh burgim. Sa i përket rastit të Pjetër Shalës, përfaqësuesja e Institutit të Kosovës për Drejtësi, Blendina Veliqi, shpjegon procedurat e mëtejshme:
“Qoftë mbrojtja, qoftë Prokuroria mund të bëjnë ankesë për mbrojtje të ligjshmërisë. Aty nuk bëhet vlerësimi i provave, por mund të paraqiten pretendime për shkelje të ndonjë ligji. Në atë rast, procedurat vazhdojnë në Gjykatën Supreme, e cila mund ta ndryshojë vendimin, mund ta kthejë në rishqyrtim, ose mund të konstatojë se ka pasur shkelje që nuk ndikojnë në ndryshimin e vendimit të Apelit”, ka thënë Veliqi.
Gjykata e Apelit e Gjykatës Speciale ia ka ulur dënimin Pjetër Shalës, i njohur si “Ujku”, nga 18 në 13 vjet burg.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka zgjedhur Kryesinë e re Në fjalën e tij pas zgjedhjes, Kryetari i ri, z. Zenun Krasniqi, falënderoi anëtarët për besimin... -
Prishtina fiton Kupën e Diasporës, pas penalltive mposht Kosovën e Gjenevës -
Dua Lipa në International Booker Prize Awards: Letërsia është ura më e fortë mes kulturave -
Mos i hidhni zarfet e votimit në kosh, vota juaj mbron pagën dhe të ardhmen në Zvicër -
Lozanë: Lot, emocione dhe kujtesë në promovimin e librit “Për ata që nuk u kthyen”
Jeta në Zvicër
-
Shumë të moshuar për të marrë me qira: Diskriminimi zviceran ndaj të moshuarve në pasuri të paluajtshme Një çift pensionistësh dëshmon në programin On en parle: pavarësisht pensioneve AHV, kursimeve dhe mungesës së... -
Tërheqjet e produkteve që nuk përputhen me standardet janë gjithnjë e më të shumta në Zvicër -
“Zhurmë për vjedhje”: Sanduiçët peshojnë 14 gramë më pak, reagon Migros -
Zvicër: Proces gjyqësor me një çift serb dhe 40 gra të skllavëruara si pastruese -
Pse mbajtësit e lejes B në Zvicër fitojnë më shumë se banorët e përhershëm?













